TEKSTESHQIP

Edhe Soulkid Nënshkruan Me Elephant

18-3-2014
Edhe Soulkid Nënshkruan Me Elephant
Supertalenti shqiptar i muzikës RnB, Soulkid, ka arritur një marrëveshje me kompaninë muzikore, Elephant.

Elephant, një kompani që është shkrirje e BleroEnt dhe kompanisë së Florent Boshnjakut, ka komunikuar në faqen zyrtare në Facebook nënshkrimin me Soulkid, emri i vërtetë i të cilit është Uki Latifi.

Për këtë marrëveshje kënaqësinë e shprehu këngëtari, Blero, i cili është edhe menaxher i përgjithshëm i kompanisë Elephant.

"Kjo është një ditë e madhe për kompaninë tonë. Ne kemi nënshkruar me dikë, që për mua është talenti më i madh në Ballkan sa i përket muzikës RnB, dhe dikush me të cilin kanë tentuar të nënshkruajnë edhe shumë kompani tjera në vendin tonë".

"Ne jemi shumë krenarë që Soulkid na ka besuar dhe ne do të bëjmë më të mirën bashkë me menaxherët tjerë në kompaninë tonë që t’i ofrojmë atij një atmosferë të mirë të punës. Unë besoj fuqishëm se ai është një prej superyjeve të ardhshme të skenës muzikore shqiptare. Vetëm prisni, shumë shpejt do t’i lansojmë projektet e tij të reja", u shpreh Blero pasi nënshkroi kontratën.

Soulkid, i cili njihet për hitin "Buza", që ishte pikërisht një bashkëpunim me Bleron, ka shprehur po ashtu kënaqësinë e tij pas nënshkrimit të kontratës menaxhuese me Elephant.

"Jam shumë i lumtur. Është vërtet një prej ditëve më të rëndësishme në jetën time. Dua të falënderoj të gjithë ata që më dhanë munësinë dhe pritjen e mirë në Elephant, që tani të mendoj seriozisht për të ardhmen time në muzikë".

"Sonte është koha për të festuar me një gotë verë, por që nga nesër, na pret shumë punë. Unë shpresoj që të mos i zhgënjej njerëzit që besuan në mua, Bleron, producentët e mi, Zzapin dhe Chrissin dhe sidomos familjen time që më ka mbështetur gjithmonë", ka deklaruar Soulkid.

Soulkid, një djalosh nga Prishtina, i cili dallohet për aftësitë e tij të jashtëzakonshme vokale dhe si një tekstshkrues e kompozitor i shumë hiteve të shumë këngëtarëve – është kërkuar më herët nga shumë kompani duke përfshirë On Records, Max Production dhe BabaStars.
(Telegrafi)

Komente 0