TEKSTESHQIP

Sabri Fejzullahu: “50 Vite Në Skenë, Koha Më E Mirë E Jetës Time“

13-4-2017
Sabri Fejzullahu: “50 Vite Në Skenë, Koha Më E Mirë E Jetës Time“
Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

1. Sabri Fejzullahu emër tashmë i njohur nga të gjithë. Këngëtarë që dëgjohet nga të gjitha moshat. Unë, nuk dua të ju pyes për fillimet tuaja në muzikë. Por, si arrini që gjithmonë të jeni kaq i dashur për të gjithë kudo që këndoni?

Sabri Fejzullahu: Në radhë të parë janë ato që ti falë natyra, Zoti ose i merr nga prindërit. Njeriu lind ose s'lind këngëtarë mua më ka prekë Zoti për këtë punë dhe fal emocionit dhe shpirtit të pa kursyer që çdo shkronjë e këngës të depërtojë te degjuesi , vjen ajo qe ti e ke paramenduar, ëndërruar te suksesi. Asgjë nuk bëhet me vetull te ngritur lart por me këmbë në tokë.

2. Pas kësaj rruge të gjatë dhe të suksesshme, besoj se mund të na flisni çfarë është më e bukura në profesionin tuaj?

Sabri Fejzullahu: Me pesë shtator të këtij viti bëhen 50 vite duke kënduar dhe patjetër që është më e bukura me e mira etapë, kohë e jetës time.
3. Shumë vite në skenë, kini përjetuar emocione të shumta. Si ndjeheni në kulmin e karrierës tuaj?

Sabri Fejzullahu: Gjithnjë më duket që po bëj "come back", gjithnjë sikur nga fillimi, sikur akoma nuk po di të këndoj mirë ashtu siç ma don zemra.
Por, kur më përshëndesin e flasin fjalë të mëdha çdo ditë, çdo çast, çdo kund që janë njerëzit e moshuar, të rinjtë e fëmijë ndjehem i realizuar në jetë.
Sepse kur një vajzë e re, djalë i ri apo i moshuar qan duke më dëgjuar kur këndojë atëherë a ka diçka më sublime në këtë jetë?

4. Përveç muzikës ju ini i pranishëm edhe në shumë projekte dhe realizimi televizive dhe filmike, në seriale dhe komedi. Pra në filmografinë tuaj gjenden mbi 20 filma. A kini shpresuar një sukses kaq të madh edhe në këto fusha?

Sabri Fejzullahu: Unë kam mbaruar gjuhë - letërsi shqipe. Fakultetin filozofik dhe Fakultetin e arteve dramatike - aktrimin. Kam punuar 35 vite aktor i teatrit tani Kombëtarë të Kosovës. Kam luajtur më se 70-80 role në teatër dhe filmografi. Regjisorët dhe kritika me publikun kanë folur fjalë të mëdha për mua si aktor. Por që mua nuk më duket që ka qenë e vërtetë. Ndoshta meqë më kanë dashur si këngëtarë kanë thënë ashtu për mua. Por, çdo Këngëtarë duhet të jetë actor, dhe çdo aktor këngëtarë.

5. Ju, vazhdoni me të njëjtin përkushtim krijimtarinë muzikore. Si e përjetoni ju atë dhe çka është ajo për ju?

Sabri Fejzullahu: Po, unë këndoj me shpirt, kur këndoj nuk gënjej. Unë e përjetoj çdo shkronjë dhe më duket që kjo është ajo që publiku shqiptar kudo në botë katër gjenerata më duan e më dëgjojnë. Unë duhet të gjunjëzohem para atyre të punoj sikur tani që për një vit i lançoj dhjetë këngë. S’ka asgjë në jetë në asnjë profesion pa punuar, pa dhënë një pjesë tënden që të tjerët ti bëj të ndjehen mirë.
6. Këndoni këngë nga më të ndryshmet. Në cilin zhanër e ndjeni veten më rehat?

Sabri Fejzullahu: Me këngëtarët e pop muzikës "The Beatles", "Rolling Stones", kam filluar në vitin '64 dhe nga viti 1967 kanë ndikuar dhe i kam dashur gjithnjë baladat , kantilenat, ato italiane… Që tani nga fundi edhe unë kam ndërruar për të qenë në hapë dhe kushtimisht po e quaj butox haha… Për të qenë në shërbim të dëgjuesve që më mbetën besnik dhe më shtohen dita ditës e më dëgjojnë edhe në moshën 73 vjeçare. Andaj, duhet edhe unë të ndërroj pak , por, me kujdesin më të madh që të ketë një autoktonizëm dhe orkestrim të kohës këngët që i këndoj.

7. Po ashtu kini edhe duete të shumta. Sa është sfiduese për ju që të bëni duet?

Sabri Fejzullahu: Duetet duhet të bëhen me qëllim të caktuar të jete kënga që do të mbahet e këndohet shumë vite që të ketë shpirt, melodi, interpretim dhe tekst goditës. Kam duet me: Adelina Ismailin, shpirtin tim dhe të gjithë shqiptarëve pastaj duet me Artisten e madhe Ledina Çelo, tenori bravuros profesor Kastriot Tusha. Duet me shpirtin e shpirtit tim, artistin me zë e interpretim unik Ermal Fejzullahun. Përndryshe nuk jam adhurues i dueteve, edhe dëgjuesit nuk kanë aq dëshirë për duetet sepse më keqardhje tani po bëhen duete që disa këngëtarë bëjnë duet me këngëtare për llogari tjera.
8. ‘Fshatarja ime’ është një këngë që dëgjohet më së shpeshti në shtëpinë time, sidomos nga prindërit e mi. Jam kureshtare të di cila është "biografia" e kësaj kënge?

Sabri Fejzullahu: Muzikën dhe orkestrimin e këngës "fshatarja ime" e ka bërë kompozitori i madh shqiptar Xhevdet Gashi, një legjendë e rok muzikës dhe kompozitor i mbase 50 hite-ve të muzikës zbavitëse që nuk vdesin kurrë. Tekstin e ka shkruar kompozitori dhe tekst shkruesi po ashtu i shumë hite-ve të pa harruara Ilir Berani. Nuk është biografi e imja por e qindra njerëzve. Për çka edhe mbas 30 viteve mbeti "ever green" shqiptar.

9. A mendoni se përmes këngës thuhen të gjitha?

Sabri Fejzullahu: Meqë nuk shkruaj tekste nuk e di sepse nuk është përjetim i imi. Unë, mundohem ti jap kuptimin dhe shpirtin emocionues atij teksti. Në botë thuhet përmes këngës e vërteta , që nuk ka gjë më mire. Te ne shqiptarët akoma e vërteta e tekstit të një kënge mbetet tabu.

10. Jeni ndër këngëtarët më të preferuar kudo që shkoni. Çfarë përjetimi është ky për ju?

Sabri Fejzullahu: Me të dashtë të gjitha gjeneratat si këngëtarë kudo ku ka shqiptar është gëzim, është krenari, është falënderim, është ulje koke, është dashuri, është motiv dhe shumë përgjegjësi e madhe se pasi zbret nga skena që ke kënduar kush je në jetën e përditshme? Si dhe çfarë personi je dhe sillesh me njerëzit që të duan? Nuk ka gjë më mirë se: ME DASHTË DHE ME TË DASHT.
11. Me çfarë ruani origjinalitetin tuaj kur shohim që në estradën muzikore ka shumë imitime?

Sabri Fejzullahu: Ata që emitojnë kurrë në jetë nuk janë bërë të dashur e të njohur për publikun. Origjinalja është vlera. Imituesja është sikurse ai që shtyp euro fallco e që , nëse kapet nga policia hyn ne burg.

12. Rrugëtimi drejtë famës nuk është i lehtë, po të ruhet ajo ndoshta edhe më e vështirë. Cili është opinioni juaj?

Sabri Fejzullahu: Veç me shpirt e me zemër e me interpretim që buron nga shpirti e me ruajtjen e dashurisë që ka publiku për ty ruhet ajo e shenjta ruhet pozicioni që ke për punën që bën.

13. Suksesi më i madh në jetën tuaj, cili është?

Sabri Fejzullahu: Më i madhi që me pesë shtator bëhen 50 vite duke kënduar pa u ndalur më i madhi sukses është kur çdo gjeneratë që më takon, me fjalët që mi thonë mua si këngëtarë po sa ta kthej kokën e të largohem nga ata më mbushën sytë me lot nga gëzimi. Dua të them vetëm FALIMINDERIT SHQIPTAR të të gjitha moshave që po me rinoni kur unë po jua dëgjoj zërin juve në koncertet që i këndoni këngët e mia me Mua.
(Dijana Gj. Dukaj)

Komente 0