TEKSTESHQIP

Luan Zhegu: Kënga Dhe Kompozimi Janë Jeta Ime

27-8-2012
Luan Zhegu: Kënga Dhe Kompozimi Janë Jeta Ime
E takova rastësisht në një nga lokalet në qendër të Tiranës duke pirë një gotë birrë për të shuar etjen. Si gjithmonë i rrethuar me miq. Buzëqeshjen karakteristike se heq kurrë, mbasi ai e ndjen se e bën më të afrueshëm.

-S'ka shkuar në plazh Luan Zhegu?

Ende jo. Jam i zënë me punë.

-Keni ndonjë bashkëpunim me fëmijët?

Ne jemi gjithmonë në punë, gjithmonë në kërkim. Mbase dhe del ndonjë bashkëpunim me fëmijët.

-Si erdhi ky lloj bashkëpunimi?

Ka qenë nismë e Aleksandër Lalos. Ishte ai që e krijoi këtë lloj situate. Në fillim u duk paksa e çuditshme, por që ngjiti menjëherë. Pas atij momenti të parë u pa se ky lloj bashkëpunimi është shumë i frytshëm.

-Ndiheni mirë kur këndoni mes fëmijëve që të shoqërojnë?

Shumë mirë. Çiltërsia e tyre të bën me krahë. Aq më tepër që zërat e tyre si të zogjve krijojnë një atmosferë të bukur. Sa herë këndoj mes tyre ndihem shumë i ri dhe shumë i motivuar.

-Ku ndihet më mirë Luani si këngëtar apo si kompozitor?

Me thënë të drejtën nuk i ndaj nga njëra- tjetra. Secila ka të veçantat dhe të bukurat e saj. Kënga të bën më prezent, të bën më publik, ndërsa kompozimi të jep më shumë kulturë, më shumë njohuri, më shumë siguri, më shumë perfeksion. Se di, por e them me bindje që sa herë ndjej se lodhem së kënduari filloj me kompozimin dhe anasjelltas. Janë si dy binjakë që s'bëjnë dot pa njeri- tjetrin.

-Më shumë çmime keni marrë si kompozitor?

Çmime të rëndësishme pasi dhe si këngëtar kam marrë shumë çmime. Kur je këngëtar ngacmohesh dhe më shumë për të kompozuar.

-Është pijedashës Luani?

Nuk para pi, por në një vapë si kjo ditë gushti, pi ndonjë birrë për të shuar etjen. Kam rregullat e mia në pije. Zëri duhet ruajtur. Atë që zoti ta ka falur me shumë bujari duhet ta respektosh. Kështu bëj dhe unë me zërin. Nuk abuzoj me pijen se zëri po të iku nuk kthehet më.

-Cila kuzhinë ju pëlqen?

Kuzhina tradicionale. Por edhe ajo italiane. Më pëlqejnë gatimet e zgarës, janë më origjinale.

-Po vetë gatuan Luani?

Me thënë të drejtën s'ia them shumë, pasi kam një grua që gatuan shumë mirë. Gatuan me shije sa në fund lëpijmë dhe thonjtë. Ndaj edhe sikur të dua, tundohem nga gatimi i saj dhe kështu jam lehtësuar nga kjo detyrë.

-Ku pëlqeni t'i kaloni pushimet?

Në det, por edhe në terren malor. Më pëlqen aty ku ndihem mirë. Por zakonisht në Shqipëri. Kemi si det ashtu dhe vende malore të shkëlqyera për të kaluar pushimet. Madje do të thoja ndoshta jemi ndër vendet e pakta në botë që me një sipërfaqe të tillë të kemi kaq terrene të ndryshme detare dhe malore për të bërë pushime të shkëlqyera.

-Luani i pandryshueshëm, bëni gjë palestër apo mbani dietë?

Unë bëj jetë normale, nuk e teproj në asgjë dhe nuk abuzoj kurrë. Ruaj raporte normale me ushqimin dhe me pijen. Lëviz sa herë kam mundësi.

-Zemëroheni shpejt?

Aspak. Jam njeri shumë i ekuilibruar dhe i qetë.

-Jeni xheloz?

Të them që s'jam fare se them dot (qesh).

-Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga kënga?

Kurrë. Pa të vetja më duket bosh.

-Si kanë qenë fillimet e para të skenës si kantautor?

(Qesh). Fillesat e mia kanë qenë që në moshën 12 -vjeçare. Ishte ajo moshë që jam përballur me spektatorin. Po të flasim me gjuhën muzikore kam qenë tenor. Më është besuar një rol nga regjisori i madh, që nuk jeton më Viktor Gjoka. Ai po vinte në skenë një operetë "Bilbili dhe kanarina" me muzikë të Llazar Nurçkës. Mua m'u besua roli kryesor nga vetë regjisori i madh, ku luajta rolin e bilbilit. Shfaqjen e kemi dhënë në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi", ku sot është Universiteti "UFO". Ka qenë një skenë shumë e bukur, veçse salla nuk merrte më shumë se 250 veta. Aty ka qenë dalja ime e parë. Pastaj vazhdova në një operetë tjetër. Këtu marrin fill ëndrrat fëminore ose më mirë të fshehtat, talentet që ka vetë njeriu brenda qenies së tij. Gjithmonë shikoja me dëshirë në Pallatin e Kulturës bateristë dhe kam qenë gjithmonë i interesuar për të. Fillova të ushtrohesha me nota dhe me pentagram. Në atë moshë kanton e lashë. Në moshën 17 -vjeçare unë inkuadrohem në Cirkun e Tiranës me udhëheqës artistik Ismail Rekën në bateri, ku punova 2 vjet si instrumentist. Në vitin '69, unë, meqë nuk pranova të futesha oficer, më çuan ushtar në marinë. Atje u caktova përgjegjës i grupit të rojeve të "Pashait". Pikërisht, në këtë vend të bekuar, ku natyra është treguar tepër bujare, në vitin 1969, me një firzamonikë kam kompozuar këngën "Vajza dhe deti". Aty, në brigjet shumë të bukura të "Pashait", në plazhet magjike të Orikumit. Nën mrekullinë e kaltërsisë së detit, valëve ledhatuese, ajrit të pastër, pranë repartit, gjithmonë shikonim një vajzë shumë të bukur, (emri i saj nuk më kujtohet), me një trup si beronjë, dhe me flokë të gjata. Një shoku im, Naum Gogo nga Durrësi (ka vdekur në moshë shumë të re), duke parë atë, magjepsej. Shushatej. Gëzohej. Hidhërohej. Në atë kohë, në plazhe nuk kishte shumë popullim, ajo ishte vajza e vetme që shkonte në plazh sa dhe deti gëzohej. Edhe deti sikur merrte frymë më thellë. Ishin momente të veçanta për shokun tim të mirë edhe për mua. Kur shihte atë bregut të detit ngazëllehej. Mrekullohej. Dhe filloi t'i thurte vargje..

"Bregut të detit një vajzë e menduar

Flokët era lehtë ja përkëdhel

Rreze dashurie hedh në zemër

O det, o det i kaltri det

Ti këngën time ma dëgjon

Ju ison mbani o valë

Për dashurinë zemra sot këndon…."

Edhe unë e dashurova atë këngë. Kishte motiv të fuqishëm. Në atë vend përrallor, pa shumë lëvizje dhe femra, një vajzë si shtojzavalle. Edhe sot i kam të freskëta ato momente.

-Kush ka qenë dita më e bukur skenike e Luan Zhegut?

-Emocion më të madh ose mund të them një lloj lumturimi në qenien time (ndoshta e pa shprehur) ka qenë në vitin 1995, kur unë kam kënduar një duet me Ledina Çelon "A e doni dashurinë?". Ishte një këngë e Osman Mulës me tekst të Jorgo Papingjit. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, ku mbas 7 vitesh unë iu ktheva skenës. Sepse ishin vitet e fluiditetit të mendimit njerëzor me emrin e koduar "tranzicion". Ishin vitet e hallakatjes së mendimit njerëzor ku çdo njeri donte të prekte atë që nuk e kishte prekur për 45 vjet. Unë përjetova një emocion shumë të madh. Isha në ethe. Mendoja se si do të më priste spektatori. Doja të kisha një performancë solide. Jetonim në një shoqëri me mendime të tejskajshme luajale, ku kënga duhet të ishte brenda të një shpirti njerëzor. Një koincidencë e jashtëzakonshme. Kush e përcolli në këtë mënyrë ?! Ka qenë 23 dhjetor i vitit 1975, kur Luan Zhegu këndon në skenën e Teatrit dhe të Baletit dhe merr çmimin e dytë me këngën "Shokët". Dhe në datën 23 dhjetor të vitit 1995, fiks mbas 20 vjetësh, në të njëjtën orë, Luan Zhegu, këndon përpara publikut shqiptar dhe prapë merr çmimin e dytë. Ndryshimi ishte se u këndua në Pallatin e Kongreseve. E veçanta tjetër, 6 minuta duartrokitje në vitin 1975 dhe 7 minuta e 2 sekonda në vitin 1995!!! Koha kishte bërë të vetën. Kënga ishte pjekur si vera.

-Ju keni kënduar në shumë skena të botës, kë do të veçonit në skenat e huaja, qoftë për emigrantët në Kosovë dhe vend tjetër që ju ka lënë mbresa edhe kur keni dalë nga skena?

Kur kam dhënë shfaqje në Kosovë në vitin 1979, kam dhënë shfaqje në Pallatin e Sportit të Prishtinës ku kanë qenë rreth 3 mijë spektatorë. Unë atë natë mund të kem dhënë mbi 2 mijë autografe. Dhe kur jam gdhirë të nesërmen nuk e kam ndjerë më dorën.

-Ju keni pasur dhe keni shumë fansa edhe fanse, a është bërë ndonjëherë Miranda xheloze ndaj fansave të tua?

-Jo shyqyr, nuk është xheloze.

-Po ju a jeni bërë ndonjëherë xheloz?

-Unë jam më shumë xheloz. Prandaj nuk e kam marrë gruan artiste.
(Albert Zholi Gazeta Telegraf)

Komente 0