TEKSTESHQIP

Neki Emra, Besnik Ndaj Stilit Të Tij

14-3-2013
Neki Emra, Besnik Ndaj Stilit Të Tij
Këngëtari Neki Emra ka sjellë videoklipin e dytë në karrierën e tij muzikore. Ai vazhdon t’i qëndrojë besnik stilit të baladave me të cilin edhe po arrin të jetë i suksesshëm. Kënga e tij e re është "Me heshtje mos më dëno".

Këngëtari prizrenas Neki Emra, ka realizuar videoklipin e këngës "Me heshtje mos më dëno". Ky është videoklip i dytë i këngëtarit.

Në një bisedë për Express, Neki tregoi që kënga është e realizuar nga kompozitori Florent Boshnjaku, për të cilin thotë se ka respekt të veçantë dhe e çmon punën e tij.
Ndërkaq videoklipi është punuar nga PinkMoon Creative.

" Ideja e videoklipit ka qenë e produksionit, në përgjithësi, mirëpo edhe kemi bashkëpunuar duke gërshetuar mendimet në mënyrë që të arrijmë në një realizim final të bukur" , tha ai duke shtuar që "në një videoklip është i rëndësishëm skenari dhe mesazhi që përcjell ai videoklip dhe jo vetëm pamjet dhe personazhet."

Për sa i përket komenteve dhe kritikave pas publikimit të videoklipit këngëtari thotë se janë të mira.

"Çdo ditë më vijnë mesazhe në Facebook dhe e-mail duke më komplimentuar madje në disa mesazhe njerëzit më tregojnë që kënga ka arritur edhe emocionalisht të depërtoi te ta".

Nekin kemi mundur ta shohim dhe dëgjojmë shpesh nëpër mbrëmje muzikore në qytete të ndryshme të Kosovës, por jo edhe ta shohim nëpër televizione.

Ishin pikërisht publiku dhe adhuruesit që e kishin shtyrë të jetë prezent në skenën muzikore me këngë të tij dhe videoklipe.
"Pothuajse 5 herë në javë jam në mbrëmje muzikore. Në njëfarë mënyre e kam ndjerë edhe përgjegjësi për adhuruesit pasi që shumë shpesh kanë kërkuar nga unë të bëj një këngë bashkë me videoklip. Gjithashtu dua që këtij tregu muzikor t’ia ofroj vlerat e mia dhe të krijo një stil më të veçantë", tha Emra.

Ai insiston se do t’i mbetet besnik zhanrit të tij.

"Nuk do ta ndryshoj stilin, jo pse nuk më pëlqejnë zhanret tjera, mirëpo ky stil është ai që unë e kam gjet veten në të dhe që kam krijuar adhuruesit e mi po me këtë stil, andaj mund të ndodhë që të bëjë ndonjë këngë më dinamike në të ardhmen, po jo edhe të ndërroj stilin që e kam".

Përndryshe, Neki Era ka qenë dy herë fitues në festivalin "Zambaku i Prizrenit" si dhe vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Top Fest. " E çmoj shumë këndimin live, andaj edhe kam marr pjesë në këto festivale", tha ai. Por, thotë se ende nuk e di a do të jetë pjesë ndonjë festivali këtë vit.
Neki Emra
Me Heshtje Mos Më Dëno
[Teksti dhe Klipi]
(Express)

Komente 0