Poni

Poni: Im Bir Ka Zbutur Egon Dhe Rebelizmin Tek Unë

{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}
[30-07-2012]
Poni, këngëtarja e dashur e muzikës popullore por jo vetëm, vjen në këtë intervistë duke rrëfyer projektet dhe bashkëpunimet e reja, të cilat e kanë rikthyer tek publiku i saj. Ishte kënga "Të ndarë", një bashkëpunim me Dr. Florin, që e solli atë ndryshe dhe me ritme më moderne e mjaft në formë. Megjithatë, këngëtarja shumë shpejt do të lançojë një këngë tjetër mjaft interesante. Biseda me Ponin nuk ndalet vetëm tek muzika por edhe tek djali i saj, Frenku, i cili për pak ditë bën një vjeç.

Kanë qenë kohë përkushtimi total ndaj të birit, që padyshim i ka dhënë jetë së saj shumë ngjyra. Më ka ndryshuar, thotë ajo, teksa nuk mund të mos buzëqeshë dhe t'i shkëlqejnë sytë për çdo pyetje që ka lidhje me të. Ëndrrat janë të shumta, ashtu si përkujdesja dhe dashuria aq sublime e një nëne. "Jo vetëm fëmija im, por të gjithë fëmijët duhet të rriten të qeshur, të lumtur dhe jo me dhunë. Jo më me lodra lufte. Unë e di që jam pak impulsive por kam bërë një betim; që Frenku nuk do të më shohë kurrë të mërzitur. Është e natyrshme edhe mërzia kur vjen, por që unë ia kam thënë këtë vetes ditën që e kam marrë në krah për herë të parë", – thotë këngëtarja.

Këtë verë jeni kthyer me projekte mjaft interesante pas një periudhe pauze. Mund të na thoni diçka më tepër rreth këngëve të reja dhe bashkëpunimeve?

Në fakt ka qenë pushim pak i gjatë duke qenë se kam pasur arsye të fortë, por ajo çfarë do të dalë shumë shpejt do të jetë kënga dhe klipi im i dytë. Këtë herë do të jetë ndryshe nga ajo që pamë para disa kohësh. Do të jetë këngë popullore ritmike, jo turbo-folk. Është këngë me tinguj të këngës qytetare vlonjate dhe është një këngë e re, jo e përpunuar. Teksti është bërë nga unë, ndërsa muzika nga Edlir Begolli dhe Dr. Flori. Ajo çfarë unë kam bërë shpeshherë ka qenë ose muzikë me nota polifonike, ose këngë qytetare. Kjo këngë sa e dëgjon të kujton këngët qytetare vlonjate, por është trajtuar me goxha ritëm. Jam e kënaqur, sepse çdo gjë që unë bëj është e re dhe kam ardhur ndryshe.

Dua të ndalem pak tek bashkëpunimi me Dr. Florin. Pse zgjodhët pikërisht Dr. Florin, ose kush e zgjodhi njëri-tjetrin?

Në fakt unë doja të bëja një këngë moderne dhe isha duke menduar këtë gjë, por jo për duet. Kënga në fakt duhet të vijë dhe pas shumë provave që bënim me Florin ai thoshte se "duhet të gjej diçka që të vij natyrshëm". Kaluan shumë pak kohë dhe Flori më thotë që ka mundësi që kjo këngë të jetë duet. Erdhi shumë natyrshëm ky bashkëpunim.

Dimë se shumë këngë të Florit janë shndërruar në hite. Dua të di pak për pritshmëritë e tua, duke qenë se bashkëpunon për herë të parë me Florin?

Po, është hera e parë që bashkëpunoj me Florin dhe jam shumë e kënaqur. Së fundmi Flori ka edhe studion e vet tani, ndaj dhe për të punuar është më komode. Jam e kënaqur mbi të gjitha sepse nuk jam ndjerë e sforcuar, edhe pse u përpoqëm që të bënin diçka moderne. Nuk kisha ardhur ndonjëherë kaq moderne, edhe pse kisha provuar balada apo muzikë të lehtë.

Si u ndjeve në këtë rrymë kaq moderne?

U këndua natyrshëm dhe e gjeta mirë vokalin tim aty brenda. Është problem kur sforcohesh, edhe sa i përket look-ut apo të kënduarit, sepse do të ketë diçka që nuk shkon pastaj. Një matës shumë i mirë ka qenë edhe Youtube. Por meqë jemi këtu, dua të falenderoj shumë edhe "Supersonic Tv" që ka besuar tek unë dhe që bashkëpunimi me ta ka qenë shumë i mirë për çdo video të re që unë kam bërë. Edhe klipi im më i ri do të transmetohet nga po ky televizion muzikor.

Jeni bërë e njohur si një këngëtare që këndon muzikën popullore. Mendon se mund të bësh më tepër këngë moderne?

Jo, më tepër nuk mund ta kaloj, sepse unë 100% jap aty dhe ndihem vërtet mirë. Muzika në fund të fundit është edhe çështje karakteri. Unë kam një pasaportë, por që të mos e lodhësh publikun, jam munduar gjithmonë të sjell prurje të reja.

Sa kohë pas lindjes së djalit je kthyer në koncerte?

Oh sa mirë që ma bërë këtë pyetje, sepse djali im ka lindur në 5 gusht dhe ka qenë një aktivitet ditët e fundit të gushtit, i cili ishte vendosur shumë kohë më përpara se unë të isha shtatzënë. Ajo që më ka çuditur është se në disa media u shkrua që unë iu ktheva koncerteve një javë pas lindjes. Do ishte shumë mirë sikur të isha aq në formë, por këtë nuk besoj se mund ta bëjë ndonjë femër. Nuk tingëllon as mirë kur e dëgjon. Unë jam kthyer një muaj pas lindjes në skenë. Pastaj ka qenë pushim shtator-tetor dhe në nëntor kam ikur në Amerikë gati dy javë me shumë sforcim, por ishte një kontratë që ishte bërë para se unë të mësoja se isha shtatzënë. Nëse nuk do të shkoja në këto 7 shtete do të bëhej një rrëmujë e madhe, sepse i shkaktoja një dëm personit me të cilin punoj për vite me radhë. Kam shkuar kur Frenku ishte 4-muajsh dhe kam ndenjur dy javë.

Të jesh një femër që i duhet të bëjë nënën, artisten, gruan, të ndjekë koncertet…si ka qenë kjo periudhë për ty?

Nuk e di, po ndoshta energjitë që mora pasi njoha Frenkun ishin energji që më kanë ndihmuar shumë në këtë pjesë. Shpresoj që të jap më të mirën tani që jam në kushte të tilla.

Kjo do të thotë që mëmësia të ka dhënë më tepër energji?

Më ka dhënë më tepër energji. Më ka dhënë më tepër ndjeshmëri. Më ka zbutur pak (qesh). Kam qenë pak më rebele.

Të ngjan djali?

Në fakt kur e shohin në krahun tim thonë "oh sa të ngjan". Kur e shohin në krahun e të atit, thonë që i ngjan atij. Në fakt ka komplet hijen e të atit dhe ekspresivitetin e syve e ka si unë, po jo shumë. Ajo shprehja që djemtë u ngjajnë shumë nënave nuk gjen shumë vend këtu (qesh). Ku lindi ishte komplet i ati, ndërsa tani duke u rritur po merr nga të dy. Megjithatë rëndësi ka që të jetë mirë.

Kush ka qenë ndihma më e madhe?

Ndihma më e madhe ka qenë nëna ime, por sigurisht edhe partneri im, i cili më ka kuptuar jo tani që kam lindur fëmijë, por më ka shoqëruar gjithmonë edhe më parë në turne e koncerte të ndryshme si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Ai duron më shumë (qesh). Mami më ndihmon shumë për pjesën që u bëra nënë për herë të parë dhe nuk e njihja këtë botë. Por presoni që më ndihmon më shumë në atë anë, si kur dalë në skenë, apo si më pret publiku, është partneri im.

Poni keni ardhur në formë mirë pas lindjes. Ka qenë e vështirë?

Duhet që të vija pasi nuk kisha asgjë në garderobën time që të më hynte në trup (qesh). Kështu që duhet të merrja masa urgjent.

Ke mbajtur dietë?

Jo dieta të rrepta. Thjesht kam kontrolluar ushqimin dhe nuk ha darkën.

Palestër?

Palestër kam dashur të bëj, por nuk ia kam dalë (qesh). Kam disa mjete që të ndihmojnë për të mbajtur trupin në formë në shtëpi dhe aty jam përpjekur të ushtrohem nga 20 minuta në ditë, kur nuk qan Frenku.

Një artisteje sa kohë i ngelet për të bërë nënën, zonjën e shtëpisë dhe femrën në karrierë?

Del, sepse gjatë javës unë jam në shtëpi. Të vetmet ditë kur punoj janë fundjavat, me ndonjë përjashtim që mund të ketë. Të vetmet ditë kur Frenku është pa mua dhe shtëpia pa të zonjën e shtëpisë janë fundjavat. Nuk besoj që Frenkut i ngelet kohë të kalojë pa mua, apo që unë mos të përmbush detyrimet e mia.

A je nga ato nënat të cilat e kanë frikë të madhe t'ia besojnë fëmijët dikujt?

Të them të drejtën jam pak, po shyqyr Zotit e di që sot ka shumë agjenci të ndryshme që ta sigurojnë një kujdestare të mirë. Besoj se edhe Frenku si gjithë fëmijët e tjerë, kur të duhet të shkojë në kopsht mund ta shoqërojë dikush kur unë ta kem të pamundur. Tani po jap vetë maksimumin.

A je një nënë e rreptë?

Jo. E rreptë nuk do jem. Edhe kur ka diçka që nuk do shkojë dhe duhet konsumuar në shtëpinë time, nuk do të ketë as ton të lartë në shtëpinë time dhe fëmijërinë e Frenkut. Është një fëmijë shumë i qeshur dhe nuk dua ta përmend fjalën e rreptë. Unë jam një natyrë e tillë, por këtë pjesë do mundohem ta kontrolloj sa më shumë tek vetja dhe sytë e Frenkut. Jo vetëm fëmija im, por të gjithë fëmijët duhet të rriten të qeshur, të lumtur dhe jo me dhunë. Jo më me lodra lufte. Unë e di që jam pak impulsive por kam bërë një betim; që Frenku nuk do të më shohë kurrë të mërzitur. Është e natyrshme edhe mërzia kur vjen, por që unë ia kam thënë këtë vetes ditën që e kam marrë në krah për herë të parë.

Ke qenë shumë e rezervuar sa i përket privatësisë. Nuk ke publikuar foto me djalin, siç shumë nëna të tjera të famshme kanë bërë…

Jo të gjitha besoj. Kam pasur disa ftesa për të dalë për Frenkun, kur ishte bebe i porsalindur. Sinqerisht akoma nuk isha ngopur unë me të vetë, nuk e kisha shijuar vetë dhe më dukej sikur po bëja një padrejtësi ta nxirrja në kopertinë pa e ditur në ai do apo jo. Nuk e kam parë këtë pjesën e publicitetit si diçka të rëndësishme. Besoj nuk ka asgjë të keqe. Unë e kam parë si diçka që duhet ta shijoj vetëm unë.

Jeni pak posesive?

Jam pak. Madje kur kam qenë e vogël dhe nuk kisha motër, unë e kisha problem. Mendoja se gjithë vëmendja por edhe veshjet më të mira do i shkonin asaj (qesh). Mbaj mend që deri në moshën 12 vjeçe nuk kam dashur motër, pastaj kur doja unë ishte vonë (qesh). Nëse do e kisha ndjerë që Frenku duhet të dilte në kopertina, do e kisha bërë.

Cilat janë punët që bën më me qejf në shtëpi?

Punët punë ngelen (qesh). Vetëm punët që kanë lidhje me Frenkun i bëj me qejf. Duhet larë, duhet vënë në gjumë, duhet gatuar; duhet t'i bësh gati mollën, karotën dhe portokallin. Edhe të tjerat di t'i bëj, por nuk e kam me qejf të madh.

Ndihesh më e përmbushur tani?

Tani ndihem e realizuar. Nuk do të doja asgjë tjetër. Ju nuk mund ta imagjinoni dot që s'ka gjë më të bukur sesa të rrish në darkë me një krijesë që ka ardhur pas një historie shumë të gjatë dhe je brenda mureve të shtëpisë duke shijuar çdo gjë. Shijon ushqimin, kur sheh televizor, të ledhatuarat. Sinqerisht, nuk gjej fjalë (duke qenë se jam shumë egoiste si natyrë) arrita që çdo gjë ta lidh me djalin. Ditët më të bukura të miat janë ato me Frenkun dhe me babin e Frenkut (qesh). Nuk di ta quaj fat apo jo këtë. S'po them që është një njeri që s'e gjen askund, por di të them që na fal shumë dashuri dhe përkujdesje.

Është i përkushtuar?

Sidomos me përkujdesje, sepse që në momentin që kam sjellë në jetë fëmijën e kam shumë të nevojshme këtë pjesë, edhe një fjalë më të vogël.

Lindja e një fëmije a e bën më të fortë raportin në çift? Si e ndryshon?

E bën më të motivuar. Patjetër që i jep tjetër dimension. Çdo gjë në jetë është konsum dhe në një lidhje të fortë tre janë elementët që e mbajnë: respekti, dashuria dhe fëmijët, mendoj unë. Fëmijët janë ushqim i gjithë atij raporti që ekziston në çift, sigurisht në harmoni me gjithë elementët e tjerë, se ndryshe s'do të kishte kuptim.

Poni, gjatë gjithë këtyre viteve karrierë, cilat kanë qenë momentet më të vështira me të cilat je përballur?

Të vështira ka shumë, por ato që të lëndojnë ndoshta më shumë dhe të ngelin në mendje janë padrejtësitë. Ka edhe shumë gjëra të bukura, por s'e di pse njeriu në përgjithësi kujton vështirësitë. Megjithatë dua të shtoj se pavarësisht gjithçkaje, unë e kam arritur atë që dua. Kam afër njerëzit që dua. Kam suksesin tim të konsiderueshëm dhe falenderoj gjithë ata që më mbështesin.

Si i ke marrëdhëniet me fansat?

Është një marrëdhënie e veçantë, sepse publikun tim unë e kam disi fanatik. Ose më duan vetëm mua, ose nuk më duan fare (qesh).

Ka pasur raste kur nuk ke kënduar dot live në ndonjë koncert?

Që s'kam kënduar dot live, kjo nuk ka bërë vaki. Nën portokalle dhe këngët popullore e këngët e mia që unë këndoj, kjo nuk ndodh. Po ka bllokime të këtij lloji, ku mund të të mungojë ngjyra për shkak të një ftohjeje apo një udhëtimi që ke bërë. Nga formimi muzikor që kam, di ta rregulloj këtë pjesë duke kënduar gjysmë toni më poshtë dhe përpiqem të jem në formën e duhur. Nuk ka pasur bllokim out, por ndoshta nuk ka qenë forma më e mirë e zërit, kjo edhe ndodh.

Cili është publiku yt më i zjarrtë, ai jashtë vendit apo publiku i dasmave?

S'mund t'i ndaj, por ju siguroj që publiku më entuziast që ka mall brenda vetes është publiku që jeton jashtë. Ndoshta sepse ata nuk kanë mundësinë të na shikojnë çdo ditë. Besoj se është malli që i bën të jenë kaq të zjarrtë për muzikën e vendit të tyre.
 (Jonida Hitoveizi Gazeta Mapo)

Poni: Im Bir Ka Zbutur Egon Dhe Rebelizmin Tek Unë

  Poni - Beja Fora [Teksti dhe Klipi]

Komente 7