TEKSTESHQIP

Vace Zela: Shqipëri, Nga Mot Më Mirë!

28-11-2012
Vace Zela: Shqipëri, Nga Mot Më Mirë!
Me zërin e ëmbël, ashtu si e mbajmë mend në këngët e kthyera në himne, me qetësinë që e karakterizuar gjithnjë, Vaçe Zela uron: Shqipëri, nga mot më mirë! Prej vitesh larg atdheut, këngëtarja që i këndoi më shumë se kushdo vend-lindjes, vjen sot në "Gazeta Shqiptare" për të dhënë një mesazh për vëllezërit e saj kudo që ndodhen. "Unë kam shumë emocione. Ju përcjell falenderimet e mia më të ndjera dhe mirënjohjen time më të thellë për faktin që më kujtoni e që nuk më keni harruar", thotë ikona e këngës menjëherë pas kërkesës sonë që të japë një mesash për Shqipërinë 100 vite të pavarur.

Me zërin që i dridhet, jo pak të mpakur për shkak të sëmundjes, ikona e shenjtë e këngës shqiptare iu uron të gjithë bashkëkombësve, për shumë mot gëzuar. "Meqë ju më dhatë rastin, kam dëshirë që t'iu uroj bashkëkombësve, kudo që ndodhen në të katër anët e rruzullit dhe në mënyrë të veçantë atyre që e festojnë këtë festë larg atdheut, Gëzuar Festën e Flamurit", thotë Zela, nga ana tjetër e telefonit. Këngëtarja, që sot mban mbi supe plot 73-vite, dëshiron të përcjellë urimet më të mira. "Dua Shqipërinë ta shoh siç është dhe nga mot më mirë!", e mbyll ajo mesazhin për festën e madhe. E cilësuar si zëri i artë i Shqipërisë, ikona e shenjtë dhe mbretëresha e këngës shqiptare, ajo u kthye në legjendë që në moshë të re. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Këngëtarja
Pjesëmarrëse në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, ajo ka fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët. Vaçe Zela është fituesja e parë e festivalit të parë të mbajtur në vendin tonë. Me këngën "Fëmija i parë", ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Deri vonë Zela ishte e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga ish-presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: "Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor". Për nder të këngëtares viti 2009 qe shpallur nga Ministria e Kulturës si "Viti Vaçe Zela" dhe një rrugë në Tiranë mori emrin e saj. Ylli i muzikës shqiptare ka interpretuar këngët "Çelu si mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime", "Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të lumtur të dua", "Rrjedh në këngë e ligjërime", "Për ty atdhe", "Moj e bukur Arbëri", e shumë të tjera, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës shqiptare. Çmimet e titujt që ajo ka marrë ndër vite janë: "Artiste e Merituar" në '73-in, "Artiste e Popullit" në '77-ën, "Mjeshtre e Madhe e Punës", "Qytetare Nderi" e Lushnjes, po në qytetin e lindjes.
(BalkanWeb)

Komente 0