Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Mahmut Ferati, Së Shpejti Albumi I Ri “Dikur”


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  10
[23-06-2014]
Këngëtari i njohur i muzikës popullore, Mahmut Ferati, nuk e ka në plan të ndalet. Edhe pse para pak kohësh në treg erdhi me këngën e tij të re ‘Mërgimtari’, ai në një bisedë ka treguar se është në përfundim të albumit të tij të ri, i cili sipas tij, së shpejti do të jetë në duart e publikut.

Ai sapo ka lansuar këngën e tij të re të titulluar ‘Mërgimtari’ dhe menjëherë po sjellë albumin e tij të ri. Kështu të paktën ka thënë vetë këngëtari në një bisedë. “Sapo kam lansuar këngën e re, para disa ditëve të titulluar ‘Mërgimtari’. Këtë këngë e ka punuar kompozitori Burim Krasniqi. Muzikën e kam bërë unë vetë, kurse tekstin e ka bërë Milaim Islami.



Tani jam në përgatitje të albumit tim të ri që do t’i ketë 8 këngë. Albumi do ta ketë titullin ‘Dikur’. Ja kam vënë titullin sipas këngës e cila gjendet në album e quhet ‘Dikur’, është një baladë e punuar nga Virusi me tekst të Fatmir Mujës”, ka thënë këngëtari në fillim të bisedës, ndërsa ka shtuar se albumi i tij i radhës shumë shpejt do të vijë në treg. “Albumi i ri do të dalë brenda javës. Producenti i këtij albumi është Shaban Rexhepi nga ‘Vizioni Libonia’” shton më tej këngëtari.

E ndonëse shpesh brenda albumeve ka edhe bashkëpunime, e sidomos kur bëhet fjalë për Mahmut Fehratin, të cilin jemi mësuar ta shohim në bashkëpunim me këngëtaren e njohur Shyhrete Behlulin. Por kësaj radhe edhe Fehrati tregon se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim në album.



“Në album nuk kam asnjë bashkëpunim, të gjitha këngët i kam solo, pra të kënduar nga vetë unë”, thekson ai duke shtuar se do të ketë bashkëpunime, por jo tani për tani. “Ndoshta gjatë festave do ta kem ndonjë bashkëpunim. Kam disa oferta nga kolegët për bashkëpunime, mirëpo ende nuk kam vendosur se me kë do ta bëj”.

Ndërkaq sa i përket mbrëmjeve muzikore, këngëtari tregon se është vazhdimisht i zënë, pasi që tani është edhe sezoni i mbrëmjeve muzikore. Kurse Mahmuti tregon se nëpër dasma asnjëherë nuk këndon vetëm. Sipas tij, kolegia Shyhrete Behluli është gjithmonë në bashkëpunim me të nëpër ahengje familjare. “Sa i përket mbrëmjeve muzikore tash kanë përfunduar ato nëpër diasporë, por kam në vende tjera ku ka shqiptarë.



Pastaj tash fillon sezoni i dasmave, muajin korrik e gusht e kam një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, duhet të jem i përgatitur në çdo aspekt. Unë nuk shkoj vetëm në dasma. Çdoherë jam bashkë me Shyhrete Behlulin dhe grupin ‘Dasmorët’”, ka treguar ai.

Ndryshe sa i përket përditshmërisë, Ferati tregon se edhe ajo është e zënë, pasi që përveç angazhimeve në muzikë, ai është edhe profesor në shkollën e mesme ‘Eqrem Qabej’. “Unë jam profesor në gjimnazin ‘Eqrem Qabej’ në Prishtinë dhe deri tash angazhimet me të mëdha kanë qenë aty, tash kemi pas punë dhe angazhime me provime e riprovime, pastaj me regjistrime e kjo zakonisht është edhe pjesë e përditshmërisë sime”, ka thënë në fund të bisedës njëri ndër emrat më të kërkuar të muzikës popullore në skenën tonë.
 (Arbnora Xani)

      Mahmut Ferati - Mërgimtari [Teksti dhe Klipi]


Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet