>
BIOSHQIP

Rosela: “Kenga Ime E Re Do Jetë Një Ndër Hitet E Kësaj Vere”

15-05-2014
Ajo bën pjesë tek këngëtaret që shquhen për zërat e bukur në skenën shqiptare dhe për këtë arsye i përzgjedh daljet e saj në festivale. Bëhet fjalë për shkodranen Rosela Gjylbegu e cila së fundmi është kthyer në muzikë me këngën e saj më të re “Tash s'po du” me reperin e njohur Stresin. Në një intervistë, Rosela rrëfen risitë e këtij bashkëpunimi, një stil urban që ajo e prek për herë të parë, pritshmëritë e larta përsa i përket fansave si dhe projektet që do ta ndjekin në vazhdim. Kënga “Tash s'po du” është pritur mirë nga fansat të cilët kanë komplimentuar këngëtarët duke shprehur bindjen se kjo këngë do jetë një hit veror.



Gjithmonë jemi mësuar të shohim me këngë të një stili ku Rosela vjen e ëmbël, pse ky ndryshim radikal me këngën “Tash s'po du”?

Nuk mendoj se është një ndryshim aq radikal, pasi një vit më përpara erdha me këngën ”Pafundësi” të rrymës dance-house. Ndaj nuk është hera e parë që unë dal ndryshe, por është e vërtetë që performoj në stilin urban për herë të parë dhe në bashkëpunim me një rrepist të njohur. Mendoj që risitë dhe ndryshimet janë pozitive, sjellin freski aq më tepër që jemi përpara sezonit veror dhe na shijojnë edhe më shumë këngët me ritëm, gjithsesi dua të them që ishte dëshira e madhe për të marrë pjesë në “Kënga Ime“ super produksion i vëllezërve Laço & Adi Hilës. Fakti që doja të vija pak më ndryshe, them se bëri efekt dhe deri më tani reagimet e komentet janë pozitive.

Pse Stresi dhe si lindi bashkëpunimi me të?

Në fakt, kjo ide lindi gjatë kohës që po përgatisnim këngën me producentët dhe menduam pse jo, do ishte ndryshe, do i jepte më lezet e do ta bënte më të veçantë këngën pjesëmarrja e një rrepisti të njohur. Kështu lindi bashkëpunimi me Stresin, i cili e priti me shumë dëshirë ftesën dhe që e bëri edhe më të veçantë performancën.



Cilat janë pritshmëritë për këtë këngë dhe si ka qenë reagimi i publikut këto ditë të para?

Reagimet e publikut i kanë kaluar gjithë pritshmëritë e mia, është pëlqyer jashtzakonishtë shumë, po klikohet dhe dëgjohet çdo ditë e më tepër, radiot kanë shfaqur interes dhe kërkojnë ta transmetojnë. Unë doja të ishte një surprizë për të gjithë dhe më vjen mirë që kjo surprizë u prit mirë e njerëzit po e pëlqejnë. Mendoj që kënga “Tash spo du” do ti shoqërojë përgjatë gjithë verës.

Mendoni se kjo këngë do të jetë hiti verës apo Rosela ka edhe projekte të tjera?

Mendoj se po, do jetë një ndër këngët hit që do të na shoqërojë gjatë kësaj vere, sigurisht që po punoj për diçka tjetër por, shpresoj të arrij ta përfundoj në kohë pasi jo çdo gjë varet nga unë, pasi dhe ngarkesat e punëve e aktiviteteve s’janë të pakta.

Do të ketë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë dhe a do të shohim pjesë e festivaleve muzikore duke qënë se keni munguar së fundmi?

Nuk dua ti zbuloj të gjitha por, po do ketë një tjetër bashkëpunim! Jemi ende në punë e sipër ndaj nuk dua të flas para kohe...



Veç muzikës, një pjesë e rëndësishme e juaja është dhe puna që mbani aktualisht. Si i keni raportet mes të dyjave?

Përpiqem ti alternoj, kam ditë shumë dinamike e s’është e lehtë të bësh shumë gjëra njëherësh por, unë tashmë jam mësuar e është bërë diçka normale për mua, pa muzikën do ndihesha e paplotësuar ndaj s’do mund të heq dorë kurrë. Përsa i përket festivaleve, përpiqem që daljet e mia të jenë selektive e të zgjedhura.

Po përsa i përket jetës tuaj private, presim ndonjë suprizë ashtu siç ndodhi në muzikë?

No koment, gjithçka në kohën e duhur e vendin e duhur (qesh).
(xh.k/shqiptarja)

Rosela: “Kenga Ime E Re Do Jetë Një Ndër Hitet E Kësaj Vere”