TEKSTESHQIP

Ingrit Gjoni Flet Për Albumin E Saj Të Tretë

12-12-2013
Ingrit Gjoni Flet Për Albumin E Saj Të Tretë
Dalja e saj e parë ishte një boom i vertët, një bashkëpunim ky me artisten Inis Gjoni.

Kjo është këngëtarja Ingrit Gjoni, e cila me zërin e saj brilant ka bërë për vete mijëra shqiptarë anembanë botës.

Në një intervistë për "Shqiptarja.com" ajo rrëfen daljen e albumit të tretë, bashkëpunimin me këngëtarin e muzikës popullore Gjeto Lucën, një bashkëpunim ky që ka marrë mbi 800 mijë klikime vetëm për një muaj si dhe lidhjen me djalin e saj, Paridin.

Më poshtë gjatë intervistës Ingriti, na tregon më shumë për veten dhe projektet e saj në prag të festave të fundvitit.

Albumi "Imposible" ka pasur sukses në tregun muzikor që prej daljes së tij. Cila ishte risia e këtij albumi?

Albumi i cili është i treti përsa i përket karrierës sime muzikore, përmban dy këngë te reja "Hit" dhe "Imposible". Përveç dy këngëve të reja ky album përmban dhe këngët hit të bashkëpunimeve me Tony Ray, Stine dhe Flori Mumajesin të cilin nuk e kisha publikuar, duke bërë një përmbledhje në DVD dhe CD me hitet që kam bërë gjatë tre viteve të fundit. Ky është albumi im i tretë pas albumit që kam bërë 17 vjeçe me Inisin, pastaj albumin "Ekstrem" ku përmblodha 12 këngë të shoqëruara edhe këto me DVD.

Në një periudhë kohore shumë të shkurtër ju keni bërë bum në tregun muzikor me tri albume dhe disa klipe. Ka qenë e vështirë për ju?

Unë nuk kam bërë asnjë album ku duhej ta justifikoja albumin tim me një hit! Përveç albumit të parë që kam pasur vetëm dy këngë të njohura me Inisin, eksperimentova me album, herët e tjera kam bërë vetëm përmbledhjen e albumeve, që do të thotë që kam bashkuar 12 hite. Kam dashur vetë të ndjekë këtë lloj strategjie pasi kur publiku ta blej albumin tim të di se çfarë këngësh të dëgjoj. Me albumet që kam sjell kam prezantuar këngët hite më të mira që publiku i njeh!

E njohur për muzikën e lehtë, këtë herë keni marrë maksimumin e klikimeve falë bashkëpunimit me Gjeto Lucën. Si lindi ideja e këtij bashkëpunimi?

Ishte ideja ime për këtë bashkëpunim! Kur dëgjova muzikën tek Gramoz Kozeli më pëlqeu pasi ishte e natyrës ritmike që dëgjohet edhe për diskoteka të kohës së fundit. Padyshim, që donte një këngëtar në refren dhe kisha dëshirë që në këtë bashkëpunim të kisha një këngëtar nga veriu sepse kanë tibrin shumë mashkullor. Kam qëlluar rastësisht në një dasëm, ku Gjeto këndonte "live", edhe pse me të kemi qenë bashkë në shumë evenimente muzikore dhe e njoh timbrin e zërit. Me të vërtetë që e ka zbukuruar shumë këngën dhe ishte një goditje ky bashkëpunimi.

Ndryshe nga herët e kaluara, në këtë bashkëpunim vijnë bukur edhe ritmet e folkut...?

Bashkimi gjithmonë ka bërë fuqinë! Po të flasësh për bashkëpunimin Çiljeta dhe Ingriti, ka qenë një bum që ka rezistuar 5 vjet, ku ne kemi shëtitur botën me atë këngë dhe kemi pasur oferta të jashtëzakonshme. E njëta gjë ndodhi dhe me bashkëpunimin me Gjeton. Por, bashkimi përveçëse bën fuqinë, duhet të dish dhe me çfarë elementësh të godasësh. Në fakt moda e tallavas nuk është se më ngjit shumë, por këtë herë bëhet fjalë për një këngëtar të mirë popullor që nuk dalim nga kornizat e folkut tonë edhe pse ka pak motive ballkanike.

Në këtë klip vini më "trend" se herët e kaluara, pse kjo zgjedhje?

Përsa i përket flokëve, se kam bërë as për trend dhe as për modë, por nuk i kisha në gjendje të mirë dhe duhej ti prija se sbën në mënyre që të gjeneroheshin nga bojërat që kanë konsumuar.

Bashkëpunimet në këngë, janë zgjedhjet tuaja?

Jo të gjitha bashkëpunimet janë zgjedhje të mijat. Me Çiljetën ka qenë dëshira e të dyjave pasi na shikonin si rivale, bashkëpunimi me Tony Ray ishte një ftesë prej tij jo e imja, ndërsa me Stine kemi një bashkëpunim të kahershëm.

Përveçëse një këngëtare e suksesshme, ju shikojmë edhe si një nënë të përkushtuar. Si ndjeheni pranë Paridit?

Ai është si shpirt i vogël dhe unë po vrapoj të shkoj tek ai. Nuk mund të qëndroj larg tij për shumë gjatë. Di të them këtë që, Paridi më ka ndryshuar komplet jetën time. Tani është rritur dhe është bërë më i bukur dhe jemi shumë të dhënë pas njëri-tjetrit.

Cila ka qenë fjala e parë që ka thënë Paridi?

Ma dhe Ba kanë qenë fjalët e tij të para, edhe pse herë pas herë fjalën "xhan" e përdor shpesh. Është një fëmijë i urtë, nuk është aspak grindavec.

Kujt i ka ngjarë më shumë?

I ka ngjarë babait të tij.

Ka ndikuar mëmësia tek ju?

Për mirë! Madje them që më ka ndihmuar për të ecur më shumë dhe për ta parë jetën në një këndvështrim tjetër.

Cili është sekreti i të qenit në formë, përveç faktit që vraponi pas Paridit çdo moment?

Të them të drejtën këto kohë kam qenë shumë e angazhuar me punë dhe nuk është se jam marrë shumë me veten, por besoj se do të arrij të gjej kohën e mjaftueshme edhe pse bukën e kam eleminuar totalisht.

Si nis një ditë e zakonshme për Ingritin?

Shumë e ndryshme nga njëra-tjetra, për të mos thënë se nuk ngjajnë fare! Paraditja është pjesë e angazhimeve, ndërsa pasditja ëhstë tërësisht një dedikim për engjëllin tim Paridin.

Cilat janë projektet për festat e fundvitit?

Kam shumë projekte, por natën e Vitit të Ri do ta kaloj pranë familjes.
(Blerta Tusha/shqiptarja)

Komente 0