TEKSTESHQIP

Remzie Osmani: “Jo Inate Me Koleget, Por Vetëm Marëdhënie Të Mira“

11-8-2014
Remzie Osmani: “Jo Inate Me Koleget, Por Vetëm Marëdhënie Të Mira“
Ka tridhjetë vite që cilësohet si bilbili më i bukur i skenës muzikore dhe këtë epitet Remize Osmani do ta gëzojë për një kohë të gjatë, pasi që ajo do të sjellë në treg një album dhe një baladë. Në një bisedë, Remzia flet për projektet, angazhimet nëpër mbrëmje dhe shumëçka tjetër

Dy muaj më parë lansoi këngën ‘Edhe një natë pa ty’ dhe që nga ajo kohë Remzie Osmani është shumë e angazhuar nëpër koncerte dhe dasma të ndryshme anë e kënd trojeve shqiptare. Ky angazhim i saj ka bërë edhe që Remzia të mos dalë ende me një projekt të ri muzikor, por pas përfundimit të sezonës verore ajo premton që të vijë me një album të ri në bashkëpunim me vëllain e saj, Nexhat Osmanin. Remzia ka folur rreth idesë së këtij albumi.
"Pas përfundimit të muajit gusht unë dhe Nexhati do të vijmë me një album të ri, por jemi në dilemë se a do ta bëjmë me këngë folklorike apo me këngë popullore", ka thënë këngëtarja Osmani. Ajo po ashtu ka theksuar se në fund të vitit do të vijë me një baladë dhe shprehet e lumtur që nëpër koncertet e saj publiku i këndon bashkë me të gjitha baladat. "Në fund të vitit mendoj të vijë me një baladë. E di që kam bërë shumë balada dhe të gjitha janë hite. Kur po i këndoj në mbrëmje të ndryshme i gjithë publiku këndon me mua dhe kjo më motivon të këndoj përsëri balada", ka theksuar Remzia.

Në këtë periudhë të vitit, që nga fillimi i muajit korrik dhe deri me 24 gusht, Remzia është pjesëmarrëse nëpër mbrëmje muzikore, por në veçanti nëpër dasma dhe deri më tani i ka përfunduar 27 prej tyre pa asnjë korrektësi. "Jam shumë e angazhuar në mbrëmje në gjitha trojet ku flitet shqip, por më shumë jam aktive në dasma dhe deri më tani i kam mbaruar 27 dhe falë Zotit janë përfunduar pa ndonjë problem", ka shtuar Remzia.
Ajo shprehet e kënaqur edhe me përfitimet, por e vetmja gjë që e irriton është fakti se artistët kosovarë nuk kanë një pagë nga institucionet përkatëse, por duhet që të këndojnë nëpër dasma dhe të fitojnë para. "Përfitimet janë të mira, por ne si artistë që jemi të njohur në gjithë Kosovën duhet që të kemi një rrogë nga institucionet e Kosovës, e jo që ato t’i fitojmë duke kënduar nëpër dasma e mbrëmje" ka thënë Remzia.

Pas datës 24 gusht këngëtarja mendon që ta kalojë një pushim të shkurtër në bregdetin turk dhe pika e saj e dobët në këtë pushim do të jenë ëmbëlsirat. "Po, do të jem në Turqi për pushime, por e vetmja pikë e dobët atje janë ëmbëlsirat që janë të lloj-llojshme dhe unë si preferuese e madhe e tyre e kam problem të ndaloj së ngrëni", ka shtuar këngëtarja. Ndërsa sa i përket plakjes, ajo ka thënë se nuk e ka fare problem pasi është proces natyror dhe çdo njeri i bukur do plaket.
"Plakja është proces i natyrshëm. Që të gjithë do të plakemi, por e rëndësishme është që të plakemi të shëndoshë dhe të rrethuar me nipër e mbesa", ka theksuar Remzia. Ajo po ashtu ka thënë se nuk njeh asnjë konkurrencë mes këngëtareve të tjera, secila nga to ka punën dhe simpatizuesit e saj dhe me të gjitha koleget ka marrëdhënie të mira. "Nuk shoh që ka konkurrencë mes meje dhe kolegeve të mia, ne e bëjmë punën tonë dhe secila nga ne i ka përkrahësit e vet, prandaj nuk kemi inate të tilla, por vetëm kemi marrëdhënie të mira", ka thënë për fund të intervistës këngëtarja Remzie Osmani.

THEKSIM: "Ne si artistë që jemi të njohur në gjithë Kosovën, duhet që të kemi një rrogë nga institucionet e Kosovës, e jo që ato t’i fitojmë duke kënduar nëpër dasma e mbrëmje".


Komente 0