TEKSTESHQIP

Dani: “Nuk Jam I Ndikuar Nga Thashethemet“

18-8-2014
Dani: “Nuk Jam I Ndikuar Nga Thashethemet“
Zëri më i ëmbël i skenës muzikore shqipe, pa dyshim që i takon këngëtarit Ramadan Krasniqi-Dani. Në një intervistë, Dani ka folur për projektet, sportin e preferuar dhe për shumë gjëra të tjera

Është cilësuar si ‘Pavarotti i Kosovës’ nga e madhja Nexhime Pagarusha dhe këtë epitet këngëtari Ramadan Krasniqi-Dani e ka merituar pasi që një kohë të gjatë ai ia ka shtuar muzikës së mirëfilltë shqipe. Në një intervistë, Dani ka zbuluar se është duke punuar në disa projekte të reja, për të cilat nuk jep shumë detaje pasi që dëshiron që t’i lë si befasi për të gjithë simpatizuesit e tij.
Ai vetëm ka përmendur se deri në fund të vitit do të vijë me dy apo tri këngë të reja të cilat do të realizohen me klip. "Më shumë do dëshiroja që planet për projektet muzikore t’i lë si surprizë për simpatizuesit e mi, por e vetmja gjë që mund të them është se deri në fund të vitit do të vijë me disa këngë të reja dhe që të gjitha nga to do të realizohen me videoklip", ka thënë Dani.

Ai ka shtuar se njëra nga këto këngë patjetër se do të jetë baladë pasi baladat i ka shumë për zemër. "Një nga këto projektet patjetër se do të jetë baladë, sepse, baladat janë ëmbëlsira ime, ato i këndojë më shumë kënaqësi" ka theksuar këngëtari. Ai gjithashtu ka thënë se është i koncentruar në projekte solo dhe nuk është duke menduar për bashkëpunime.
Dani para disa muajsh ka lansuar albumin e tij më këngë që i ka kënduar shumë vite më parë të cilat i ka ripërpunuar dhe ai është shumë i kënaqur me punën që kanë bërë bashkëpunëtorët e tij dhe me publikun e tij të cilët e kanë mirëpritur këtë album.

"Po, kam lansuar albumin para dy muajve me këngë të ripërpunuara dhe jam falënderues i muzicientit Valon Biba që punojë më të dhe që ka bërë një punë të shkëlqyer dhe të Memli Kelmendit në studion e së cilit e kam bërë incizimin e albumit. Po ashtu falënderoj edhe fansat e mi për përkrahjen dhe e di që e kanë pritur me shumë qejf këtë album" ka thënë Dani.
Këngëtari ka thënë gjithashtu se në vitin tjetër do të dal me album me këngë të reja. I pyetur për rëndësinë e albumit në ditët e sotme Dani ka theksuar se në ditët e sotme me zhvillimin teknologjik dhe të kanalit ‘Youtube’ vlera e albumit është duke rënë shumë "Fatkeqësisht ky zhvillim teknologjik po zbeh vlerën e albumit pasi këngët që lansohen në ‘Youtube’ janë pre e piratërisë dhe kështu po dëmtohemi edhe ne këngëtarët por edhe vet produksionin" ka shtuar ai.

Dani ka folur edhe për angazhimet e sezonit dhe thotë së ka gjashtë vite që nuk këndon nëpër mbrëmje por është i koncentruar vetëm në dasma "Janë bërë gjashtë vite që nuk jam aktiv nëpër koncerte. Tashmë këndoj vetëm nëpër dasma dhe gjatë këtij sezoni kam kënduar në të gjitha qytetet e Kosovës por kam marrë pjesë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni" ka thënë Dani. Ai gjithashtu ka përmendur se nga mesi i shtatorit do të fillojë më mbrëmjet në diasporë.
Dani ka thënë se ai ka kaluar një pushim shumë të shkurtër ku ishte në Ulqin së bashku me tri vajzat e tij dhe me dy nipërit. "Këtë vit kam bërë vetëm një pushim të shkurtër në Ulqin së bashku me vajzat dhe nipërit e mi dhe mund të them se kam kaluar jashtëzakonisht mirë", ka shtuar Dani. Ai ka treguar se është simpatizues i madh i sportit dhe sporti i preferuar është boksi.

Përveç boksit, Dani simpatizon edhe futbollin dhe ka pranuar që është anëtar i klubit futbollistik ‘Besa’ në Pejë. Gjithashtu këngëtari ka thënë se shikon edhe futbollin ndërkombëtarë dhe si ekip i tij i preferuar ishte Fc.Barcelona, kurse lojtari që pëlqente ishte Lionel Messi.
"Barecelonën e kam pëlqyer për shkak të Messit, por, me sjelljet e pahijshme që Messi i ka bërë pas humbjes së Argjentinës nga Gjermania në kampionatin botërorë ka bërë që mos ta pëlqejë më as Messin e as Barcelonën", ka thënë Dani. Ai ka shtuar se preferon gjithashtu edhe futbollin gjerman dhe anglez dhe ekipi i preferuar për momentin është Fc.Bayern.

Dani ka folur edhe rreth thashethemeve dhe ka thënë se ai nuk ndikohet aspak nga fjalët e njerëzve "Nuk kam ndikim nga thashethemet sepse nuk bie nën grackat e njerëzve. Asnjëherë nuk ia kam sjellë vetës punën që njerëzit të flasin për mua, por edhe sikur të flasin nuk ndikojnë tek unë", ka theksuar për fund të intervistës Dani.
(Erdonit Hoxha)

Komente 3