TEKSTESHQIP

Lul Dxe Godet Nga Zvicra Disa Reperë Kosovarë

6-6-2015
Lul Dxe Godet Nga Zvicra Disa Reperë Kosovarë
Reperi shqiptar "Lul Dxe" është bërë emër i njohur në Zvicër. Me një karrierë të repit mbi 20 vite, Lulëzim Axhami po u bën konkurrencë edhe repereve më të mirë zviceranë.
Gjatë viteve sa merret me rep, ai ka publikuar këngë, albume, videoklipe të shumta, ndërkohë këngët e tij jo rrallë kanë qenë në top listat zvicerane. "Shumë këngë të miqa janë pritur mirë nga publiku zviceran, si: "Räp ghört Mir", "Bisch mis nummer eis" ndërsa kënga "Baby Love Yaa" e realizuar para disa viteve, ishte për shumë javë në top listën muzikore të Viva-s dhe të top listës zyrtare të Zvicrës", thotë Lul DXe.

Këngët e Lulit janë në gjuhën gjermane, por në tekstet e tij ndodh shpesh që ai shton edhe ndonjë fjalë shqip. "Tekstet e këngëve të mia janë zakonisht nga jeta e përditshme që na rrethon si: politike, sociale, për rini, racizëm etj", është shprehur Luli, i cili në albumin e tij "Läbä mit Plan" ka edhe këngën "24 März 1999″ ku shpjegon dhimbjet e shqiptarëve dhe përshkruan torturat serbe dhe bombardimin e NATO-s. "Në të ardhmen kam dëshirë të realizoj edhe disa këngë në gjuhën shqipe", shprehet ai.

Reperi 34 vjeçar, ka pasur bashkëpunime të shumta me reperë të ndryshëm zviceranë si dhe me reperin e njohur në Gjermani, Kool Kavas. Ai ende nuk ka bashkëpunuar me ndonjë reper shqiptar, por nuk e përjashton këtë mundësi për të ardhmen.

Sipas tij, reperët shqiptarë janë shumë të talentuar, por disa i duken që nuk janë vetvetja.

"Mendoj se Kosova ka përparuar shumë në muzikë. Ka shumë talentë të muzikës rep dhe krenohem me ta. Por, një pikë të dobët e kanë disa reperë që luajnë një rol që nuk janë në të vërtetë, nuk janë autentikë, provojnë me qenë dikush e që në fakt nuk janë askush", ka thënë ai për "albinfo.ch", pa dashur të përmend emra.

Lul Dxe është në përfundim të këngëve të albumit të ri i cili pret të publikohet në muajin shtator, kurse njëkohësisht ai është në përgatitje edhe të videoklipeve të reja.
(albinfo)

Komente 0