TEKSTESHQIP

(1924-2011)

Biografia
Lindi në Korçë më 7 Shtator 1924. Stimujt e parë muzikor i mori nga babai i tij, i cili i binte fizarmonikës, ndërsa më vonë në moshën 7 vjecare duk kënduar me gjyshin e tij në Kishë, filloi të shprehte dashurinë e tij për këngën. Në moshën 12-13 vjec ishte hera e parë kur Piro këndoi para një publiku të gjerë në një koncert të hapur i organizuar prej Kristo Konos. [1]U zbulua si talent në mënyrë të rastësishme nga kompozitori i mirënjohur Kristo Kono, i cili përgatiste edhe grupin artistic të liceut për talented e reja në vitin 1936. Që në momentin e rastësishëm të zbulimit të tij si talent, i’u besuan disa këngë nga vetë mësuesi i muzikës në liceun e Korçës Kristo Kono. Njohja e tij me Petro Papakriston, i konsideruar si babai i këngëve satirike korcare dhe ndihmesa e dhënë prej ketij artisiti duke e nxjerrë Piro Suliotin te Radio Korça, shënoi fillimin e karrierës së tij artistike. Pas "anketave të radios" ai ishtë bërë tashmë mjaft i famshëm, për shkak se njerëzit mblidheshin në bulevardin kryesor të qytetit dhe prisnin nga artoparlanti i vendosur në një kollonë elektrike, sinjalin për këngët vendase si: ‘’Syçkë e bukur e stolisur’’; ‘’Një ditë shkova nga Drenova’’; ‘’Krimi leshkat’’ etj.

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka marrë pjesë në njësitin e qytetit që në vitin 1942 dhe është aktivizuar në të gjitha drejtimet ku i janë ngarkuar detyra si: hedhja e traktateve, prerja e telave të telefonit, shpërndarja e komunikatave etj. Piro ka marrë pjesë në aksionin e tërheqjes së dinamitit duke ndihmuar shumë në njësitin gueril të Çifligut. Në vitin 1943 ka kënduar në grupe të ndryshme të qytetit dhe ka marrë pjesë në melodramën ‘’Vllavrasja’’, ku interpretonte rolin e xhandarit sëbashku me Aleko Kolecin, Mihallaq Leshnjën etj. Kjo melodramë u shfaq në qytet, në shtëpi të ndryshme, në ilegalitet, por njëkohësisht u shfaq edhe në disa fshatra. Pas çlirimit u shfaq edhe në Kinema Morava. Në vitin 1944 pas një takimi ilegal me prof. Kristo Konon, Piro mësoi marshin e Brigatës së II sulmuese dhe shkon në fshatin Dardhë ku ua mëson partizanëve. Në të njëjtën kohë, bëhet pjesë e rradhëve të partizanëve dhe korit partizan në Lavdar te Oparit.

Pas çlirimit të vendit merr pjesë në Korin e Rinisë që drejtohej nga Misto Nuke, por largohet së shpejti për në Ansamblin e Ushtrisë ku këndoi si tenor i II-të deri në vitin 1948 pranë Gaqo Avrazit. Ibrahim Tukicit dhe Avni Mulës. Në fillim të vitit 1949 pasi ishte kthyer nga ushtria, që në ditët e para të jetës civile ai aktivizohet nëpër aktivitete të ndryshme të Shtëpisë së Kulturës në Korçë. Përsëri në Korçë, Piro Sulioti aktivizohet në korin e Nozulimit, i cili drejtohej nga prof. Mihal Çiko duke u bërë njëkohësisht anëtar i Grupit të Amatorëve të Radio Korçës. Pasi u bë anëtar i këtij lloj grupi, këndoi në Radio dhe në të gjitha fshatrat e Rethit. Pas suksesit të tij të jashtëzakonshëm, bëhet anëtar themelues i Grupit te Solistëve të Radio Korçës, bashke me Anita Taken, Keti Cicon, Pavlina Nikaj etj. duke interpretuar shumë këngë të suksesshme te Kristo Konos, Gaqo Avrazit, Leonard Dedës, Nikolla Zoraqit, Muharrem Xhedikut, Avni Mulës, Vath Çangut, Abdulla Grimcit, Gaqo Jorganxhiut, Pavlo Shollës, Thoan Nesit etj. Piro merr pjesë dhe nëpër koncertet e para jashtë shtetit në Rumani, Bullgari, Hungari, Poloni, Çekosllavaki e Jugosllavi. Në vitin 1951 u nderua me fletë nderi si komandant i brigadës vullnetare. Nderkohe, tri vite më pas(në vitin 1954) me rastin e 10-vjetorit të çlirimit të Shipërisë, Pallati i Kulturës në Korçë, do të vinte në skenë operetën e parë shqiptare "AGIMI" me muzikë të Kristo Konos; Libret të Kolë Jakovës; Regji të Sokrat Mios; Udhëheqës Artistik Mihal Çikos dhe me Skenografi të Vangjush Mios. Në atë sipërmarrje të madhe artistike do të merrnin pjesë këngëtarë si: Marika Balashi, Lefkothe Kane, aktorët Dhimitra Mele, Pandi Raidhi, Aleko Skali, Liza Skrami, Spirku Karanxha, Andrea Orgocka etj.[4] Piro Sulioti luante rolin e protagonistit "Sokolin", ku në karrierën e tij aria "Një ditë të bukur maji do të shohim" pati nje sukses të madh. Opereta ‘’Agimi’’ u shfaq 107 herë në të gjithë vendin, edhe pse nga Tirana u shfaq një mosbesim, ku fillimisht për rolet kryesore u dërgua soprano Neta Vodica dhe tenori Zihni Berati. Suksesi që pati Piro e vendosi në rradhët e para të delegacionit artistik që priti Nikita Hrushovin në Shqipëri në vizitën historike të tij në vendin tonë, në maj të vitit 1959. Gjatë së njejtës periudhë kohore mori pjesë dhe në Operetën "Sëbashku jeta është këngë" si dhe në operetën "Lugina e artë". Në vitin 1960 bashkë me Ilo Evron formuan korin Partizan në Korçë. Nërkohë gjatë viteve 1960-1970 në Korçë, u zhvilluan edhe Festivalet e Këngës në Radio, në të cilat debutuan këngët e kompozuara nga kompozitorë të mirëfilltë të Shqipërisë dhe shume hite të kohës si: "Jorgjica", "Vashë pse rri menduar", "Dje mbrëma", "I pa besë" "Nën hije me rije" "Për ty qan zemra ime" u interpretuan nga Piro Sulioti. Madje, në njërin prej festivaleve që u zhvilluan, Piro humbi cmimin e parë, duke u renditur në vendin e dytë nga djali i tij Gjergj Sulioti që sapo kishte debutuar në skenat muzikore vendase. Në vitin 1968 bëhet pjesë e Korit Kombëtar të Klasës Punëtore, duke marrë pjesë në shfaqjet e Ansamblit Artistik Amator të Tiranës në Republikën e Kinës sëbasku me Mustafa Gercalliun, Avni Mulën, Vaçe Zelen, Mentor Xhemalin etj. Një vit më vonë, Piro Sulioti dallohet për pjesëmarrjen e tij edhe në Festivalin Kombëtar të Ansambleve Artistike në Vlorë dhe për punën kulturore nga Komiteti i Kulturës dhe i Arteve.

Karriera artistike e Piro Suliotit si solist ka parë një pikë kthese në fillim të viteve 70, kur serenata korçare dhe kënga qytetare u mënjanuan përkohësisht nga këngët e politizuara të partisë që u imponuan nga vetë regjimi politik. Piro bashkë me shokët e vjetër Vaske Xherau, Tole Adhami, Todo Saraçi, Llazi Tiko, Fori Terpini u bë pjesë e korit k karakteristik "Lyra" (Nder i Kombit) dhe në vitin 1970 u nderua me "Medaljen Naim Frashëri I". Drejtuesi i Korit, Kostaq Osmanlli e vendos Piron si solist dhe riekzekutojnë dhjetra këngë të vjetra korçare patriotike si: ‘’Atdheut’’: ‘’Alfabeti Shqip’’: ‘’Ardhi Koha’’; ‘’Atdheu im i dashur’’; ‘’Dalëngadalë po vjen behari’’; ‘’Flamuri i Shqiperise’’; ‘’Më thërret nderi, o trima luftëtarë’’; ‘’Per Mëmëdhenë’’; ‘’Qe me një të Kollozhegut’’; ‘’Të gjithë ne o djema’’; ‘’Vlora-Vlora’’ etj.[8] Në vitin 1978 u nderua me "Urdhërin e Punës të klasit të III-të" dhe në vitin 1979 u nderua me "Medaljen për shërbim të mirë të popullit". Në vitet 1980 dhe gjithmonë nën Korin "Lyra" interpretoi pas shumë vitesh sërish këngë lirike dhe satirike si: ‘’E mban mend kur të kam parë’’; ‘’Mos u helmo se do iki’’; ‘’Ç’është ajo që zbret nga mali’’; ‘’Çelni lule se erdh vera’’; ‘’Drenovarja’’; ‘’Debora zbardhi mallet’’; ‘’Ike larg në mërgim’’; ‘’ Krejt ashtu’’; ‘’Kënga e mullirit’’; ‘’Kremi leshkat’’; ‘’Të dija të vogël’’ etj. Në vitin 1981 mori "Urdhrin 40 vjetori i PPSH", në vitin 1982 u nderua nga "Bashkimet Profesionale", në vitin 1984 mori "Urdhrin për shërbim të mirë të popullit", në vitin 1985 mori "Urdhrin Artistik Naim Frashëri të klasës së I" dhe në vitin 1991 pas rënies së regjimit bëhet "Artist i Merituar".

Pas ndryshimeve politike të vendit vijon integrimi i grupit "Lyra" në disa koncerte jashtë vendit, të cilat ndezën kuriozitetin e muzikantëve të rinj për rrënjët muzikore të serenatës korçare dhe të muzikës qytetare vendase, që zbulojnë sërish Piron. Piro Sulioti i kthehet përsëri skenës edhe koncerteve si solist dhe njëkohesisht vazhdon të angazhohet me grupin Lyra. Ne vendet si: Greqia, Rumania, Bullgaria, Qipro, Maqedonia, Piro Sulioti zhvilloi shume koncerte herë si solist dhe herë si anëtar i grupit "Lyra". Fakti që gjatë viteve të fundit të karrierës së tij, ai inçizoi disa këngë greke që nuk jane hedhur ende ne treg, vlen të permendet si faktor i rëndësishëm. Në vitin 1997, dëshira për të udhëtuar drejt Bostonit me qëllim realizimin e një dokumentari për muzikën vendase dhe për realizimin e një koncerti të diasporës shqiptare nuk u realizua dot per shkak të një infarkti kardiak dhe të infuzioneve të shumëfishta që ai kaloi. Në vitet 1999-2001 u shfaqën "Spektaklet e Serenatës" të iniciuara nga shoqata e serenatës korçare, në të cilat ai këndoi me sukses të madh si emblema më e vjeter e serenatistëve të qytetit. Në vitin 2001 realizoi koncertet e fundit si solist me fëmijët e tij Gjergj dhe Zhani Sulioti brenda dhe jashtë vendit. Vlen të përmendet se Piro ka qënë për shumë vite në korin e kishës të "Profit Ilias", ka kënduar live në lokalet e para muzikore vendase, ka kënduar live nëpër dasma dhe aktivitete te tjera dhe ka xhiruar pesë videoklipe. Në vitin 2004 u nderua me "Medalje për çlirimin e Atdheut", ndërsa në vitin 2008 u largua nga Grupi "Lyra" duke u zëvëndësuar nga i biri i tij Gjergj Sulioti. Këmbëngulja dhe beteja kundër inciativave lidhur me shpërndarjen e Grupit ‘’Lyra’’ në vitet 1968-1969 dhe në vitet e para të demokracisë, u konsideruan si një nga kontributet më të rëndësishme të dhëna prej tij. U nda nga jeta më 24 Dhjetor të vitit 2011 në Korçë.