TEKSTESHQIP

Marku, I Lumtur Pranë Norës

17-10-2014
Marku, I Lumtur Pranë Norës
Për vetëm një vit Mark Marku e cilëson si të suksesshme punën e tij. Kështu së paku ka thënë këngëtari Mark Marku, i cili në një intervistë për gazetën Tribuna gjithashtu ka folur edhe për rolin që ka muzika në ditët e sotme, angazhimet gjatë verës dhe për planet e së ardhmes.

"Kroacia kërkon talentin", ishte festivali i cili e nxori në pah talentin e Mark Markut. Në këtë festival, ai arriti që ta rrëmbejë vendin e tretë për t’u kthyer më pas në Kosovë ku edhe iu fut furishëm skenës muzikore. E që të jetë sa më profesional në punën e tij, ai studioi për muzikën. Nuk kaloi shumë kohë dhe Mark Marku u bë një emër shumë i njohur në estradë. Ai gjatë vitit 2013 u prezantua në festivalin shqiptar "Kënga Magjike" me këngën "Rrugës pa ty", e cila gjatë performancës është pritur shumë mirë nga publiku. Pas këtij projekti ai realizoi edhe shumë hite të tjera të siç janë edhe "Ato faqe" dhe "Veç me ty" dhe të dyja këto projekte u sollën me videoklipe të cilat u pritën shumë mirë nga fansat e këngëtarit. Por, ai nuk ndalon me kaq. Në një bisedë për gazetën Tribuna, Marku ka thënë se gjatë muajve të ardhshëm pritet që të lansojë projekte të reja muzikore për fansat e tij. "Tash gjatë sezonit vjeshtë-dimër, jam duke përgatitur disa projekte por ende nuk e di nëse do të lansoj një apo dy këngë", ka theksuar ai. Ndërsa sa i përket bashkëpunimeve me këngëtarët e tjerë Marku ka theksuar se nuk do të ketë ndonjë bashkëpunim më dikë, pasi që do të jetë shumë i angazhuar me koncerte të cilat do të mbahen jashtë vendit. "Nuk do të ketë ndonjë bashkëpunim, së paku jo njëherë përnjëherë. Do të jem pjesëmarrës në shumë koncerte të cilat do të mbahen jashtë vendit siç janë në Zvicër, Gjermani, Itali e në shumë shtete të tjera" ka shtuar ai.

Nuk ka shumë kualitet tek artistët e rinj

Ndër të tjera, këngëtari ka folur edhe për vlerën e muzikës në ditët e sotme dhe i pyetur se me çfarë note prej një deri në pesë e vlerëson muzikën e tanishme shqiptare, Marku ka thënë se atë e vlerëson me numrin 2, sepse sipas tij, ka shumë artistë të rinj në skenë por shumica prej tyre nuk kanë të bëjnë aspak me muzikën. "Ka shumë artistë në skenë po pak prej tyre janë të talentuar, shumica nga ta muzikën e kanë pasion por nuk mjafton vetëm pasioni, pasi që duhet të kenë edhe talent dhe potencial të të kënduarit. Sipas mendimit tim Kosova ka shumë artistë të rinj por shumica prej tyre është gjynah kur i shoh në ekranet tona televizive. " ka përmendur ai. Ndërsa i përket sezonit veror artisti Marku ka thënë se është ndarë mjaft i kënaqur me suksesin e tij që e ka pasur. "Sa i përket verës unë jam ndarë mjaft i kënaqur me arritjet e mia pasi që ka vetëm një vit prej që kam filluar me muzikën këtu dhe jam pritur mjaft mirë", ka thënë ai. Marku ka folur edhe rreth jetës së tij private e sidomos për lidhjen e tij me aktoren dhe këngëtaren Nora Muçaj, dhe ka thënë se lidhja e tyre vazhdon ende, se kanë një jetë shumë normale të një çifti, por diçka konkrete ende nuk ka ."Po lidhja me Norën vazhdon ende, sikur të gjitha çiftet e tjera kurse diçka tjetër më konkrete ende nuk ka", është shprehur këngëtari.
(Indeksonline)

Komente 0