TEKSTESHQIP

Luana Dhe “Luanët“ Po Vijnë...

19-7-2014
Luana Dhe “Luanët“ Po Vijnë...
Ajo është shumë seksi, në çdo stinë. Sigurisht, kështu pretendohet që të vijë edhe këtë verë. Luana Vjollca po bëhet gati për publikimin më të ri të këngës së saj. E kontaktuar nga "Shekulli" ajo zbuloi detajet më të rëndësishme: pjesëmarrjen e Marinës në videoklipin e këngës. Ende nuk kemi dëgjuar audion e këngës, por Luana dhe bashkëpunëtorët e saj, siç duket kanë vendosur të na i shpalosin të gjitha menjëherë. Luana, ka vetëm pak që ka nisur të merret me muzikë. Ajo, ka edituar dy këngët e para dhe e treta pritet që të dalë shumë shpejt.
Është simbolikë apo jo, këtë nuk e dimë. E vetmja gjë që mund t’ju zbulojmë në lidhje me "luanët" e tjerë, pjesë të këtij produksioni janë bashkëpunëtorët e saj në këtë këngë. Bashkëpunëtorët, sepse ata janë dy. Janë përzgjedhur me kujdes për të përcjellë kështu një impakt të fuqishëm në publikun shqiptar këtë verë. Njëri prej tyre është tejet i preferuar dhe përherë në fokus të këngëtareve, të cilat preferojnë bashkëpunimin me të. Është Dj. Blunt. Së fundi, këngëtari dhe krijuesi Blunt ka qenë target edhe i disa këngëtarëve të tjerë të njohur nga Shqipëria. Ndërkohë që, bashkëpunëtori i dytë në këtë projekt të ri muzikor të Luanës është Real 1, djali që për një kohë të shkurtër u bë i madh në të gjithë Shqiptarinë. Bashkëpunimet e tij të suksesshme me emra të njohur të botës së muzikës në Shqipëri, ndoshta e kanë shtyrë Luanën të mendojë se, një këngëtar i kësaj përmase i duhet këngës së saj të tretë.

Një këngë e re për policinë. E kënduar nga Florian Kondi, i njohur për publikun Dr. Flori dhe Mariza Ikonomi, por me imazhin e shumë figurave publike në vend, ishte një nga projektet muzikore ku të dyja motrat mund t’i gjeje bashkë. Nën titullin "Së bashku", në këtë klip sensibilizues dhe artistik në të njëjtën kohë, motrat Vjollca së bashku me personazhe të tjerë jepnin një mesazh sensibilizues për qytetarët. Të gjithë nga pak jemi policia e këtij shteti. Figurat publike si: Florian Kondi, Alket Islami, Ela Tase, Ema Andrea, Neritan Licaj, Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Jona Spahiu ishin gjithashtu personazhe të klipit sensibilizues. Por, ai që do të vijë është tërësisht ndryshe për Marinën. Do të jetë pjesë e videoklipit të këngës së tretë të motrës së saj, Luanës. Këtë na e konfirmoi vetë Luana gjatë komunikimit me të. Marina nuk do të këndojë, por vizualisht do të jetë pjesë e "Luanëve".
Edhe pse shumë personazhe të botës së muzikës u çuditën për kalimin e Luanës në muzikë, kur ajo guxoi të dilte në skenë me këngën "Tërbohu", ajo vijoi një rrugë, për të cilën ishte e bindur: rrugën e muzikës. Pa kaluar ende një vit, Luana u shfaq me një tjetër këngë, por këtë herë e shoqëroi produktin e saj muzikor edhe më një videoklip. Kritika filloi të zbutej me të, kur e pa edhe të performonte. "Askush s’do ta besojë’ ishte titulli i baladës, i këngës së saj të dytë, shoqëruar edhe me videoklip. Muzika është realizuar nga Elgit Doda, ndërsa tekstin e ka shkruar Olti Curri. Videoklipin e ka realizuar vetë ajo. Sigurisht që, bukuroshja e ekranit nuk pritej që protagoniste të videoklipit të saj të parë të kishte dikë tjetër. Mirëpo, diçka duket se ndryshon në klipin e saj të dytë. Ka dashur që pjesë e klipit të ishte edhe Marina.
"Faleminderit u them të gjithë atyre që më ndihmuan të realizoj dhe të shndërroj në vepra çdo ide, që kisha në kokë dhe çdo dëshirë që kishte zemra ime", thotë ajo. Luana thotë për videoklipin: "Kjo është kënga e shpirtit tim! Kënga me titullin "Tërbohu" ishte një eksperiment.

Është pikërisht kjo këngë e dytë ajo që më ngjalli sërish emocionet e para, teksa këndoja në festivale fëmijësh. Ky ishte një hap i vogël, por është shumë ndjesi e bukur kur realizon gjithçka për atë pasionin e madh që fshihet brenda teje". Dhe kush mund ta mendonte se, Luana kishte kënduar në festivale fëmijësh? Dhe kush mund ta besonte se, edhe kritikët më të fortë që kishte në daljen e saj të parë si këngëtare do të zbuteshin?
(Luela Myftari/Shekulli)

Komente 0