>
BIOSHQIP

Pse Genta është Më E Forta?

31-01-2009
Është padyshim një ndër këngëtaret më të kërkuara e të pëlqyera nga publiku shqiptar kudo qoftë, por as kritika nuk ngelet mbrapa me vlerësimet e mira për të. Si gjithnjë, punon fort dhe në mënyrë paralele për këngë dhe klipe, të cilat i realizon në mënyrën më të mirë të mundshme. Sepse nuk kursen për të bërë një këngë a një klip të mirë. Të njëjtën gjë e bën edhe për dukjen dhe veshjen e saj. Këtë e ka pohuar dhe vetë disa herë, se investimet e saj në muzikë qoftë me punë, qoftë me të holla, janë shumë të mëdha. Por, ia ka pa hairin kësaj, pasi sukseset për të kanë qenë të njëpasnjëshme, ndërsa fitimet e larta. Që do të thotë se gjithçka që jep, i kompensohet shumëfish. Ndërkohë, është shndërruar tashmë në njërën prej këngëtarëve më të paguara të estradës sonë. Atraktiviteti, ekstravaganca e sportiviteti, njëkohësisht, si dhe kërcimi i saj i ‘trentë' në skenë janë armët tjera të forta të saj, me të cilët elemente, sa herë do, ajo e magjeps publikun duke e bërë vetëm për vete. Ndërsa bukuria vetëm sa e bën më të kompletuar. Edhe pse jo aq shumë e vlerësuar për zërin e saj, ajo as për këtë element parësor për një këngëtar nuk ngelet keq, sidomos e shquan ngjyra e veçantë e zërit që ka. Po kështu, jashtë skenës, ajo është shumë e hapur edhe për jetën private të saj. Të gjithë e dinë që prej fillimit se i dashuri i saj e ka emrin Milot Binaku. Madje, shpeshherë nuk e ka mbajtur fshehur lidhjen dhe raportet që ka ndërtuar me të gjatë tërë kësaj kohe të bashkëjetesës së tyre në një banesë diku në Prishtinë. Shumëkush e ka parë me skepticizëm këtë lidhje dhe kur të gjithë e prisnin apo edhe e dëshironin më te keqen, ata shfaqeshin para publikut më të fortë e më të dashur se kurrë. Të pandarë, në krah të njëri-tjetrit, shpeshherë edhe nëpër koncerte e organizime të ndryshme, ata vazhdojnë të bëjnë jetë të qetë, duke mbështetur njëri-tjetrin në rrugën e tyre profesionale muzikore, edhe pse në zhanre të ndryshme. Shumë shpifje për kriza e ndarje janë thurur për ta, por të paktën gjer më tash ata kanë ecur qetë rrugës së tyre. Ndërsa nuk është për t'u habitur nëse këtë vit ata madje mund t'i shohim duke kurorëzuar lidhjen e tyre me ndonjë dasmë. Prandaj, të gjitha këto elemente, të jetës profesionale e private, kanë bërë që Genta Ismajli të jetë kaq e dashur dhe e suksesshme njëkohësisht. Një shembull prej këngëtareje se si duhet të sillesh në botën e shou-bizit për të qenë në majë.
(botasot)

Pse Genta është Më E Forta?