>
BIOSHQIP

Merita Halili Rikthehet Në Skenë Tek “Sofra Tiranase”

30-11-2012
"Sofra Tiranase" mbërrin në edicionin e 15 në Pallatin e Kongreseve. Në mbrëmjen e sotme në skenë do të ngjiten emrat më të mirë të krijimtarisë popullore. Një aktivitet artistik që tashmë ka krijuar traditë në Tiranë edhe këtë vit nuk kishte se si të mungonte krijimtaria e popullore tiranase, por e veçanta është se këtij koncerti ashtu si në çdo vit nuk do ti mungojnë dhe sonte emrat e njohur që jetojnë jashtë Shqipërisë, që janë ftuar në këtë koncert për të interpretuar para publikut në Pallatin e Kongreseve. Në skenë do të jenë këngëtarja e njohur Merita Halili, e cila vjen enkas nga Amerika për të interpretuar sonte në "Sofrën Tiranase" me këngët më të mira të repertorit të saj popullor, por skenës i vijnë dhe zërat e artistëve të tjerë si Pajtim Struga, Manjola Nallbani, Bujar Çiçi, Iris Bega, Ilir Tafaj, Greta Zani, Arben Sinani dhe Mira Bodinaku. Këta janë dhe këngëtarët që vetëm dy ditë pasi ka kaluar festa e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku në skenën e Pallatit të Kongreseve u shfaq koncerti "Rrugëtimi i kombit", premtojnë një tjetër atmosferë të ngrohtë me krijimtarinë popullore shqiptare. Mes emrave në koncert padyshim që spikat emri i këngëtares së njohur popullore Merita Halili, e cila edhe pse ka vite që jeton në Amerikë nuk i ka munguar "Sofrës Tiranase". Emri i kësaj këngëtareje vijon të mbetet në publik si një prej zërave më të fuqishëm në këngën popullore të Shqipërisë së Mesme. Në prononcimet që këngëtarja Merita Halili ka bërë në media sa herë që ka ardhur në Tiranë, gjithmonë ajo e ka vlerësuar këtë aktivitet popullor, që sipas saj shpalos krijimtarinë e pasur folklorike, atë të traditës dhe tabanit kombëtar. Si çdo vit në "Sofrën Tiranase" nuk mungojnë dhe të ftuarit dhe sonte para publikut mes të ftuarve janë dhe instrumentisti popullor Raif Hyseni, këngëtari Haxhi Maqellara, etj. Në "Sofrën Tiranase" që do të startojë sonte në orën 18.00 në Pallatin e Kongreseve nuk do të mungojnë dhe formacioni orkestral i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe të tjerë orkestrantë të njohur e profesionistë me një karrierë të gjatë e të suksesshme në skenë. Gjatë këtyre viteve të fundit krijimtaria popullore shqiptare ka pësuar jo pak dëmtime, ku shumë këngë të huazuara janë prezantuar si këngë shqiptare, por në 15 vite "Sofra Tiranase" ka ditur të tregojë se folklori shqiptar është vetëm ai i traditës, i tabanit kombëtar dhe ai duhet ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi. "Sofra Tiranase 2012" ka drejtor artistik Arben Llozin dhe organizohet nga shoqata "Tirana" me kryetar Arben Tafaj, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës. Jo vetëm spektakël, por dhe çmimet "Tirana 2012" Përveç elementëve artistikë popullorë gjatë spektaklit "Sofra Tiranase" sonte në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve do të jepen edhe çmimet e vitit "Tirana 2012" , për disa nga personalitetet me kontribut të spikatur në sfera të ndryshme të krijimtarisë letrare, publicistikës, artit, etj. Ndërkaq që si i çdo vit interpretimet e këngëtarëve të njohur të këngës popullore në këtë spektakël do të jenë live. Një vit më parë ky aktivitet artistik ngjiti në skenë këngëtarët Artjola Toska, Pajtim Struga, Amarda Akraxhiu, Valbona Mema dhe Iris Bega, Sinan Hoxha. Nuk munguan në këtë aktivitet dhe të ftuarit si këngëtari i mirënjohur kosovar Ramadan Krasniqi, Fatos Qerimi, Banda e Tiranës nën drejtimi e Fatmir Foçit, Grupi Italian "La Resistenza" , studentët e koreografisë së Akademisë së Arteve nën drejtimin e Kozeta Bakiut.
(Gazeta Sot)

Merita Halili Rikthehet Në Skenë Tek “Sofra Tiranase”