TEKSTESHQIP

Rosela Gjylbegu: Artistët Paragjykohen Si “Tralala“

30-4-2013
Rosela Gjylbegu: Artistët Paragjykohen Si “Tralala“
Përveç angazhimit profesional në Kuvendin e Shqipërisë, Rosela Gjylbegu mbetet njëra prej këngëtarëve që i ka dhuruar shpirtin këngës. Andaj edhe ditët aktuale është duke punuar rreth krijimeve të reja, ndërsa atëherë kur ‘lodhet’ nga ritmi i punës, thotë se gjenë qetësi në familje, daljet me miqtë e jetën private, e fundit kjo e cila për të duhet të mbetet e paprekshme…
Tribuna: Rosela, të nisim bisedën me pjesën e angazhimit tuaj profesional. Jeni pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Na thuaj cila është rëndësia të jesh pjesë e këtij institucioni dhe roli juaj aty? Rosela: Prej disa vitesh jam pjesë e administratës së Kuvendit të Shqipërisë. Është një eksperiencë ndryshe dhe sigurisht me shumë rëndësi për mua, pasi kam mësuar shumë gjëra të reja. Punoj në njërin nga sektorët e administratës dhe gjithashtu shoqëroj kryetaren znj. J.Topalli nëpër aktivitete sociale e kulturore që zhvillohen nga institucioni. I jam shumë mirënjohëse znj.Topalli që më ka bërë pjesë të stafit të saj dhe që më ka dhënë mundësi të vizitoj shumë vende të Shqipërisë, dhe të takoj njerëz me nevoja të ndryshme. Është punë të cilën unë e bëj me shumë dashuri, për çfarë edhe jam diplomuar si punonjëse sociale.

Një këngë e mirë s’ka stinë as sezon

Tribuna: Nga ana tjetër keni këngën, një angazhim që në njëfarë mënyrë mund të jetë ndoshta më argëtues se puna që bëni, apo e kemi gabim?! Rosela: Shumë njerëz mendojnë që muzika është një profesion thjesht argëtues e shpesh artistët e vërtetë, dua të them, paragjykohen si ‘tralala’. Por edhe muzika është një profesion si gjithë të tjerët ku përveç asaj çka shihet në TV, puna që ne bëjmë për të realizuar gjëra profesionale nuk është kaq e thjeshtë, sidomos në Shqipëri sepse një artist këtu duhet të bëjë çdo gjë vetëm dhe i vetëm pa një menaxher, pa një shtëpi diskografike, pa sponsor. Ne na duhet të kujdesemi për çdo gjë vetë dhe ka raste që pasi përfundon e gjitha t’i je aq i lodhur sa nuk shijon frytet e punës tënde. Ndaj nuk është gjithmonë argëtues por pasioni i madh na bën që të bëjmë të pamundurën, që të sjellim gjëra sa më profesionale e sa më të pëlqyera nga publiku. E ky më pas është satisfaksioni më i madh kur sheh reagimet pozitive të njerëzve që të duan e që të mbështesin.

Tribuna: Ndodhemi në një sezon kur shumë këngëtar nisin të krijojnë duke sjell kështu krijime bashkë me ditët e nxehta të verës. Përdorni edhe ju të njëjtën metodë, apo për ju s’ka rëndësi sezoni kur krijoni? Rosela: Është e vërtetë që shumica e artistëve veprojnë kështu por kjo varet se jo të gjithë gjërat janë në dorën tonë. Varet nga kompozitori nga studio nëse arrin të realizohet në kohë apo jo. Por gjithësesi një këngë e mirë, një këngë e suksesshme nuk ka stinë as sezon. Ajo gjithsesi do pëlqehet!
Tribuna: Të kthehemi pak tek përditshmëria juaj. Çfarë i bën të veçanta ditët e tua në Tiranë? Rosela: Unë e kam ditën shumë dinamike. Që prej moshës 15 vjecare që u zbulova në talent shou-n ‘Ethet e së premtës’ më ka ndryshuar ritmi i jetës. Gjithë kohës aktive. Unë s’bëj dot as pushime nëse edhe ato nuk i kam aktive. Gjithmonë i gjej punë vetes dhe më pëlqen të jem e angazhuar në çdo moment sepse ndihem e gjallë, e dobishme dhe kjo më përmbush si Roselë. Them se kjo i bën të veçanta ditët e mia!

Tribuna: Thashethemet të mungojnë apo janë të bollshme karshi jetës tuaj? Rosela: Jam përpjekur gjthmonë t’i rri larg pjesës së thashethemeve, të jem e kujdesshme dhe e matur në atë çka them, çka bëjë, si sillem, pasi këshu e mendoj unë. Por edhe ndonjë fjalë është thënë, është e paevitueshme. Por kanë qenë gjëra të pavërteta dhe pa ndonjë rëndësi të madhe, kështu që jam mësuar tashmë. Nuk më bëjnë më përshtypje.

Për mua jeta private është e shenjtë

Tribuna: Shumë janë kurioz të dinë edhe për jetën tënde private?! Rosela: E di këtë por për mua jeta private është e shenjtë. Them se i kam dhënë shpirtin këngëve të mia dhe publiku e ka vlerësuar, por edhe ka njohur personalitetin tim. Ndaj e di që kam mirëkuptimin e atyre që më duan kur unë them se s’dua të flas për jetën time private pasi për gjithë ne, ajo është tepër e shenjtë dhe delikate. Janë gjëra që s’mund t’i ndash me të gjithë.

Tribuna: Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura? Rosela: Unë jam e re e kam kohën përpara ndaj s’di fare në mund të veçoj pasi kam shumë kujtime të bukura. Mbase do veçoja kohën e fëmijërisë pasi aty gjithë prej nesh jemi të lirë. Nuk njeh çdo të thotë përgjegjësi apo preokupim. E jeton jetën me atë botën fëmijërore dhe është më i qetë se kurrë. Edhe unë kam pas fatin me pas një fëmijëri shumë të bukur e të gëzueshme.
Tribuna: Po kujtimet e hidhura? Rosela: Gjëja më e hidhur për një vajzë është humbja e prindit dhe deri më tani kjo është gjëja më e rëndë që unë kam përjetuar, pra humbjen nga jeta të babait tim të dashur.

Tribuna: Ç’ndodh me sekretet e tua…I rrëfen diku, i shkruan apo i ruan për vete? Rosela: Po si të gjithë mendoj, ca i ndaj me miqt e mi më të ngushtë, ca gjëra i mbaj për vete…
(Melihate Gashi)

Komente 0