TEKSTESHQIP

Mahmut Ferati: “Aq Sa Kam Marrë Frymë, Aq Kam Kënduar“

25-12-2016
Mahmut Ferati: “Aq Sa Kam Marrë Frymë, Aq Kam Kënduar“
Kënga e Mahmut Feratit vjen përmes vlerave të shpirtit të tij artistik e burrëror. Këngët e tij, nuk sajohen kollaj, por ngrihen në tonalitete të përditshmërisë, nga ku zbresin në thellësinë dhe ndjenjat e bashkatdhetarëve. Personaliteti i tij si artist dhe si profesor në shkollën e muzikës "Eqrem Çabej" në Prishtinë, është dhe do ngelet i adhuruar, sepse gjithnjë na ofron elemente të artit, ndaj ne kemi nderin ta kemi në këtë intervistë ekskulzive...

Teksteshqip: Po e nisim intervistën në mënyrën më klasike: Kur keni kënduar për herë të parë një këngë?

Mahmut Ferati: Kënga është diçka e pandashme e jetës sime. Aq sa kam marrë frymë, aq kohë mbaj mend veten duke kënduar. Qysh prej fëmijërisë së herëshme i jam bashkangjitur vëllait tim Murtezanit, në atë kohë, gjatë mbledhjve të ndryshme nëpër "oda", e kështu dalëngadalë kam filluar edhe qasjen profesionale në muzikë.

Teksteshqip: Ç’përshtypje ruani nga fëmijëria juaj?

Mahmut Ferati: Fëmijëria ime karakterizohet si e thjeshtë, me mundime dhe vështirësi, e në po të njëjtën kohë e mbushur me lumturi dhe hare. Kam qenë pjesë e gjeneratës së cilësuar si të atillë që "jemi kënaqur me ato që i kemi pasur".
Teksteshqip: Pse vazhduat pikërisht artin muzikor dhe jo ndonjë degë tjetër. Thjesht se ju caktuan këtu, apo ka ndonjë arsye tjetër?

Mahmut Ferati: Siç e ceka edhe më herët, muzika është diçka që thjesht më fle në shpirt. Kisha fatin që ky talent i imi të gjejë përkrahje dhe motivim nga vëllai im, gjë që nuk më la të mendoj dy herë nëse do të vazhdoja në degën e artit muzikor apo ndonjë profesion tjetër. Ka qenë plotësisht dëshira ime që të zgjedh këtë profesion, dhe s'kam pasur asnjë dyshim se kjo zgjidhje mund të mos jetë e duhura për mua.

Teksteshqip: Në të vërtetë, ishin vite të arta ato kur këndonit bashkë me kolegët e vjetër Shaqirin, Milaimin, Bakiun, etj.?

Mahmut Ferati: Ndoshta fjala "e artë" është shumë e pakët për të treguar madhështinë dhe mrekullinë e asaj kohe.

Teksteshqip: Njohjet tuaja, si gjatë rinisë edhe pas saj, kanë qenë të shumëanëshme. Sipas jush, a është në nivel ruajtja e verave artistike?

Mahmut Ferati: Me atë çka unë cilësoj si vlerë artistike, fatkeqësisht nuk po e shoh mjaftueshëm të paraqitur në ditët e sotme. Fjala artist është një epitet shumë i lartë, që i lë në dorë një artisti të prezentojë jo vetëm vlera, por edhe një lloj edukate, duke u bazuar në faktin se shoqëria jonë ndikohet mjaft nga ato çfarë shohin. Ato të cilat sot po i prezentohen publikut shqiptar, jo vetëm se nuk janë vlera artistike, por janë edhe bastardim i tyre.
Teksteshqip: Te cilat këngë e gjeni më tepër veten?

Mahmut Ferati: Është e vështirë ta veçoj, sepse unë kam kënduar një thesar të madh të këngëve, duke filluar ato të më herëshmet që ishin: këngët e Pollogut, pastaj ato lirike, kurbeti dhe ato patriotike, po ashtu edhe ato moderne, siç janë baladat dhe ato ritmike, gjithmonë duke e ruajtur karakterin e këngës sime. Vështirë është t'i veçoj, sepse çdonjëra e ka kohën e vet.

Teksteshqip: Cilët bashkëpunëtorë ju përshtaten më së miri, pse?

Mahmut Ferati: Bashkëpunëtorë kam shumë, dhe me të gjithë që kam punuar kam kaluar shumë bukur. Në qoftë se flasim për bashkëpunimet me këngën, janë fillimet me vëllain tim Murtezanin, Baki Bakiun, Milaim Mezinin, Shaqir Cërvadikun, Shyhrete Behlulin dhe së fundi me Flora Gashin. Prej tekstshkruesve do ta përmendja Fatmir Mujën, Milaim Islamin, Sami Aliun, Ilir Beranin, e shumë të tjerë. Prej orkestruesve do të përmend Virusin, Burim Krasniqin, Rrahman Kryeziun, Shpejtim Gashin, Fatos Canollin etj. Produksionet: Vizioni Libonia, L&I Kompani, Emra Com etj.

Teksteshqip: Po me Shyhretin a do vazhdojë bashkëpunimi si dikur?

Mahmut Ferati: Patjetër, sepse bashkëpunimet me Shyhreten gjithmonë do të mbesin si ajka e këngës shqipe. Ndoshta ndonjëherë mund të vijë ndonjë pauzë që mos të krijohet ndonjë monotoni, mirëpo duetet tona asnjëherë nuk do të harrohen.
Teksteshqip: Nuk mund ta vazhdojmë më tej këtë bisedë, pa thënë diçka edhe për familjen tuaj! Ç'vend zë familja te ju?

Mahmut Ferati: Familja është gjëja kryesore, pa të cilën s'do të mund t'ia dilja asnjëherë. Bashkëshortja ime është shtylla e shtëpisë sonë, e cila për tërë këto vite ka qënë krahu im i djathtë në çdo rrugë dhe vendim që kam marrë. Fëmijët e mi, Argjenda dhe Graniti janë bekimi i jetës sonë, që çdo mëngjes më kujtojnë arsyen pse unë jetoj.

Teksteshqip: A mbani mend ndonjë çast komik nga jeta artistike?

Mahmut Ferati: Aq e lodhshme dhe e vështirë është jeta e një artisti, padyshim se është e mbushur edhe me shumë ndodhi interesante dhe qesharake. Ka shumë prej tyre për t'u përmendur, por më të shpeshtat kanë qenë gjatë turneve që kemi pasur në diasporë. Duke qenë i rrethuar me kolegë të mrekullueshëm siç kemi fatin t'i kemi, çdo ditë diçka qesharake dhe për t'u mbajtur mend ndodhin. Nuk besoj se do të mjaftonin 2-3 rreshta për t'i përshkruar momentet e tilla.

Teksteshqip: Me ç'projekte keni menduar të paraqiteni në xhirime të fundvitit?

Mahmut Ferati: Në xhirimet e fundvitit kam albumin tim me 8 këngë, por do të marr pjesë edhe me këngët "Shami boj pembe", "Dashuria çmenduria", "Kalle nanë kalle", "Hajde nuse t'priftë e mbara" dhe duetin që e kemi realizuar me Flora Gashin.

Teksteshqip: Z. Mahmut, ne ju falenderojmë që ndatë kohë e na nderuat me këtë bashkëbisedim dhe ju urojmë shëndet e sa më shumë suksese!

Mahmut Ferati: Suksese të mëtutjeshme në punën tuaj të palodhshme që bëni hulumtimin e këngës së mirëfilltë për ata artistë që e kultivojnë thesarin (brumin) e këngës shqipe. Uroj festat e fundvitit për gjithë shqiptarët dhe adhuruesit e mi. Realizim të dëshirave jetësore e kombëtare!
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Komente 0