>
BIOSHQIP

Redon Makashi: Ëndërroj Të Jem Babai I Një Vajze

03-06-2012
Redon Makashi, është një ndër emrat më të dashur të muzikës shqiptare, që me vitet është shndërruar në një ikonë të baladave dhe muzikës rrok. I veçantë në llojin e tij, Redoni ka arritur të triumfojë me këngë shumë të mira, të cilat janë përqafuar shpejt nga publiku…

Viti i shkuar u mbyll me një çmim të parë për të në festivalin "Kënga Magjike", ndërsa së fundmi është vlerësuar me çmimin e "Albumit më të mirë të vitit" nga Akademia e Çmimeve Kult. Lidhur me këtë sukses, por edhe të tjera ngjarje të jetës së tij, Redoni rrëfen për "Bluetooth" shumë detaje…

Redon, je vlerësuar së fundmi me çmimin e "Albumit më të mirë të vitit" nga Akademia e Çmimeve Kult. Kohët e fundit janë duke të ndjekur sukseset, si ndihesh për këtë?
Ndjehem realisht shumë mirë. Nuk ia kam idenë se cila ka qenë juria, por dua vërtet t'i falenderoj për vlerësimin që më kanë bërë. Gjithsesi, nuk dua të lë pa përmendur edhe kolegët e mi, të cilët i kisha konkurrentë në këtë garë si: Sidrit Bejleri, Alban Skënderaj dhe Elvana Gjata, të cilët janë këngëtarë që pëlqehen shumë, këngëtarë të fortë në treg. Pavarësisht faktit që dola unë fituesi, të katërt jemi fitimtarë mendoj. Ky është çmimi i dytë për këtë vit, pas "Këngës Magjike" dhe mesa mora vesh edhe klipi është pëlqyer shumë. Gjithë këto vlerësime më rrisin përgjegjësinë dhe më bëjnë të mendoj, që ndoshta duhet të stopohem pak, për të menduar hapin e radhës.
Cili do të jetë hapi i radhës?
Jam duke punuar për dy klipe të reja. Njëri do të jetë për këngën fituese të "Kënga Magjike", kurse tjetri i dedikohet Tiranës dhe është pjesë e albumit.
Është folur edhe një bashkëpunim
me Pirro Çakon?
Po, është e vërtetë. Kënga do të jetë pjesë e albumit që Pirro do të nxjerrë.
Riktheheni pas 10 vitesh, mos gaboj?
Po. Pak më parë përmendët jurinë.
Jeni ndjerë ndonjëherë i zhgënjyer nga vlerësimi i jurive?
Kam mbetur me thënë të drejtën. Gjithsesi, më ka lënë shumë mbresa vlerësimi i kolegëve tek "Kënga Magjike". Ajo ka qenë arritja ime më e madhe, sepse nuk jam vlerësuar nga 4 apo 5 vetë, por nga të gjithë kolegët e mi. Jam gëzuar shumë, sepse pavarësisht egos që çdo artist ka, ata kanë vlerësuar muzikën. Është shkruar që me "Këngën Magjike" e ke mbyllur kapitullin e pjesëmarrjes në festivale. Sa e vërtetë është?
Hë për hë, kështu mendoj. Më duhet të marr frymë, ama kur vjen momenti i fundit, sikur të rëndon ajo adrenalina e konkurrimit, e garës dhe shtyhesh për të marrë pjesë.
A e mendon rikthimin në Festivalin e Fundvitit në RTSH?
Jo. Mendoj se rreziku është i madh. Pjesëmarrja në Festivalin e Fundvitit është thikë me dy presa. Mund ta fitosh, të shkosh në Eurovizion dhe të kthehesh kokulur, ndaj nuk dua të rrezikoj në këtë pikë. Veç kësaj unë mendoj se, si përfaqësimi i këtij viti, Shqipëria nuk mund të ketë më në Eurovizion. Ishte për mua më e mira e mundshme, ishte kënga fituese. Edhe sikur kënga jonë të ishte e një shteti tjetër, po njësoj do të mendoja. Na është bërë hile, pasi Rona ishte fenomenale. Gjithsesi, me performancën e saj ajo arriti të tregojë që edhe ky vend i vogël, të cilin shpeshherë e shohin me bisht të syrit, ka vlera të mëdha. Ajo që s'më pëlqeu ishte ndasia që u bë mes shqiptarëve; Rona shkoi atje për të përfaqësuar Shqipërinë e madhe, jo veçanërisht Kosovën, Shqipërinë, apo treva të tjera shqiptare, por të gjithë shqiptarinë.
Kemi hyrë në stinën e verës dhe besoj se kanë filluar prenotimet dhe ndarjet e datave për koncerte. Si do të jesh këtë verë, vetëm, apo do të kesh sërish Aleksandër Gjokën në krah?
Natyrisht me Sandrin, por do të kthehet edhe Toni. Do të kthehen "Tre Musketierët". Ofertat janë të shumta, madje kemi edhe përplasje datash në disa raste. Ne, koncertet i shfrytëzojmë edhe për të bërë pushime.
D.m.th paraditet i shfrytëzoni për plazh së bashku?
Po, ne kemi mbetur vërtet miq dhe ndjehem i kënaqur që midis nesh ekziston kjo shoqëri e sinqertë, sepse ndodh që diçka shkëputet pavarësisht përpjekjeve të tua dhe ti zhgënjehesh shumë, siç më ka ndodhur së fundmi një rast me djemtë e grupit "Arb".
Me grupin "Arb" dhe "Tre Musketierët" ju keni thënë se do të realizoni recitale?
Me "Tre Musketierët" nëse krijohet mundësia, gjendet financimi nga sponsorët dhe institucionet kulturore duam shumë të realizojmë një koncert madhështor në Pallat të Kongreseve gjatë vjeshtës. Ndërsa plani për recitalin e grupit "Arb" u prish, sepse s'qëndruam
dot bashkë…
Rikthimi i grupit "Arb" ishte dëshirë e jotja?
Po, unë doja të riktheja grupin "Arb", por ishte tepër e vështirë për ta mbajtur, por ishte tepër e vështirë…U shuajtëm për një hatërmbetje. Zakonisht stina e verës është edhe ajo që vë në dukje konkurrencën mes këngëtarëve.
Ti sa e ndjen këtë?
Secili ka audiencën e vet, fansat e tij, por ajo që më pëlqen shumë tek koncertet e mia është që janë të pranishëm
edhe të rinj, mosha 17-21 vjeç, të cilët nuk janë rritur me muzikën time, por interneti ka ndikuar që ata ta dëgjojnë dhe pëlqejnë…
A interesohesh për klikimet në internet?
Jo, jo, unë jam out fare nga kjo punë. Një mik i imi, kujdeset për to, po unë jam komplet jashtë loje.
Redoni funksionon me një menaxher?
Përgjithësisht vetë, por kam edhe një mik që më ndihmon me koordinimin e koncerteve.
Albumi përmban 9 këngë, ndërkohë ti po punon për albumin tjetër, që është i katërti në radhë…
Është albumi i tretë që përmban 9 këngë. E kam si numër fati, numrin 9. Sakaq, jam duke punuar për albumin e katërt, kam plot materiale të regjistruara prej vitesh. Kam një arkiv shumë të pasur, por problemi i vetëm janë tekstet. Më pëlqen që këngët që krijoj vetë, t'i këndoj po ashtu vetë. S'më pëlqen t'i shes këngët e mia.
Sa ndikon kjo pjesa e internetit, piraterisë, tek shitja e albumit?
Më përpara të gjithë rendnin tek albumet, kurse tashmë është më e lehtë të gjendet një këngë… Ky është një fenomen që ndodh në të
gjithë botën. Interneti nuk është vetëm vjedhje, por në një farë mënyre është shkatërrues i albumit. Gjithsesi, dua të falenderoj shtëpinë diskografike "Supersonic" që mori përsipër botimin e këtij albumi dhe unë me gjithë përparimin e teknologjisë, vazhdoj të mendoj që albumi është shumë i rëndësishëm, sepse ai është pasaporta e një artisti.
Veç muzikës ti ke dhe një angazhim në administratën shtetërore?
Po, u bë vite që jam i angazhuar në qendrën kulturore të ushtrisë.
Jeni i kënaqur?
Jam i kënaqur, pavarësisht ngërçeve që kalojmë herë pas here, si në çdo punë.
Tani do të flasim për jetën private…
E di që mezi po pret.
Është përfolur ndarja…
Nuk dua të flas për të. Mjafton të dini që është e vërtetë.
Tekstet e tua, kanë ndonjë dedikim personal?
Nuk po them që kanë të gjitha një dedikim, po kanë një spunto nga jeta ime. Fundja fundit ne jemi njerëz të kësaj bote dhe kemi lindur për të dashuruar, kemi lindur të bëjmë edhe gabime për të mësuar vazhdimisht. Unë, edhe sot e kësaj dite që kam një farë eksperience, nuk mund të them që kam mësuar, kam akoma për të mësuar dhe të gjitha gjërat që marr nga jeta unë dua t'i shpreh me nota muzikore dhe kam dëshirë t'i shpreh jo me fjalë, por me muzikë. Kështu që, edhe pjesa e dashurisë sime është në album.
A ka një emër dashuria?
Është thjesht dashuri.
Martesën, vazhdon ta mendosh?
Më shumë se sa atë, po mendoj për të pasur një fëmijë. Ka ardhur ky moment, sepse të gjithë shokët e mi janë bërë prindër. Jam distancuar nga shumë prej tyre sepse i janë përkushtuar familjes dhe zakonisht kam ndenjur në shoqërinë e më të rinjve, ndaj më duket akoma sikur jam 25 vjeç. Por, vetvetiu ka lindur një dëshirë e çuditshme për të pasur një krijesë. Çfarëdo qoftë, gocë apo çun.
Çfarë dëshiron ti?
Vajzat janë më të mira. Në të tilla raste mendohet ajo gota e ujit që të vjen momentin e fundit tek koka. Çuni do bredhë pas femrave kurse goca është më e dhembshur, të rri tek koka dhe të bën gjithë shërbimet. Femra është qenie shumë e çuditshme, lind, rrit fëmijët, mban familjen, punon, dhe ia del t'i bëjë të gjitha, kurse mashkulli nuk bën dot shumë gjëra.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse femra u përkushtohet prindërve në një moment të caktuar…
U përkushtohet edhe prindërve të bashkëshortit, ama. Ti mendon të jetosh me prindërit.
D.m.th gruaja jote, ka gjasa t'u shërbejë prindërve të tu?!
Mendoj të jetojmë veçmas tyre, por dua t'i kem afër. Ndoshta do jemi komshinj.
Si pyetje e fundit, a i ke filluar kërkimet për nënën e fëmijës?
Po, sigurisht, ky syri im ka piketuar…
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Redon Makashi: Ëndërroj Të Jem Babai I Një Vajze