Më mbaj mend (për 1 muaj)


Petrit Lulo: Dueti Im Me Këngëtaren Farie Zogaj


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  32
[12-07-2012]
Këngëtarin me zë magjik Petrit Lulo dhe klarinetistin me famë "Noken e Beratit" i takova rastësisht në Lushnje. Unë isha nisur për në Festivalin e 5 Ndërkombëtar të Bylisit, që do të zhvillohej në qytetin antik me të njëjtin emër, ndërsa ata ishin nisur të dy për në Sarandë, për në festivalin Folklorik "Çamëria". Kisha kohë pa i takuar dy miqtë e mi dhe biseda rrodhi këndshëm, për muzikën, por, edhe për aktivitete që ata kanë ndërmarrë kohët e fundit.

-Për ku është nisur Petriti?

Bashkë me Noken jemi nisur për në Festivalin Folklorik "Çamëria", që do të zhvillohet në qytetin bregdetar të Sarandës. Ky Festival thuajse po bën vitin e pestë dhe është i përvitshëm. Kam marrë pjesë në disa festivale dhe jam ndjerë mirë çdo herë.

-Me çfarë kënge do të paraqiteni këtë herë?

Ah! Këtë herë do të paraqitem me një këngë të re, një këngë shumë të bukur që me të vërtetë, mua më ka bërë për vete. Është një duet, me tekst për kombin, që do ta këndoj me këngëtaren e mirënjohur kosovare Farie Zogaj.

-Keni kënduar herë tjetër me këtë këngëtare?

Jo është hera e parë dhe jam impresionuar nga zëri i saj. Besoj se, do të jemi një duet simpatik për veçantinë që ka teksti.

-Kush janë autorët e këngës?

Tekstin e ka bërë poet i mirënjohur Arben Duka, ndërsa kompozimin dhe orkestrimin e ka bërë miku im Alban Hoxhaj. Orkestrimi është i nivelit të lartë.

-Mund të na thoni një pjesë të tekstit?

Posi jo…

"Në të katër anët, kuq e zi mbuluar,

Shqipëri moj xhane, kush të ka bekuar,

Gjaku rrjedh ndër breza dhe nuk shuhet kurrë,

E kuqja e zeza ndrisin në flamur!

Sot e gjithë Kosova, me mua këndon,

Se gjysma e shqiponjës është në anën tonë,

Të një gjaku jemi, nuk u tretëm kurrë,

Se shumë shpejt do jemi, një komb, një flamur!

Kur u ngrit flamuri, ktheu historia,

Foli me zë burri e gjithë Shqipëria,

Isa Boletini pranë Ismail Qemalit,

Si syri pran syrit, si mali pranë malit!

-Për çfarë është duke punuar tani Petriti?

Unë gjithmonë punoj, asnjëherë nuk rri në vend. Për çdo vit nxjerr këngë të reja, për çdo vit kam dhjetëra koncerte.

-Cilat janë vendet ku jeni më i kërkuar?

Greqia dhe Kosova. Këto dy vende janë për mua si Shqipëria. Edhe afër janë.

-Çfarë këngësh pëlqejnë më shumë emigrantët?

Këngët me karakter patriotik. Këngët e kurbetit. Është çudi se sa herë këndoj këngë të tilla të gjithë çohen në këmbë dhe këndojnë bashkë me mua.

-Cila është moto nga e cila udhëhiqet në jetë Petriti?

Të ruaj zërin dhe të mos them kurrë jo në punë. Nuk dua t'i kem borxh vetes.

-Ku mendoni t'i bëni pushimet?

Mendoj shumë, por në verë unë jam i zënë me punë. Mirë që kam një grua si yll që më kupton, se unë në verë jam si "kiu-Fiu", ik sa andej këndej. S'më gjenden këmbët. Të them të drejtën puna në verë është për ne. Kam shumë dëshirë të shkoj me pushime në bregdetin e Himarës, por ja që s'mundem. Kështu është jeta, kur u ndanë këto na ranë.

-Kur zemërohet Petriti?

Kur më gënjejnë sy për sy dhe kur duan të më bëjnë dinakun në Pazar. Jam pak strikt.

-Marrëdhëniet me pijen?

Po deshe besoje po deshe jo, pije nuk vë fare në gojë. E di që më dëmton zërin. Kush thotë që, Petriti pi, gënjen.

-Çfarë bisedon me shokët në tavolinë?

Epo çfarë bisedoj, puna, kënga, shtëpia, paratë, lëvizjet.

-Po politikë?

Çfarë theee…Mos ma zërë me gojë. S'ia them për politikë. Ka këngë, po, s'ka këngë hesht. Si mbaj mend fare sa Kryeministra ka pasur Shqipëria pas 1990-ës. Më duket sikur kanë qenë 100.

-Merret me thashetheme Petriti?

Jo. Jo. Po ndonjëherë na shket goja njerëz jemi. Por, kurrë për keq.

-Je penduar që je bërë këngëtar?

E përse të pendohem. Ndihem aq mirë, muzikë, shoqëri, ka pak sforcim, por, mirë.

-Nuk është bërë ndonjëherë xheloze gruaja nga fansat?

Eh, se besoj, se jam korrekt. Pastaj kush mburr gruan s'është burrë, por meqë ra fjala dua të them, se po të mos kisha gruan, s'do isha këtu ku jam.

-Çmendim ke për femrat shqiptare?

Ja të themi të drejtën. Në përgjithësi janë si ajkë qumështi, nikoqire, shtëpiake…Pse ka ca kokrra që dalin nga sita, nuk duhet të përgjithësohen.

-Je superticioz?

Aman. Nuk para u futem kaq thellë gjërave, por, di të them se, në raste të veçanta diçka kërkoj të më eci mbarë.

-E keni ndjekur Kampionatin Europian të futbollit?

Po! As që diskutohet. Por, sot nuk ta them me kë jam tifoz.

-Të mungon Gjirokastra?

Edhe më mungon edhe jo. Por, di të them se, njëherë në muaj aty më ke ose më çon rruga.
 (Albert Zholi Gazeta Telegraf)

      Petrit Lulo & Fahrije Zogaj - Nje Komb Nje Flamur [Teksti dhe Klipi]


Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet