>
BIOSHQIP

Ingrit Gjoni Behet Nene, Vjen Ne Jete Paridi

24-04-2012
Ingrit Gjoni, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare ka përjetuar gjatë ditës së djeshme, ato që ajo i quan emocionet më të forta në jetën e saj… emocionet e lindjes së një fëmije. Orët e para të ditës së hënë e kanë kthyer Ingritin në femrën më të lumtur në planet, duke i dhuruar kështu një status të ri jetësor, atë të nënës. Parid Mara është emri i engjëllit më të ri të botës, fryt i dashurisë 6-vjeçare të këngëtares me partnerin e saj, Genti. Po çfarë na tregoi Ingriti. Cilët ishin njerëzit e parë që e vizituan. Gëzimi i saj dhe i babait të fëmijës. Pse u zgjodh ky emër dhe cila është domethënia e tij. Përgjigjet për këto dhe të tjera pyetje, Ingrit Gjoni na i dha vetë, gjatë vizitës që i bëmë dje në spitalin "Hygeia" ku dhe u krye lindja.

Gjithë spitali e di për lindjen e saj, edhe punonjësit e sigurisë madje. Në recepsion na njoftojnë se dhoma e këngëtares gjendet në katin e tretë, aty ku është pavijoni i lindjeve. Nuk është e vështirë ta gjesh dhomën në fakt sepse në suitën VIP, siç njihet ndryshe kjo hapësirë, ka qenë e shtruar edhe motra e saj, Inisi. Pavarësisht kësaj, një infermiere na shoqëron deri tek dera, ku lulet kanë zënë pritë tashmë. Mes tyre bie më shumë në sy, një buqetë e madhe me 100 trëndafila të bardhë, dhuratë e partnerit të këngëtares, Gentit.

Një fjongo bojëqielli e varur në derë, njofton gjininë e fëmijës. Ingriti ka pak orë që ka dalë nga operacioni, megjithatë gëzimi i lexohet qartazi në fytyrë. Mbi kokë ka 20 tullumbace, ndërkohë që celulari nuk i pushon, ndonëse numrin e ka ndryshuar tashmë.

Bashkë më të në dhomë është edhe Ilda, tezja e madhe e Paridit, e cila ka qëndruar gjatë gjithë ditës me të motrën. "Inisi ishte në drekë, po iu desh të kthehej në shtëpi se nuk mund të qëndronte gjatë këtu me vajzën", – thotë e madhja e motrave Gjoni, ndërsa nis me qerasjet.

Infermieret janë gjatë gjithë kohës në dispozicion dhe kujdesi për këngëtaren është maksimal. Mjeku që e ka ndjekur lindjen, doktori Vasil Angjeli është predispozuar maksimalisht që Ingriti dhe djali të jenë në gjendjen më optimale dhe nga sa pamë, këngëtarja nuk mund të ishte më mirë se aq. "Jam shumë e lumtur. Nuk m'a priste mendja të kishte edhe të tilla ndjesi.

Emocionet kanë qenë shumë të forta, më të fortat që kam përjetuar. Kam menduar gjithmonë se dashuria për partnerin, të afërmit, miqtë, apo profesionin është shumë e madhe, por jo. Fëmija qenka mrekulli. Më duket sikur kam rilindur", – thotë këngëtarja, e cila nis të na tregojë për zgjedhjen e emrit. "Emrin e vendosi Genti. Ishte dëshirë e tij që djali të quhej Parid", – vijon Ingriti duke na thënë se emri i tij, është emri i një prijësi, siç djali i tyre do të jetë udhëheqësi i lumturisë familjare.

Në këtë kohë, ndërsa po flasim për harmoninë në familje, në dhomë futet edhe babi Genti, i cili duket se po fluturon nga gëzimi. "Paridi ishte dhurata më e bukur që mund të na jepte Zoti", – thotë këngëtarja ndërkaq. Me këtë frazë, e me lumturinë që lexohej qartazi në fytyrat e prindërve të rinj, përshëndetemi me ta dhe dalim në korridor për t'i lënë radhën mysafirëve të tjerë, të cilët janë të shumtë në numër. Në hollin e katit të tretë, na qëllon të takojmë edhe maminë që e priti, e cila na tha se djali i ngjan shumë të atit.

Ky nuk ishte një konstatim i saji, jo. Gjyshja e tij, mamaja e Gentit, që ishte edhe para që e pa të voglin, kish thënë se Paridi ishte kopje e të birit. Të gjithë familjarët kanë qenë të lumtur për këtë dhuratë që Zoti u ka bërë dhe vizitat e tyre nuk kanë munguar përgjatë ditës.

Në dhomë veç tyre kanë hyrë edhe shumë miq të Ingriti, mes të cilëve edhe këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e cila ishte shprehur se tani 'u bëra teze'. Me urimet më të mira për të voglin dhe prindërit e tij, ne po e mbyllim këtu për sot.
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Ingrit Gjoni Behet Nene, Vjen Ne Jete Paridi