TEKSTESHQIP

Mjellma Berisha: “Mbaj Koncert Edhe Në Shtëpi“

25-7-2014
Mjellma Berisha: “Mbaj Koncert Edhe Në Shtëpi“
Ka hyrë fuqishëm në skenën muzikore dhe nuk e ka në plan të ndalet. Është kjo Mjellma Berisha, vajza e cila u bë e njohur në ‘Voice of Albania’, e që po punon shumë që në masë të vijë gjithmonë e freskët dhe me risi.

Ajo në një bisedë për gazetën Tribuna ka shpalosur se është duke punuar në një projekt të ri, ndërsa ka theksuar se me mbrëmje muzikore qëndron shumë mirë.

E pa lënë anash Mjellma ka treguar për lexuesit edhe për jetën e saj private, përditshmërinë, por edhe për familjen për të cilën thotë se është e pazëvendësueshëm për të.

Cilat janë angazhimet aktuale rreth muzikës?

Si gjithmonë angazhimet e mia vazhdojnë me mbrëmje të ndryshme muzikore, pranë atyre që e pëlqejnë muzikën time.

Me çfarë projektesh artistike mund t’ju takojmë së shpejti në treg?

Së fundmi kam prezantuar festivalin mbarëkombëtar për fëmijë i cili mbahet në Shkodër, dhe ishte edicioni i 52-të me radhë. Një festival me traditë dhe kulturë muzikore për fëmijë. Dhe pritet të transmetohet shumë shpejt. Pastaj kam në mendje një projekt tjetër muzikor, por që nuk dua të shpalos asgjë rreth detajeve sepse ende nuk është asgjë konkrete.

Nëse do të keni ndonjë këngë të re a do të presim videoklip nga ju?

Tani ka ardhur një kohë ku kënga pa videoklip nuk po ka shumë peshë. Me kënaqësi do t’ua sjellë me videoklip pse jo.
Ndonjë bashkëpunim me ndonjë artist shqiptar?

Bashkëpunimet janë gjithmonë një gjë e bukur dhe mjaft e përdorur kohën e fundit edhe në vendin tonë. Besoj që do të kem edhe ndonjë bashkëpunim në të ardhmen.

Sa jeni e zënë me mbrëmje të ndryshme muzikore?

Mbrëmje të ndryshme kam mjaft, ndërsa koncertet nuk mund të them që organizohen shumë tek ne. Tani mbrëmjet dhe koncertet pothuajse janë bërë një gjë e njëjtë në vendin tonë.

Përditshmëria juaj si plotësohet?

Dita ime fillon shumë herët, duke u zgjuar në orën 7. Filloj punën në ora 8 dhe përfundoj në 16:00, pastaj vazhdoj në fitness, ndonjëherë takohem edhe me shoqërinë. Kur kam kohë në mbrëmje shikoj pak TV, apo edhe dal në ndonjë lokal apo kinema. Kur kam muzikë, mundohem me pushu sepse muzika e do që të jesh e pushuar në mënyrë që të kesh mundësi të japësh maksimumin.

Familja dhe jeta private?

Kam një vëlla Gëzimin, dhe motra e vogël Rrita. Vëllai jeton në Vjenë, ku atje ka mbaruar studimet për operë, dhe vazhdon të qëndrojë atje me angazhimet dhe shfaqjet e ndryshme që i ka. Me motrën jetojmë bashkë në Prishtinë, ndërsa prindërit e mi jetojnë në Pejë. Është e vështirë kur pothuajse gjithë familja janë të shpërndarë. Mundohem që çdo moment të lirë ta kaloj me ta, sepse familja është e pazëvendësueshme për mua. Përndryshe jemi familje që e dashurojmë muzikën dhe sa herë mblidhemi mbajmë koncert në shtëpi (qeshet) . Jetën private nuk kam dëshirë ta ndaj shumë me të tjerët.
(Arbnora Xani)

Komente 0