>
BIOSHQIP

Hersi: “Dua Të Jetoj Jetën Në çdo çast... Me Muzikë”

10-01-2014
Kënga “Zemërimi i një nate” nën interpretim të këngëtares Hersi Matmuja është shpallur fituese e edicionit të 52-të të festivalit të Radio Televizionit Shqiptar. Kjo këngë do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2014. Në një intervistë për Shqiptarja, Hersi tregon emocionet që i fali ky trofe, bashkëpunimin e me autorët e këngës, pasionin e saj për muzikën që në moshën 8 vjeçare dhe padiskutim punën që do bëhet për skenën e madhe të Eurovizionit.

Kënga “Zemërimi i një nate” ju dhuroi trofeun e edicionit të 52-të të Festivalit të RTSH-së. E kishit imagjinuar fitoren?

E kisha ëndërruar, por ta shihja të realizohej, ishte e pabesueshme. Ky trofe ishte një surprizë e madhe përsa i përket këtij viti që sapo lamë pas.

Pjesëmarrja juaj e dytë në festival ju solli sërish me vargjet e Jorgo Papingjit. Pse keni preferuar këtë autor për këngën tuaj?

Është pjesëmarrja e dytë me Jorgo Papingjin si tekstshkrues, por nuk ishte hera e dytë që merrja pjesë në festival. Me Jorgon dhe Gentin, bashkëpunuam edhe vitin që shkoi, duke u rënditur të tretët në finale. Jorgo, shkruan tekste me vargje shumë të qarta dhe bën gjetje me temat që përzgjedh.

Shqipëria është përfaqësuar nga emra të rinj dhe të vjetër të skenës shqiptare në Eurovizion, ku dhe vlerësimet nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Mendoni se pas suksesit të Rona Nishliut do të arrini dhe ju një prezantim dinjitoz?

Unë do të jap më të mirën e Hersit, se çfarë do të ndodhe, do ta shohim vetëm në maj.



Deri ku kanë shkuar përgatitjet tuaja për Evrovizionin. Cili është stafi që do t’ju shoqërojë dhe do të kujdeset për promocionet, kostumografinë dhe elemente të tjera të këngës?

Ende nuk kemi vendosur për asgjë konkretisht. Pjesa muzikore i takon kompozitorit Genti Lako dhe stafi i RTSH-së do të na ndihmojë e mbështesë për gjithë pjesën tjetër.

A është realizuar që në fillim për skenën e Eurovizionit “Zemërimi i një nate”?

Ështe një këngë e realizuar nga frymezimi i kompozitorit Genti Lako, që ta këndoja unë. Ja që fati dhe pasioni im për muzikën më bëri që këtë herë të marrë të gjithë votat e jurisë profesioniste të edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në RTSH.

Jeta juaj lidhet që në fëmijëri me muzikën. Kur je ngjitur në skenë për herë të parë?

Kam nisur të këndoj kur kam qenë vetëm 8 vjeçe. Që atëhere kam marrë leksione këndimi, si dhe jam aktivizuar në Ansamblin e Fëmijëve, me koncerte e festivale të ndryshme. Nuk kam rreshtur kurrë së marri pjesë në kompeticione muzikore që atëhere. Siç e thashë, në fillim isha vetëm 8 vjeçe dhe nuk e dija që muzika do të ishte rruga e jetës time. Duke studiuar dhe duke qenë gjithmonë afër me aktivitetet për fëmijë, arrita të studioj në Conservatorin "Santa Cecilia" në Romë për kanto.

A ka qenë traditë e familjes suaj muzika. Çfarë profesioni kanë prindërit e tu?

Vij nga një familje artdashëse, por asnjëri nuk janë marrë me muzikë apo me art profesionalisht. Por, jam rritur me frymën e artit dhe s’mund të isha këtu pa mbështetjen e tyre.

Tani na trego pak për veten dhe familjen. Cilat kanë qenë ëndrrat e prindërve të tu për ty, përpara se ti të bëheshe këngëtare?

Jam marrë me këngën që kur kam qenë shumë e vogël. Babai im është një i apasionuar i artit, dhe më ka mbështetur e nxitur në çdo hap. Asnjëherë s’më kanë shtyrë të bëj diçka që nuk dua, që nuk e dashuroj.

Cila është ëndrra jote më e madhe në jetë?

Të jetoj jetën në çdo çast dhe padyshim me muzikë!
(xh.k/shqiptarja)

Hersi: “Dua Të Jetoj Jetën Në çdo çast... Me Muzikë”