TEKSTESHQIP

Julka: Gjërat Për Të Cilat Ndihem Me Fat

26-6-2012
Julka: Gjërat Për Të Cilat Ndihem Me Fat
Julka Gramo së fundmi i është rikthyer këngës dhe skenës. Këtë e ka bërë me një këngë shumë të veçantë, me të cilën ka konkurruar në "Top-Fest 9", "Për mua je dashuri". Aktualisht, ajo ka një program në radio NRG, si dhe tregon se do të ketë disa projekte mjaft surprizuese në muzikë. Në këtë intervistë me Julkën nuk mund të mos flasim për përkushtimin e saj si nënë, por edhe pak për jetën në çift për të cilën ajo shprehet: "Unë në fakt kam qenë një person që nuk kam menduar se dashuria e përjetshme zgjat, që një çift mund të jetojë kaq shumë vite bashkë. Tani jam duke e jetuar, dhe them po, po, paska dashuri që zgjat shumë vite(qesh). Shpresoj që të zgjasë ashtu sikurse ka zgjatur dashuria e prindërve tanë". Ndërkohë, për artistët Julka thotë se ajo që mungon është spektakli; "këngëtari nuk duhet vetëm të këndojë, por edhe të dhurojë spektakël".

Julka, sapo ka mbaruar "Top-Fest", ku ishe pjesëmarrëse me këngën tënde. Si u ndjeve pas kaq kohësh mungese në festival dhe si është pritur kënga deri tani?

Kënga është pritur shumë mirë dhe jam jashtëzakonisht shumë e lumtur. Ky ishte gëzimi më i madh pas një mungese të gjatë. Ka qenë një rikthim shumë i mirë dhe me shumë dashuri, me një feedback shumë pozitiv, me një këngë që ka marrë shumë urime dhe që u krijon njerëzve gjendje pozitive. Kjo ishte për mua një fitore shumë e madhe. Ndërkohë, unë në finale shkova me votat e publikut dhe kjo ishte një fitore tjetër. Sinqerisht në atë moment kam menduar që "Top-Fest" mbaron këtu, por kur shkon në finale pret që të marrësh edhe ndonjë çmim tjetër. Unë nuk mora ndonjë çmim në trofe, kështu që çmimi i vetëm mbeti vajtja në finale me votat e publikut. U kujdesa për performancën në finale, ku sollëm edhe një robot nga përtej kufirit. Shpresoj t'ia kem dalë dhe që njerëzit të jenë argëtuar, të kishin mundësi të argëtoheshin, jo thjesht mikrofoni, këngëtari dhe kaq.

Është një periudhë, qysh kur je bërë nënë, që nuk ke marrë pjesë në festivale. Si ndihesh pas një pauze të gjatë dhe përballesh me publikun?
Kur bën një pauzë të gjatë gjithmonë është risku që materiali që do të prezantosh të jetë në një nivel shumë të mirë. Përballja me publikun në këtë rast ka qenë shumë e favorizuar, pasi materiali që sollëm ishte me nivel shumë të mirë. Goditi nëpër zemrat e publikut dhe fansave, ndaj dhe kthimi automatikisht bëhet shumë i thjeshtë. Nuk është rreziku që kthehesh pas shumë kohësh dhe bie.

Bashkëshorti juaj, Andi merret njëkohësisht me muzikë. A ishte ai në fakt një shtysë më shumë për të marrë pjesë në "Top-Fest"?

Unë jam pjesë e "Threedots" dhe normalisht ekziston një strukturë, ekziston një strukturë menaxhimi dhe bashkë me Florin dhe Andin ne menduam që "Top-Fest" ishte i duhuri për ta bërë këtë rikthim duke vijuar më pas me projektet e tjera. Ka qenë një vendim i përbashkët, një vendim menaxherial më tepër sesa dëshira ime për të marrë pjesë në "Top-Fest".

Cilat do të jenë projektet që do të pasojnë pas kësaj vere?

Patjetër që do të ketë edhe një singëll të ri, akoma edhe më shpërthyes se kënga paraardhëse. Do të vij një këngë e re dhe një videoklip i ri dhe shpresojmë që të jetë po aq risi dhe të ketë diçka të veçantë në të. Kjo këngë mendohet që të mbyllet brenda korrikut.

Çfarë rryme do të jetë kënga, sepse je identifikuar me rrymën pop-dance deri diku?

Më është krijuar imazhi si këngëtare e rrymës dance, kështu që nuk më vjen aspak keq për këtë. Jam vlerësuar shpesh me çmime në këtë drejtim. Më vjen mirë kur dëgjoj të më thonë që jam një përfaqësuese shumë e denjë, ose që më krahasojnë me disa emra të tjerë ndërkombëtarë. Sjellim gjithmonë diçka që është e rrymës dance, por ka përherë diçka të re brenda.

Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me muzikën, cila rrymë mendon se ka më shumë sukses në Shqipëri?

Në Shqipëri, në fakt kam parë që prej disa vitesh mbizotërojnë këngët e rrymës dance. Ndërkohë që më parë ka qenë turbofolk, baladat pa diskutim që janë përherë të pëlqyera. Kam parë që edhe hip-hop pëlqehet shumë, ndaj mendoj se mjafton të jetë një këngë e bukur ku secili gjen veten.

Julka, ke shumë vite që merresh me muzikë. A të bën të pasur ky profesion, duke marrë parasysh gjithë shpenzimet që duhen?

Varet nga profili që ti krijon dhe nga muzika, e bën për pasion, e bën për part-time (le ta quajmë kështu) apo është profesioni yt me kohë të plotë. Do të thotë, i dedikohesh 100% muzikës, merresh vetëm me atë, investon vetëm për atë…Unë nuk kam zgjedhur të jem këngëtare full-time, që do të thotë se kam një impenjim paralel me pasionin që kam për muzikën. Nuk mendoj se gjërat në Shqipëri funksionojnë ashtu siç duhet të funksionojnë, prandaj artistët kalojnë më shumë strese. Sigurisht që, nëse mua muzika do të më kishte bërë të pasur, nuk do të isha duke paguar kredira, të cilat ndonjëherë të vënë dhe në vështirësi (qesh). Megjithatë, varet.

Kë shihni si mangësi më të madhe të një artisti në Shqipëri?

Performanca pa diskutim. Nëse unë do të isha një telespektator, sigurisht që do të më pëlqente të shkoja të shikoja shou. Jo vetëm të dëgjoj një këngëtar që këndon një këngë që mund ta dëgjoj edhe në radio apo ta shoh në televizor. Pa diskutim është spektakli ai që i mungon artistëve shqiptarë. Ama një gjë është e sigurt, që këngëtari vetëm nuk mund të bëjë gjëra shumë të mëdha dhe është përherë i limituar. Për këtë më vjen keq, sepse këtu nuk ka organizma apo agjenci që të bëjnë këtë shou-n që mungon.

Puna në radio, sa e rëndësishme është për ty?

Tani kam pak më shumë kohë të vë në zbatim projektet që qëndrojnë nëpër dosje, le të themi. Puna në NRG është shumë e dashur për mua. Kam asistuar që në krijimin e saj si radio dhe që në rritjen pastaj të saj. Nëse do të kem mundësi nuk do ta lë asnjëherë, sepse është një gjë që e bëj me shumë dashuri.

Julka, si është të jetosh me muzikën, pasi ti dhe Andi jeni vetë të përfshirë në këtë gjë, ndërkohë që djali…?

Djali ka dëgjuar muzikë në mënyrë sistematike, qëkur ka qenë një grimë e papërfillshme e deri tani. Kërcen në mënyrë fantastike, këndon. Ka një hit të vetin, një këngë konstante që e dëgjon gjithmonë. Tani me rritjen e aftësive ka filluar t'i shtojë dhe ndonjë fjalë, kuptohet të pakuptueshme për ne të tjerët. Megjithatë, ku ka muzikë është përherë shumë bukur. Është hare, është një gjendje pozitive, por sigurisht që nuk dëgjojmë muzikë në 24 orë.

Të jetosh me shpirtin artistik sesa të dëgjosh muzikë…

Patjetër që është bukur, qoftë kur je e trishtuar, qoftë kur je i gëzuar, e gjen veten tek një muzikë që përshtatet me gjendjen tënde shpirtërore. Jeta është një muzikë e vazhdueshme, jo vetëm për ne që merremi me të. Thjesht ndryshojnë rrymat; në një moment të caktuar është xhaz, në një tjetër baladë, dance….

Është më e lehtë apo më e vështirë ta kesh partnerin në të njëjtin profesion?

Nëse ka një gjë për të cilën unë e konsideroj veten me fat është partneri im, që i përket së njëjtës fushë dhe ka qenë që në fillimet e mia menaxheri im, kur këtu nuk konceptohej fare fjala menaxher. Për këtë jam shumë e lumtur dhe ndjehem shumë e përkëdhelur. Kam përshtypjen që është më i mirëkuptueshëm. Sigurisht që jemi shumë të hapur me njëri-tjetrin, secili ka karrierën e vet. Ka një gjë negative në fakt (negative për mua), që është shumë kritikues (qesh). Por kjo është edhe e mirë në të njëjtën kohë. Ndodh edhe që të përballemi ashpër sa i përket profesionit, por në fund është një rrahje idesh që të çon në një punë edhe më të mirë.

Sa ke ndryshuar ti gjatë gjithë kësaj kohe përkushtim, martesa, je bërë nënë, një lidhje e gjatë?

Ky është një ndryshim që nuk ndodh nëse ti nuk do që të të ndodhë. Unë gjithmonë kam refuzuar që për shkak të ndryshimit të statusit të ndryshoj si person. Kuptohet që ka ndryshime, prioritetet ndryshojnë, rritesh, ke një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla, si unë ashtu edhe Andi. Ndryshimi i vetëm është se tani edhe pas 10 vitesh me Andin, ndihem akoma edhe më shumë e dashuruar dhe më duket sikur ridashurohem herë pas here. Jam gjithnjë e më e bindur që ai është….

Thonë që jetesa mes artistësh është më e vështirë…

Ulje dhe ngritje sigurisht që ka, do ishte e kotë të thoshim që jeta jonë shkon vaj apo është si në përrallë. Jo. Është një gënjeshtër. Gjithë çiftet janë realë, normal që përballen me vështirësitë e jetës së përditshme. Sigurisht që ka zënka, surpriza të jashtëzakonshme, por është falë edhe atyre zënkave që çiftet bashkohen më tepër dhe e njohin më tepër njëri-tjetrin në aspekte që ndoshta nuk i kanë njohur. Unë në fakt kam qenë një person që nuk kam menduar se dashuria e përjetshme zgjat, që një çift mund të jetojë kaq shumë vite bashkë. Tani jam duke e jetuar, dhe them "po, po, paska dashuri që zgjat shumë vite"(qesh). Shpresoj që të zgjasë ashtu sikurse ka zgjatur dashuria e prindërve tanë.

Julka si e cilëson veten, më shumë femër moderne apo tradicionale?

Në fakt që të definojmë këtë duhet të ndajmë së pari çfarë është tradicionale dhe çfarë moderne. Nëse tradicionale është të përkushtuarit tërësisht, të qenit nënë, të qenit një bashkëshorte e mirë, të qëndruarit në shtëpi, kryerja e punëve nuk jam tradicionale (qesh). Nëse moderne do të quanim një nënë që veç jetës familjare vazhdon të mbajë edhe karrierën e saj dhe të ketë jetën e saj si një femër, mendoj se jam (qesh).

Të mbash familjen, ku duket se përgjegjësia më e madhe i bie femrës…

Në kohët që ne jetojmë kam përshtypjen se çiftet kanë një ndarje obligimesh shumë të mirë me njëri-tjetrin. Nëse dikur ka qenë si e parashkruar që femra duhet të bënte të gjitha gjërat dhe meshkujt ishin ata që mbanin familjen, gjërat kanë ndryshuar, qoftë në jetën e përditshme, qoftë në të qenit prind. Ashtu si të qenit nënë, edhe një baba është shumë i rëndësishëm. Ashtu siç nëna merret me fëmijën, ashtu merret edhe babai. Tani shumë meshkuj dalin me fëmijët, i mbajnë, u bëjnë xhiro, është një mentalitet tjetër krahasuar me vitet e mëparshme.

Nëna duket pak më në merak për fëmijën….

Më ka rastisur të dëgjoj më shumë për baballarë meraklinj sesa nëna së fundmi (qesh).

Andi është i tillë?

Andi është i tillë. Unë nuk e di se nga e kam gjetur këtë forcën. P.sh. kur djali ka temperaturë, do pijë ilaçin dhe do i kalojë, kurse Andin e shoh shumë të shqetësuar. Në këtë aspekt është shtuar pak më shumë numri i baballarëve të përfshirë në rritjen e fëmijëve, po aq sa edhe nëna.

Sa e vështirë është t'i bësh të dyja?

Unë kam patur një fat të jashtëzakonshëm që kam pasur familjen time që më ka mbështetur. Ime më ma ka bërë shumë të lehtë. Në momentin që ne po flasim tani, djali im po rri me gjyshen. Kështu që në këtë aspekt unë jam jashtëzakonisht e lumtur dhe e qetë dhe automatikisht mund të bëj çdo gjë. Në qoftë se nuk do të kisha pasur nënën time, ndoshta koha e rikthimit do të ishte më e ngadaltë. Kam qenë shumë e shpejtë dhe me fat sepse kam pasur këtë suport.

Julka sa kohë i kushton vetes?

Në fakt, me dhunë vetes fillova t'i përkushtohesha që para se të vija në punë, shkoja në palestër (qesh). Ishte momenti që ta bëja këtë gjë, por me dhunë sepse koha është shumë e paktë dhe impenjimet janë të shumta. Duhet patjetër të lësh diçka mangët për të bërë diçka tjetër. Unë ndonjëherë i bie në kurriz punës në radio, por kam edhe fatin që kam këtë fleksibilitet.

E pate të vështirë të humbje peshën pas lindjes?

Nuk e pata shumë të vështirë pasi nuk mora shumë kile. Kam ardhur jo me shumë vështirësi në formë. Kuptohet që ndonjë dietë edhe e kam bërë (qesh).

Nënat gjithmonë gjejnë profesione për fëmijët e tyre të vegjël…

Unë nuk do të doja, sepse po të filloj ta mendoj do të influencoja, kështu që do të doja të rritej dhe të vendosë vetë për rrugën që do të zgjedhë. Sigurisht që do ta drejtoj si prind në zgjedhjet, por nuk do të doja të bëhej këngëtar.

Pse të gjithë prindërit thonë kështu?

Po ta shohësh, vetëm doktorët dhe avokatët duan që fëmijët të kenë profesionet e tyre, sepse konsiderohen si profesione me lekë (qesh).

Është e vështirë të rritësh një fëmijë sot, jo vetëm për të mirat materiale por edhe për kaosin që na rrethon?

Djali im është i vogël për t'u përballur me këtë gjë dhe shpresoj që gjërat në të ardhmen të ndryshojnë. Është e vështirë ekonomikisht, pasi të rritësh një fëmijë është me të vërtetë shumë e kushtueshme.

Julka, cilat janë gjërat që të bezdisin më shumë në jetën e përditshme?

Mungesa e edukatës, nervozizmi sa del nga shtëpia. Janë këto gjërat e vogla që ta prishin humorin që në mëngjes, kaosi qoftë në ecjen me makinë apo si këmbësor, mosrespektimi i rregullave. Kam përshtypjen që jemi një shoqëri që nuk respektojmë rregullat. Duket sikur jemi të këqij me njëri-tjetrin më shumë sesa duhet.

Femrën shqiptare sot si e sheh?

Femrat i shoh goxha të ndryshuara në status nga sa kanë qenë. Shumë të ndërgjegjshme për potencialin që gëzojnë. Më pëlqen që kanë filluar të merren me veten dhe i shoh me kënaqësi së jashtmi dhe profesioniste të zonjat.

Si është konkurrenca mes femrave këngëtare?

Të them të drejtën nuk ia kam idenë, duke mos qenë vetë një tip xheloze, duke gëzuar edhe për suksesin e dikujt tjetër edhe pse jemi kolegë apo konkurrentë. Kështu kam qenë prej fillimit. Nuk jam dot e ashpër, nuk kam qenë kurrë xheloze. Ndaj nuk e di se ç'do të thotë të jesh xheloze për suksesin e tjetrit, ndaj nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje.

Ç'mendim ke për këngëtaret e reja që vazhdimisht kryejnë operacione plastike?

Unë mendoj që freskia e moshës është një gjë që nuk rikthehet. Do kalojnë ca vite dhe do kenë mundësi të bëjnë operacione. Të bërit e operacioneve kur nuk ka nevojë ose një problem, thjesht për qejf në mosha shumë të reja, mendoj se nuk duhet të ndodhin dhe jam kundra.

Julka të ka ngelur ndonjë ëndërr pa realizuar?

Në fakt kam pasur edhe një bllok, ku kam shkruar kur kam qenë e vogël dhe lexoja "dua të jem shou-girl, dua të jem modele, dua të prezantoj, të këndoj, të kërcej. T'i bëj të gjitha njëkohësisht" (qesh). Nga këto, të gjitha i kam realizuar dhe ka ngelur kërcimi. Kur isha e vogël kisha shumë qejf të bëhesha balerinë, por babi nuk ka dashur. Madje ia përmend edhe sot e kësaj dite, por meqenëse ekziston "Dancing with the stars" kam shpresa që mund ta realizoj edhe këtë dëshirë(qesh).

Do ta provoje?

Do ta provoja që të më bëhej trupi fibër, siç u është bërë gjithë konkurrenteve.

Nëse produksioni do ta lexojë këtë intervistë…

Po, ta ketë parasysh që Julka vitin tjetër do që të jetë konkurrente (qesh).
(Jonida Hitoveizi Gazeta Mapo)

Komente 0