TEKSTESHQIP

Seldi: “Weli Weli“ I Dedikohet Atyre Që Besojnë Tek Dashuria

20-10-2013
Seldi: “Weli Weli“ I Dedikohet Atyre Që Besojnë Tek Dashuria
Ka hapur një studio të tijën në Tiranë dhe tashmë po krijon këngë për vete dhe të tjerët. Ndihet i suksesshëm si kantautor, pasi vetëm në pesë ditë ka mundur të marrë 150 mijë klikime në për klipin e ri "Weli Weli", një këngë me nota romantike ku mund të gjejnë veten të gjithë. Ndërkohë ky është klipi i dytë që Seldi Qalliu këndon vetëm, jo në duet me Sinanin. Pas ribashkimit të tyre vitin e kaluar në një tur koncertesh të bujshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy këngëtarët këndojnë sërish të ndarë. Seldi tregon se si këtë herë në kryqëzimin e karrierës së tyre, secili mori drejtimin e tij.
Sapo ke publikuar klipin e ri me titull "Weli Weli". Kujt ia dedikon këtë këngë me nota të qeshura dhe romantike?
Ua dedikoj të gjithë njerëzve që besojnë te dashuria dhe që ndihen mirë me dikë. Pra, ia kushtoj secilit që e dëgjon dhe gjithkujt, që e dëshiron një marrëdhënie të bukur në jetë, si kjo e imja në klip.

Thuhet se ke hapur një studio muzikore dhe tashmë po punon intensivisht për krijimin e këngëve të reja. Sa e vërtetë është?
Po, është shumë e vërtetë. Unë tashmë kam studion time muzikore në Tiranë, ku kaloj shumë kohë për të krijuar dhe realizuar këngë të bukura. Por dua të theksoj krijimet që këndoj vetë, gjithmonë ia kam besuar Alban Fortunës, i cili ka bërë orkestrimin edhe të këngës sime të re "Weli Weli", autori i muzikës së të cilës jam unë. Ia besoj atij, sepse me të vërtetë realizon në këngët e mia atë që më shkon për shtat dhe që tingëllon bukur.
Të shohim të dalësh vetëm si këngëtar, jo më në duetet e famshme me Sinan Hoxhën, siç jemi mësuar. Jeni shkëputur përfundimisht?
Në lidhje me Sinanin, do e konsideroja një rrugëtim me kthesa bashkëpunimin tonë në muzikë. Në mes dy kryqëzimeve tona secili mori drejtimin e tij në jetë, pasi nuk na u përputhën interesat.

Kjo do të thotë që jeni ndarë keq apo si miq pas bashkëpunimeve tuaja në muzikë?
Jo, aspak keq. Thjesht i kemi pohuar njëri-tjetrit që këtu rrugët tona ndahen dhe jemi dakord për këtë. S’ka nevojë për sqarime të tjera, besoj.
Jemi para festivalit "Kënga Magjike". Ke planifikuar të marrësh pjesë, apo je zhgënjyer nga pjesëmarrja e fundit?
Jo, nuk jam i zhgënjyer nga "Kënga Magjike", por thjesht nuk është në strategjinë time të jem në një garë muzikore për momentin. Tani jam fokusuar në krijimin e shumë këngëve të reja dhe realizimin e tyre në klipe.

Duket se e ke marrë me qejf studion e re, kalon shumë kohë duke punuar?
Po patjetër, tashmë merrem me krijime natë e ditë, që të shoh pakëz dritë (qesh), dhe ndihem vërtet shumë i frymëzuar. Shpejt do mund të shihni rezultatin e punës sime si krijues, dhe ndaj ju ftoj të shijoni këngët e mia të reja.
Seldi
Weli Weli
[Teksti dhe Klipi]
(Panorama)

Komente 2