TEKSTESHQIP

Klea Huta Vazhdon Karrierën Me Multi-Projekte

20-3-2014
Klea Huta Vazhdon Karrierën Me Multi-Projekte
E re dhe mjaft e angazhuar me projekte të cilat i kanë rezultuar gjithnjë të suksshme. Klea Huta, është tashmë një emër jo pak i lakuar sa i përket aktrimit dhe prezantimit. E ftuar në "Pink Report" ajo ka treguar eksperiencat e saj në kinematografi me serialin "Millenium" dhe së fundmi në teatër me rolin e Hënës në komedinë "Nusja në thes". E çiltër, e qeshur dhe elegante ja çfarë ka rrëfyer Huta në rubrikën e përjavshme të emsionit "Rreze Dielli" në televizionin "A1 Report".

Si u ndjetë kur ju propozua roli në komedinë "Nusja në thes" dhe si u përshtatët me të?

Momentin që mu propozua roli isha disi skeptike, pasi mendova nëse ishte audicion apo isha përzgjedhur unë për të luajtur rolin e Hënës. Por, më pas kur takova regjisoren Elma Doresin dhe aktorin e trupës Klodian Hoxhën u vendos se unë do të isha aktorja për të luajtur rolin e Hënës dhe sigurisht që u ndjeva e privilegjuar pasi ai është rol kryesor.
Sa ngjante Klea me Hënën?

Elma të paktën më ka thënë që në momentin që më ka parë "e gjeta hënën" çka do të thotë që ka një ngjashmëri mjaft të madhe me mua. Në çastin që mua më thonë në skenë Hëna, babai im në rol që luhet nga Klodian Hoxha, duket sikur është vërtetë emri im dhe jo emri i rolit.

"Nusja në thes" vijon prej disa javësh në teatrin e Metropolit, cila ka qenë feedback-u që keni marrë nga kjo shfaqje?

Ka ecur mjaft mirë publiku e ka pritur mjaft mirë dhe kjo është e dukshme edhe nga salla e cila është gjithmonë plot. Ndonëse, kanë qëlluar edhe ditë festash, sërish kërkesa për të parë shfaqjen nga publiku ka qenë mjaft e madhe.

Doja të ndalesha edhe tek bashkëpunimi me trupën, duke qenë se janë një trupë mjaft e bashkuar me në krye Elma Doresin duke ngjarë si një familje. Ju si u ndjetë me të hyrë në këtë familje?

Nuk ndjeva aspak distancë me ta, që në momentin e parë ndihej ky familjaritet. Kemi kaluar mjaft mirë pa kontradikta, pa mosmarrëveshje kjo është meritë edhe e Elmës, sepse unë e quaj atë siç kemi ne petagogun në shkollë. Nëse petagogu është i mirë dhe krijon marrëdhënie të mira me studentët atëherë dhe marrëdhëniet e tyre do të jenë të tilla.

Mendon se do të kesh projekte të tjera me Elmën?

Jemi në diskutime e sipër por, për momentin nuk kemi asnjë të konfirmuar megjithatë shpresoj që po.
Sa i përket pjesëmarrjes në serialin "Millenium", të shohim sërish si aktore por, këtë herë në televizion?

Ashtu siç erdhi roli në teatër edhe roli në televizion erdhi krejt rastësisht. Në fakt, unë isha në një orë mësimi në Universitetin e Arteve dhe na vjen një lajmërim rreth audicioneve për serialin e ri "Millenium", i cili do të xhirohej nga TVSH. Të them të drejtën nuk e mora me shumë zell dhe thashë nuk po paraqitem, por një petagoge e imja më tha: "Për çfarë ke ardhur këtu, shko dhe bëj audicionin". Pasi mora zemër nga ajo shkova dhe bëra audicionin. Nga interpretimi im profesor Besniku dhe disa të tjerë që ishin rrotull e pëlqyen interpretimin tim dhe pak kohë më vonë më lajmëruan që isha zgjedhur për të luajtur rolin e Grejsit. Ishte një rol dhe një film që realizoi ëndrrën tim për të luajtur në një film. Për më tepër isha studente në vitin e dytë në Universitetin e Arteve dhe nuk i jepet çdokujt kjo mundësi.

Mund të na e përkufizosh rolin e Grejsit?

Do t’iu rrëfej diçka. Shoqëria ime kur panë shfaqen dhe filmin i cili doli pak më vonë se shfaqja, më thanë: "Si ka mundësi që i gjen rolet gjithmonë si vetja" dhe mesa duket ashtu e dashka fati. Grejsi ka një ngjashmëri shumë të madhe me mua përpos faktit që është një vajzë provinciale, e ndrojtur, e brishtë jo se nuk jam dhe unë (qesh), por ka disa karakteristika të tjera që janë pjesë e personazhit dhe karakterit të asaj.
Le t’i rikthehemi krahasimit midis lojës aktoriale në televizion dhe asaj në teatër?

Janë emocione krejtësisht të ndryshme. Në teatër e merr aty emocionin apo duartrokitjet e publikut, i ke aq afër saqë edhe frymën arrin t’ia ndjesh. Ndërsa në film bën atë që të cakton regjisori, merr detyrën e bën dhe frytet i merr më vonë, por gjithsesi është një kënaqësi e veçantë.

Do të kesh projekte të tjera sa i përket kinematografisë?

Sa i përket kinematografisë sigurisht që më kanë ardhur oferta por, jam në një moment që duhet të dijë se çfarë të zgjedh se edhe kohën e kam shumë të limituar. Nuk kam shumë kohë të lirë dhe ofertat që më vijnë duan një angazhim të plotë.

Ke qenë prezantuese në dy nga eventet më të rëndësishme muzikore si Festivali i RTSH-së dhe "Top Fest-i", mund të na bësh një krahasim midis tyre?

Prezantimi i "Top Fest" është diçka më rinore, e ndjek një gamë e gjerë të rinjsh, ndërsa Festivali i Fundvitit janë njerëz më të ngritur në moshë ashtu edhe nga ana sociale, megjithatë mund të them se e gjej veten më mirë në formatet klasike siç është Festivali i RTSH-së.
Gjithë këto aktivitete në pak kohë dhe në moshë mjaft të re, më duket si një "luftë e jotja me kohën"?

E kam nisur karrierën time pa e ditur se ku do të arrinte. I kam marrë gjithnjë gjërat avash-avash kam dashur të hedh hapa të vegjël por, të sigurt dhe nuk jam penduar deri tani për hapat që kam hedhur, mendoj se ka ardhur çdo gjë në kohën e vet. Ndoshta kanë ardhur shumë por në kohën e vet(qesh).

Mund të na zbulosh diçka më tepër rreth projekteve të reja pasi në rrjetet sociale kemi parë disa foto…?

Më 31 mars do të nisë transmetimi i netëve të klipit shqiptar ku unë do të jem prezantuese.
(xh.k/shqiptarja)

Komente 0