TEKSTESHQIP

Orgesa Zaimi: Ju Rrëfej Për Martesën Time

9-7-2012
Orgesa Zaimi: Ju Rrëfej Për Martesën Time
Rebele, çapkëne, stylish, retro, rok… Shumë mbiemra, për vetem një emër: Orgesa! Cila është vajza që erdhi nga Poliçani dhe ndërtoi një karrierë të suksesshme në Tiranë, jo vetëm si këngëtare, por njëkohësisht si një nga personazhet më të dashura radiofonike? Rrugëtimi drejt afirmimit, dashuria, familja, ëndrrat dhe projektet ambicioze, që nuk përjashtojnë as suksesin ndërkombëtar!

Intervista

Si je zgjuar sot në mëngjes, me apo pa atë humorin që ty të karakterizon?

Jam zgjuar herët sot, si gjithmonë dhe ndihem shumë mirë; im atë, qëkur isha e vogël, më thoshte: "Kush zgjohet herët në mëngjes, ka dy fate (kismete) që e presin. Kush zgjohet vonë, s`ka asnjë fat të sigurt".

Ke një program të përditshem në radion "Club Fm". Kur nuk zgjohesh në humor, sa pasqyrohet kjo në program?

Ka raste që zgjohem vonë nëse një natë më parë kam qenë duke kënduar deri vonë dhe kur zgjohem në mëngjes, ndihem e dërrmuar dhe pa frymëzim, por në momentin që dal "on air", çdo gjë negative zhduket si me magji.

U bë një kohë e gjatë që të dëgjojmë në "Club Fm", por më përpara ti ke pasur një tjetër program tëndin në "Kiss Fm". Kjo do të thotë se radioja është një pasion "full time" për ty?

Ka qenë pasion, është ende, por bën pjesë në përditshmërinë time tashmë. E kam nisur këtë experience me disa gjëra të vogla në 2005-ën, në radion "+2", por më pas u shkëputa, sepse impenjimet me këngët nuk më linin të bëja radio. Këto vitet e fundit e kam ekonomizuar kohën dhe bëj atë çfarë kam dashur gjithmonë.

Nuk të ngop muzika, që ke kaluar edhe te radioja?

Nuk ka lidhje vetëm me ngopjen apo mbingopjen. Nëse një këngëtar ose muzikant di përveç se të bëjë muzikë, edhe ta prezantojë apo transmetojë atë me anë të fjalëve mbrapa një mikrofoni në radio, muzika merr një dimension krejt tjetër, më të plotësuar, më të seleksionuar dhe unë për këtë ndihem në botën time edhe në radio. Kam fatin që, përveç zërit tim si këngëtare, të kem dhe një zë të përshtatshëm radiofonik. Me ta zbuluar këtë dhunti, nuk e lashë pa e përdorur.

Midis muzikës dhe radios, cili është "burri" dhe cili "i dashuri"?

Unë nuk dua një "burrë" dhe një "të dashur"; dua ose njërin, ose tjetrin. Të dy nuk i përballoj dot (qesh), por mund t`ju them se të dyja, edhe muzika edhe radioja, e balancojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën tek unë në mënyrë të përkryer, aq sa tashmë nuk i ndaj dot nga vetja.

Je në momentin tënd më të mirë. Emision radiofonik, muzikë live në klubet e natës, hite, klipe… Sikur të nesërmen të zgjoheshe pa të gjitha këto (larg qoftë!), mendon se do ta përballoje dot?

Mendoj se po! Në horoskop jam shenja e Luanit dhe jam me të vërtetë luaneshë në aspektin e ambicieve pozitive, luajalitetit, aftësisë për të përballuar pothuajse gjithçka, ndonëse jam dhe shumë e butë brenda meje. Edhe nëse nuk do të kasha çfarë kam tani, në natyrën time do gjeja një zgjidhje që të nesërmen për ta bërë jetën time të jetueshme dhe të lumtur. Për aq kohë sa kam familjen dhe njerëzit që dua afër, të gjitha ato që u përmendën më sipër, mund dhe të mos i kem dhe përsëri të jem e lumtur.

Ku e gjen dashurinë dhe motivin për të jetuar jashtë gjithë këtyre impenjimeve?

E gjej në besimin e madh që kam në Zot, te familja ime që më mbështet pa limit, te partneri im dhe te ndjesitë që më përcjell çdo ditë, jam një njeri pozitiv (të paktën kështu e konsideroj veten) dhe më pëlqen që këtë jetë, sado e shkurtër apo e gjatë të jetë, ta ndërtoj dhe jetoj më së miri, brenda mundësive që më ofrohen.

Ndonjëherë krenohesh në "Facebook" me darkat e tua të shijshme, por kemi vënë re se ato nuk janë të shpeshta. Për shkak të angazhimeve, ndoshta! E ke marrë ndonjëherë inat punën tënde që të merr kaq shumë kohë?

Më pëlqen që kur jam në shtëpi të jem një shtëpiake e mirë. Gatimi është diçka që e kam urryer kur kam qenë e vogël, kur mami më thoshte seduhet të mësoja të gatuaja që mos të haja gjithnjë jashtë dhe kur u largova nga shtëpia si një vajzë e pavarur, e falënderova dhe vazhdoj ta falënderoj për çdo gjë që më ka mësuar në kuzhinë (edhe pse ajo gatuan shumë herë më mirë se unë). Ndodh shpesh në fakt, që për arsye të ardhjes vonë në shtëpi të jem e lodhur për të gatuar, por gjithsesi gjithmonë përpiqem që të ha shëndetshëm.

Cili ka qenë momenti që e ke ndjerë veten tamam në treg?

Menjëherë pas "Star Academy"- së, ndjeva që njerëzit më njihnin në rrugë, më tregonin që më kishin pare në televizion dhe menjëherë unë dhe Ronela morëm pjesë me duetin tone "Requiem" në "Kënga Magjike 2006". Ai ka qenë momenti i parë që pasi fituam një çmim e dolëm në finale, kishim në dorë cd-në e "Këngës Magjike" me emrat tanë. Më pas jam përpjekur shumë vetëm, që të krijoj imazhin tim, pa ndërhyrje producentësh apo menaxherësh, që më duken si ndërhyrje kirurgjikale (:P).

Videoja e këngës "Stacion" në 2008- ën, ka qenë momenti i dytë dhe i parë për mua si soliste e pozicionuar në tregun e muzikës shqiptare.

Aktualisht ke një projekt tepër ambicioz, me një producent në Zvicër. Dominique Meyer është shprehur për ty: "Me Orgesën u bë realitet ëndrra ime për të pasur një zë që të performonte kompozimet e mia"…

E, kur e dëgjoj tani më duket krejt e natyrshme, por nëse do më kishte thënë dikush diçka të tillë para pesë ose gjashtë vjetësh, do thosha: "Seriozisht e ke ti, apo po tallesh?". Eksperienca e Zvicrës ka qenë deri më tani një shanc dhe po punoj që të kem një të ardhme të sigurtë në këtë aspekt. Të gjithë ëndërrojmë,sidomos ne këngëtarët vdesim të këndojmë në skena të medha, stadiume, qytete etj. Duke qenë se është falas po vazhdoj të ëndërroj (:P).

Me Dominique po realizoni një album në anglisht. "Every minute" që është klip që shfaqet dhe në "Supersonic", është pjesë e këtij albumi?

Albumin e përfunduam këtë janar; ai përmban 13 këngë në anglisht të kompozuara dhe prodhuara nga Domenique, pasi mbaroi masterizimi në një studio të Los Angeles-it, që quhet "The Lodge" bashkuam edhe videon "Every Minute", fotot e realizuara në Tiranë nga Edvina Meta, web site-in tim www.oz-rocks.com dhe kemi bërë tashmë një e-book prezantimi për shtëpitë diskografike që janë të interesuara të blejnë këtë produkt.

Në ç`pikë jeni me këtë album?

Ke një ide se kur mund të jetë gati dhe sa i takon tregut ndërkombetar, çfarë roli do të luajë ky album? Nuk është menduar për një treg shqiptar, pasi vet producenti është zvicerian dhe ai synon një treg më europian dhe amerikan. Ai ka jetuar për 15 vjetë në Los Angeles ku ka punuar edhe për studiot Universal, si tekstshkrues dhe "sound engineer" (inxhinier zëri). Ka shumë plane për mua dhe unë jam e hapur për të bashkëpunuar me të, vetëm se në këtë moment të jetës nuk e di nëse

do duhet edhe të jetoj jashtë. Kjo do ishte pak e vështirë, duke qenë se e kam të rëndë të largohem për shumë kohë nga Shqipëria.

Për të gjithë ata që të kanë qejf, t`ua presim shpresat. Je lumturisht e martuar!

Ditën kur bëra celebrimin në bashki, ku ndryshova statusin nga beqare në "e martuar", më erdhën shumë mesazhe nga miq e të afërm. Një prej tyre më bëri shumë përshtypje.

E dërgonte mikesha ime ruso- amerikane Liza dhe shkruante:

"Ëndrrat e fansave të tu meshkuj u shkatërruan sot, të trashëgohesh"

(qesh). Nuk më pëlqejnë këto deklaratat me parrulla: "Jam e lumtur, jam e dashuruar, jeta për mua paska qenë", prandaj ndava me ju një moment të ditës kur i thashë Mentorit, PO.

Cila është historia juaj e dashurisë, duke filluar nga njohja dhe deri dje në darkë?

Është një histori e paparashikuar për ne, duke qenë se njihemi që prej tetë vitesh dhe kemi qenë miq të mirë. U kurorëzua me lidhjen tone në 25 prill 2007 dhe dje në darkë festuam 5 vjetorin e kësaj lidhjeje që pas 5 vjetësh vazhdon të jetë solide. E festuam me një gotë verë dhe një darkë të shijshme bio, përgatitur nga unë.

Mentori është mashkulli intelektual, ti ylli i showbizz-it. Shumë ndasi deri në këtë pikë. Çfarë ju bashkon?

Na bashkon dashuria që ndjejmë akoma për njëri-tjetrin dhe nuk më duken shumë ndasi, pasi ne plotësohemi shumë mirë bashkë, edhe me intelekt, edhe me show. Bashkimi ynë ka ardhur shumë natyrshëm… në fillim mendonim se nuk do funksiononte midis nesh, për shkak të

natyrave krejtësisht të ndryshme dhe specifike. Por deri tani jemi mirë! Formojmë një çift, siç e thashë më sipër, solid. Jo se nuk kam fjalë të tjera për ta përshkruar, por me të vërtetë jemi të tillë.

Je një nga zërat më popullorë dhe të kërkuar të muzikës live… Mendon se jeta e natës është e bukur në Shqipëri? Ti argëtohesh?

Kam gjashtë vjet që e bëj këtë punë dhe nëse më ndodh që të rri ndonjë fundjavë pushim, është e padurueshme, sepse jam mësuar tashmë të këndoj fundjavave. Është argëtim, është qejf, sepse bëj atë që di të bëj më mirë dhe publiku i ambienteve ku këndoj është shumë i mirë, shumë më ndryshe nga publiku i festivaleve apo i skenave të mëdha. Janë shumë më afër me këngëtarin dhe grupin që luan, e shijojnë muzikën dhe e dëgjojnë live shumë afër tyre, pa na pareë në ndonjë piedestal të lartë.

Dallon për një stil shumë interesant dhe origjinal. Ku e gjen frymëzimin përsa i përket stilit?

Kam shumë ikona mode apo bukurie që i pëlqej, si Audrey Hepburn dhe sado klasike mund të tingëllojë, Marylin Monroe. Por çdo gjë e përshtat me fizikun dhe natyrën time. Nuk jam ndjekëse fanatike e modës dhe tendencave, më pëlqen më shumë të evidentohem me stil të veçantë, pa shumë huazime.

Pak muaj më parë ti ke konkuruar për të përfaqësuar Zvicrën në Eurovision. Çfarë përfaqëson për ty dhe karrierën?

Ka qenë diçka që ndodhi shumë rastësisht, menjëherë pasi u largova nga Zvicra. Domenique më sugjeroi që të fusnim në garën atje një nga këngët e albumit në anglisht dhe kishim edhe videon gati të "Every minute". Pritshmëria ime ishte shumë e ulët, sepse asnjëherë s`e besoja se mund të dilja në finalen e festivalit zvicerian, duke qenë shtetase shqiptare. Edhe pse nënshtetësia nuk ishte kriter i domosdoshëm për të marr pjesë në këtë spektakël. Dihet se zviceranët janë shumë selective për këtë festival. Unë mora pjesë por nuk fitova dhe ishte një experience që nuk mund të flas me superlativa, por ishte diçka që e bëra ndër të tjera në karrierën time. Ishte një përpjekje!

Po këngën tonë në Eurovizion sivjet, Ronën, si do e komentoje?

Më pëlqen stili dhe personi artistik i Ronës dhe kënga e reflekton çdo gjë të saj. Mendoj

se do të jetë e favorizuar këtë vit për shumë arsye… E para dhe më e rëndësishmja, duke qenë se ai është një festival gjeopolitik, do jetë hera e parë që një këngëtare kosovare përfaqëson Shqipërinë dhe shkel për herë të parë atje, stili i këngës hyn në ato thellësisht jo komercialet në atë festival, gjë që unë them do jetë e vlerësueshme nga kritika.

A është dhe për ty, si për shumë këngëtarë të tjerë shqiptarë, "Eurovisioni" një skenë që e dëshiron?

Unë kam qenë në një nga skenat e "Eurovizionit" në Moskë, në 2009-ën, ku isha backvokalist-e e Kejsi Tolës; isha në grupin që përfaqësoi atë vit Shqipërinë, edhe pse jo si soliste, kuptova shumë aspekte të këtij festivali. Nuk e kam pikësynim të them të drejtën. Është diçka që shkëlqen për një moment, jo për një kohë të gjatë. Por në vendin tonë, ka në mënyrë të çuditshme shumë impakt.

Folëm për muzikën, pak për martesën dhe shumë për projektet

në anglisht. Çfarë tjetër na mbeti pa thënë?

Le t`ia lëmë kohës të flasë tani. Duke ju falenderuar për intervistën, ju them: Mirëmëngjes Mirëdita dhe Mirupafshim(buzëqesh)!
(Gentian MINGA Revista Shqip)

Komente 0