TEKSTESHQIP

Hana Cakuli Me Bashkëpunimin E Radhës

11-9-2012
Hana Cakuli Me Bashkëpunimin E Radhës
Hana Cakuli së shpejti do të vijë me këngën e radhës, e cila do të jetë bashkëpunim. Ndërkohë, ajo do të jetë moderatorja e emisionit "Kubi ku zinë" edhe në këtë sezon. Ajo tregon se ruan raporte të mira me të gjithë artistët.

Këngëtarja dhe moderatorja Hana Cakuli vazhdon të jetë aktive në muzikë. Ndërkohë edhe edicioni i ri i emisionit, të cilin ajo e moderon, "Kubi ku zinë", do të fillojë me sezonin e ri së shpejti. Në një bisedë për Express, ajo thotë se është duke punuar për të sjellë së shpejti këngën e re.

Gjithë sezonin e verës, Hana e ka kaluar në shtëpinë e saj në Ulqin dhe tashmë është mbushur me energji për t'iu kthyer punëve dhe projekteve të saj.

Kënga e saj e fundit "Kopshti", të cilën e realizoi me këngëtarin Kushtrim Hoxha, është pritur mjaft mirë tek publiku sa që për këtë shkak ajo pretendon që edhe kënga e radhës të jetë një bashkëpunim. "Aq shumë më ka lënë shije të mirë bashkëpunimi me Kushtrimin, sa kam vendosur që edhe kënga e radhës të jetë një bashkëpunim. Kësaj radhe jo me Kushtrimin, pasi do të jetë në San Diego me masterin për aktrim. Këtë herë do të këndoj me Dino Zhygjelin, është një djalë i ri dhe shumë i talentuar; këngëtar, kitarist dhe kantautor nga Ulqini".

E veshur në të zeza duket shumë bukur në videoklip, derisa këndon këngën "Kopshti". Edhe gjatë prezantimit të emisionit dhe në të gjitha paraqitjet dukja e saj është për t'u admiruar. Ajo për këtë i falënderon bashkëpunëtorët e saj. "Për emisionin "Kubi ku zinë" gjatë gjithë sezonit të parë janë kujdesur: butiku Koton dhe salloni Arta & Nagipi, të cilët i falënderoj shumë për gjithë mundin me mua. Kurse, sa i përket muzikës, kohët e fundit kam punuar me dizajneret Adriana Ceka dhe Lena Berisha. Janë vajza të reja, ende studente të dizajnit, por që kanë shumë ide të bukura për veshjet në përgjithësi dhe për këngët e ambientet ku unë paraqitem".

Nuk mund të kalojmë nga emisioni "Kubi ku zinë" pa e pyetur Hanën se sa është e mirë në kuzhinë. Ajo tregon se para se të fillonte emisioni ishte shumë e dobët, kurse pasi të përfundojë emisioni, përmirësohet dukshëm.

Me të gjithë artistët shqiptarë i ruan raportet shumë të mira, mirëpo disa prej tyre i veçon. "Me të gjithë kaloj shumë mirë, por ata me të cilët kam më shumë kontakt janë: Eliza Hoxha, Kushtrim Hoxha, Genc Salihu e të tjerë. Unë i vlerësoj ata shumë si artistë dhe sa herë komunikoj me ta mësoj diçka të re dhe shpesh flasim edhe për bashkëpunime", thotë ajo.

Këngëtarja dhe moderatorja Cakuli e preferon Egjiptin për të pushuar. Asaj i pëlqen veçanërisht Sahara. Me fjalë të tjera, secili vend që mban një histori dhe atraksion ndryshe nga vendet e tjera të botës e tërheq atë.

U interesuam të dimë se a i ka marrë ende dikush zemrën Hanës? Ajo u përgjigj: "Vëmendjen po, zemrën jo". Ndërsa mashkulli ideal sipas saj: "Duhet të ketë një personalitet tërheqës, i cili përmban: guxim, mirësi, dashuri për jetën, punën dhe artin. Mbi të gjitha, duhet të më japi flutura në bark".
(Express )

Komente 0