TEKSTESHQIP

Gjergj Leka: Une Dhe Dorina

9-5-2012
Gjergj Leka: Une Dhe Dorina
Një marrëdhënie aspak e zakontë babë e bijë. Vështirësitë e fillimviteve '90-të, ndarja nga e bija kur ishte ende e vogël, ribashkimi dhe koha e bashkëpunimit. Rrëfim për një histori të veçantë familjare nga Gjergj dhe Dorina Leka.

Vetëm dy porosi i ka dhënë Gjergj Leka të bijës kur shkeli pragun e adoleshencës: të mos provonte kurrë motorin dhe cigaren. Pjesën tjetër të rolit prej babai në jetën e saj zgjodhi ta bënte në heshtje, pak i fshehur në hije, duke i dhënë një liri të kontrolluar sipas mënyrës së tij. Dorina ia ndoqi të dyja këto porosi. Edhe tani që i ka mbushur të 26 vjetët, kur ka bërë shumë zgjedhje të rëndësishme në jetë, është e pavarur dhe ndan jetën me dikë, nuk ka kuriozitet as për njërën dhe as për tjetrën. Madje e shpreh hapur se është kundër çmendurive që mund të rrezikojnë jetën dhe sidomos atyre që tymosin ose janë të dhënë e të varur pas narkotikëve. E thotë këtë shumë shpesh edhe kur përballë saj qëndron Gjergji, i cili e adhuron fshehurazi me sy, duke shuar njërën pas tjetrës cigaret e paketës që mban mbi tavolinë. Por ndërsa i ati ia ka lejuar vetes këtë ndërhyrje, Dorina nuk provon t'i ngrihet kundër, siç zakonisht bëjnë fëmijët përballë prindërve në raste të ngjashme, për t'i thënë se edhe për të është koha të heqë dorë nga këto vese që dikur ai i përbetohej të mos i provonte kurrë. Gjergj dhe Dorina Leka funksionojnë kështu.

Babë e bijë, njëri kantautor i njohur shqiptar, i vendosur prej gjashtë vitesh në Tiranë, dhe tjetra në fillimet e karrierës së saj në Itali, pas një spektakli talentesh që i dha famë, e cila mbërriti deri në Shqipëri diçka më pak se dy vjet të shkuara, kanë një marrëdhënie shumë më të veçantë sesa kushdo mund ta mendojë. Ngjajnë si dy pika uji sa i takon karakterit: rebelë, të talentuar, të dashuruar pas pavarësisë së tyre në të gjitha kuptimet, krenarë e kokëfortë. Ama janë krejt të ndryshëm për nga mënyra sesi jeta i ka rrjedhur secilit. Gjergji mban mbi supe vite të tëra kaluar nëpër vende të ndryshme të botës, divorce, histori personale që jo rrallë i kanë ndikuar edhe në karrierë. Ndërsa Dorina i përket një tjetër bote. Ka pasur fatin të rritet nga gjyshër që i kanë dhënë gjithçka që prindërit nuk ia plotësonin dot në trazirat e fillmviteve '90-të, i gëzohet një ambjenti pune që as nuk i afrohet atij në të cilat Gjergji ka punuar dhe vazhdon të punojë, ka shumë miq kolegë, shumë koncerte dhe ambicje për të bërë përpara në vendin ku është rritur. Ndodh të zihen keq me njëri-tjetrin kur janë në studio dhe diskutojnë për muzikë dhe zgjedhje artistike dhe deri më sot nuk ka bërë vaki që ndonjëri t'i hapë rrugë tjetrit. Sherri shuhet vetëm të nesërmen kur të dy i thonë mirëmëngjes njëri tjetrit me një përqafim duke pranuar pa fjalë në fund se secili do të bëjë siç e gjykon më mirë. Ose siç ia thotë koka. Kështu ka qenë gjithmonë dhe gjasat janë që rregullat e pashkrura mes tyre të mos ndryshojnë kurrë. Mbase pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i harmonisë së lidhjes mes tyre. "Jemi të lidhur më shumë se sa zakonisht një baba është i lidhur me vajzën e tij", thotë Gjergj Leka. "Mund të jesh fizikisht afër fëmijës tënd, ta shohësh duke u rritur, por nuk je pranë saj. Në rastin tonë gjërat kanë rrjedhur ndryshe dhe jam i bindur se kjo gjë na ka ndihmuar të kemi këtë lidhje".

Ndërsa Dorina shton se ajo e tyrja është e mesmja e artë që e dëshiron gjithëkush: ajo marrëdhënia mes mikut dhe babait artist, në të cilën nuk ka rregulla. "Rregullat i sajojmë në moment", thotë ajo, "unë dhe ai. Natyrisht që edhe duhemi shumë". Nxiton të shtojë se tek e fundit karriera e saj duhet t'i jetë mirënjohëse pikërisht të atit. Dhe jo vetëm prej geneve që duket se ka trashëguar prej tij dhe që i kanë dhënë talentin. Karriera e Dorinës ka nisur falë guximit të Gjergjit, i cili e ka ngjitur në skenë kur nuk i kishte më shumë se 11 vjeçe, i ka dhënë një mikrofon në dorë dhe e ka lënë të lirë të këndonte. Pak kohë më vonë i dha një shtysë guximi të shfaqej edhe në Premio della Tv Italiana dhe që nga ajo kohë Dorina veçse ka shkëlqyer. "Karriera ime nisi falë tij, pra jam edhe shumë e ndikuar prej babait tim".

Megjithatë, sado shumë koncerte që numëron në Itali, emri i Dorina Lekës në Shqipëri mbërriti vetëm në shtatorin e 2010 kur u përzgjodh si një nga konkurentet e "X Factor Italia". U prezantua si vajza që "vinte nga Trieste, por që ishte shqiptare", u përzgjodh si një nga më të talentuarat e atij viti dhe arriti deri në finale. Ndërkohë që mediat shqiptare shkruanin këtej detit, Dorina konkuronte për më të mirën, por edhe bluante plane të tjera në kokë. "Kjo eksperiencë me ka ndihmuar të kuptoj se çfarë dua dhe çfarë nuk dua në rrugëtimin tim artistik", thotë ajo. Kuptoi se më shumë se asgjë donte muzikën. Mësimet që dikur gjyshja e saj i jepte në piano, studimet më vonë në Konservatorin Klasik të Triestes gjithashtu e kishin bërë punën e tyre, por Dorina më shumë se asgjë i pëlqen rroku dhe është një rrokere shumë e mirë. Një rrokere kokëfortë ama. Sepse pas "X Factor" i propozuan të kishte edhe një menaxher të sajin, i cili do ta ndihmonte për më vonë, por bija e Gjergjit nuk pranoi. "Kush më mirë se unë mund të më menaxhojë"! I ka hyrë punës e vetme dhe si e tillë po i jep dorën e fundit edhe albumit të parë që do të publikojë se shpejti. Këto ditë i ka të ngarkuara me orare të zgjatura në studio prej nga pritet të dalin 11 këngë, ndër të cilat vetëm një nuk është kompozim i Dorinës. "I kam shkruar vetë të tjerat", thotë ajo. "Bashkë me bashkëpunëtorin tim Valter Soma kemi derdhur shumë energji. Ka qenë shumë e vështirë dhe e gjithë kjo për mua është një emocion shumë i fortë". Ndoshta albumin e saj do ta importojë edhe në Tiranë sepse pas mbrëmjes së tre javëve me parë, kur këndoi si e ftuar nderi në skenën e "X Factor Albania" ka kuptuar se edhe këtu, në vendin e origjinës, ka plot për të bërë. "Ishte një eksperiencë shumë e bukur ajo në Tiranë", thotë Dorina. "Ishte bukur të këndoja një këngë shqip në tokën ku kam lindur".

Atë mbrëmje, ndryshe nga dy vite më parë kur nuk ishte e ftuar por konkurente në "X Factor" e ka ndjekur edhe Gjergji, i cili është bindur përfundimisht se një muzikante si Dorina, e cila përcolli emocion të fortë me këngën e Vaçe Zelës, i duhet skenës shqiptare. Vetëm se jo duke u vendosur përgjithmonë këtu. Meraku i babait ngre sërish, pa dashje, krye dhe kur kantautori analizon atë çfarë e bija ka në Itali dhe e krahason me ambjentin artistik që ekziston në Tiranë, bëhet kategorik: "po të ngulja këmbë që ajo të vinte këtu, do ta shkatërroja".

E ka bindje edhe pse Dorina është lloji i fëmijës që ka vuajtur në jetë. Sapo kishte lindur kur Gjergji dhe ish bashkëshortja e tij Eda ikën në Itali. Dy emigrantë dhe një fëmijë i vogël i patën më shumë se të vështira muajt e fillimit, pavarësisht se Gjergji nga ana e së të atit origjinën e ka italiane. "Ajo ka provuar në kuptimin e plotë të fjalës atë që quhet gaveta", thotë ai, ndërsa kujton Milanon e madhe dhe të vështirë ku zor të gjeje punë dhe ku me fitimet e pakëta të ditës, familja mblidhej në një hotel të lirë, nga ata që mund ta përballonin, dhe shtroheshin përballë darkës së varfër: dy konserva peshku për tre veta. Ishte viti 1991, dy vjet pasi kantautori kishte provuar bujshëm arratisjen, dhe kur guximi i çmendur e kishte bindur të merrte të bijën, vetëm 2 vjeçe e gjysmë, dhe të ikte. Pas tij shkoi edhe Eda dhe vetëm pak kohë më vonë e gjithѱ familja. Kjo do të thoshte një shans nga ata që jo shumë shqiptarë mund t'i gëzoheshin. Eda u largua asokohe në Greqi dhe ndoqi rrjedhën e fatit të vet, ndërsa Gjergji vendosi që më mirë se t'i jepte një jetë të vështirë të bijës, fati i së cilës nuk mund të parashikohej, ishte t'ia besonte prindërve të tij, të cilët ndërkohë u vendosën në Trieste, vendin e origjinës së babit të tij, Kostandinit. Kështu ndodhi. Pa i mbushur ende tre vjeç Dorina u nda nga i ati për t'u rritur nga dy gjyshër për të cilët thotë se "Nuk kanë lejuar kurrë të më mungonte gjë". Ndërkohë që Gjergji iku në Rusi, brodhi nëpër vende të ndryshme, u martua dhe divorcua edhe një herë tjetër, jetoi histori të ndryshme dhe ngriti karrierën e shpërndarë në disa vende, Dorina, kur u rrit dhe filloi të kuptonte, e pranoi pa kushte natyrën dhe jetën endacake të të atit. "Fundja kështu jam edhe unë", shton ajo. Në ato fillime ndodhte të shiheshin rrallë dhe Gjergji nuk ka qenë i pranishëm në kohën kur Dorina merrte mësime pianoje nga gjyshja e saj, shijonte ambjentin artistik ngado shkonte dhe u bind të ndiqte studimet e larta në Konservatorin Klasik të Triestes. Por ishte i qetë sepse Dorinën e kishte lënë në duar të sigurta, shumë më të sigurta sesa të vetë atij.

"Sigurisht me kalimin e viteve gjërat filluan të ndryshonin", thotë Gjergji. "Takoheshim kur Dorina kishte koncerte, por nuk pranonte të bënte gjërat që i thoja unë. I kompozonte vetë këngët e veta, kishte mundësi të fitonte shumë para nga ftesat që i bëheshin nëpër Itali, por kurrë nuk u dha pas tyre. Preferonte të zgjidhte ato vende që ajo pëlqente, ato bashkëpunime që e bindnin dhe sot e gjithë ditën ndjek me fanatizëm parimet e veta. E adhuroj për këtë". E adhuron edhe sepse tek Dorina sheh diçka që jo çdo artist ka fatin ta ketë: zotërimin e skenës. Shpesh ka njohur artistë shumë të talentuar por që nuk i përballojnë dot emocionet, mbyten prej tyre, ndërsa e bija sado të fortë të ketë dridhjen e trupit para se të dalë në skenë, nuk e tradhëton kurrë veten. "Kjo është e lindur, skenën ose mundesh ose nuk mundesh ta zotërosh", shton me krenarinë e babait. Tanimë për ata të dy ka kaluar edhe koha e porosive, Gjergji ka hequr dorë nga tentativa për t'i mësuar diçka të bijës. Marrëdhënia e tyre më shumë se babë e bijë është ajo e dy shokëve të mirë, vetëm se ndër ta, ndryshe nga sa mund të ndodhë zakonisht, është Gjergji tanimë ai që e dëgjon më shumë fjalën e së bijës. Mbushet me frymë para se të fillojë tregimin për ambjentin artistik ku jeton vajza e tij; krenohet kur kujton se sa shumë e duan kolegët e saj në Itali (ndryshe nga ata shqiptarë që zakonisht marrëdhëniet ndër kolegë i kanë thjesht rivalitet); se sa pak urrejtje ka mes tyre; se sa qetë dhe drejt rrjedh karriera artistike e së bijës, për të cilën nuk merakoset se ndokush mund t'i hyjë në hak. "Ambjenti ku punon i mëson çdo ditë gjëra të reja. Dorina është shumë më me fat se unë. Mua jeta private më ka ndikuar në profesion, asaj, për fat, jo", thotë Gjergj Leka. Kjo edhe sepse jeta private e Dorinës ka rrjedhur krejt ndryshe nga ajo e babait të saj. "Jeta ime në Itali është jetë reale me të gjitha problemet dhe preokupimet që çdo italian po kalon në këtë periudhë", thotë Dorina.Tanimë ajo është një 26 vjeçare e pavarur, ka shtëpinë e saj që e ndan prej kohësh me një djalë, i cili gjithashtu e ndjek me të njëjtin adhurim. Kanë ardhur të dy bashkë në Shqipëri dhe Gjergji e Dorina janë argëtuar shumë me reagimet e tij rrugëve të Bllokut, çudinë e shprehur përballë tavolinave të mbushura plot në çdo orë të ditës dhe të natës, por edhe kënaqësinë e vizitave në Dajt, studion e Gjergjit dhe argëtimeve në kryeqytet. Shumë orë i kanë kaluar edhe në "Qendrën Ndërkombëtare të Spektaklit" që Gjergji e ka ngritur pak vite më parë dhe që është impenjimi dhe ambicja kryesore e tij këto kohë. Gjatë këtyre ditëve kanë vendosur që shumë shpejt t'i futen punës edhe për një duet, Gjergji dhe Dorina. Do të kishin dashur që kjo këngë të ishte pjesë e albumit të parë të Dorinës, por tanimë nuk ka kohë për ta përfunduar, kështu që do ta realizojnë qetësisht përgjatë këtyre muajve. Përballë premtimit të Dorinës se këtej e tutje nuk do të mungojë edhe në Tiranë është edhe vendimi i Gjergjit që t'i japë një dorë të bijës të këndojë edhe në skenat shqiptare. "E njoh pak jetën artistike shqiptare, por shpresoj ta rregulloj këtë në të ardhmen", thotë Dorina, e cila e ka hedhur hapin e parë tre javë të shkuara në "X Factor Albania". Me gjithë adhurimin që nuk e fsheh dot, do ta ndjekë, si gjithmonë në hije, edhe Gjergji, i cili nuk ka më merak për vajzën e tij. Do të jetë aty kur ajo të ketë nevojë dhe siç i ndodh shpesh, edhe do t'i bindet kur të debatojnë për diçka. "Jam i qetë tashmë dhe shumë krenar për time bijë", thotë kantautori. "Nuk ndihem borxhli ndaj saj për vitet e kaluara larg meje sepse e di dhe jam i bindur se po të kisha pasur mundësi do të kisha qenë një baba shumë i mirë për të. Ka qenë fat i madh që Dorina nuk u rrit këtu dhe ishte pjesë e një familje që i ka qëndruar gjithmonë afër". Dhe meqë tanimë ajo është një artiste e zonja, ka ardhur koha të njihet edhe me vendin e origjinës.

Dega italiane e Lekajve

Fati i Dorinës ka qenë se ka pasur dy gjyshër të cilët në vitin 1991 i dhanë fund kalvarit të përndjekjeve në Shqipëri dhe u vendosën në Trieste, vendin e lindjes së gjyshes së Gjergj Lekës, Jolanda Argentin. Ajo u njoh me bashkëshortin e saj, Minella Leka, tregtar dhe u martuan e krijuan familje në Trieste. Por kur në Shqipëri u vendos mbretëria e Zogut, dhe kur babai i Gjergjit ishte nëntë vjeç, familja Leka vendosi të vinte dhe të vendosej në Durrës. Nëse Italia ofronte për ta ditë të vështira dhe luftë për mbijetesë, Durrësi për familjen e tregtarit, porti i madh i tij, premtonte jetë të bereqetshme. Dhe ashtu ndodhi. Paraardhësit e Dorinës, babai i Gjergjit, Kostandini dhe prindërit e tij jetuan të lumtur në Shqipëri deri në vitin 1944 kur u vendos regjimi komunist, i cili familje të tilla nuk i pati kurrë me sy të mirë. Prej asaj kohe nisi jeta e vështirë e Lekajve, të cilët njihen në Durrës për përndjekjen, dënimet dhe internimet e shumta. Fat më pak të mbrapshtë pati familja e Gjergjit, biografia e të cilit u rregullua disi pas martesës së Kostandinit me një nga pinjollet e Jorganxhinjve nga Korça. Megjithatë edhe këta u larguan në vitin 1991 dhe sot jetojnë në Trieste.
(Alida Cenaj Revista Klan)

Komente 0