Më mbaj mend (për 1 muaj)


Valbona Halili: Më Pëlqen Veshja Dhe Kënga Popullore Tiranase


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4 / Votuan:  4
[23-08-2012]
Gjithmonë e palodhur me koncerte brenda dhe jashtë vendit. Gjithmonë me atë buzëqeshjen e saj karakteristike që ta bën bisedën të ngrohtë dhe miqësore. Koncertet e saj i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ajo gjithmonë edhe pse kërkesat i ka në rritje, do të këndojë në skenat shqiptare, aty ku mori duartrokitjet e para dhe deshifroi perspektivën si këngëtare. U rrit në skenë por edhe studioi për kanto, pasi këto studime i dhanë lëmimin e zërit, perfeksionimin e tij, por që e lidhën dhe më shumë me këngën popullore. Dhe pse çdo vit ajo nxjerr këngë të reja ajo nuk e mohon se suksesin më të madh e ka arritur me albumin "Hall me burrë, hall pa burrë".

-Si ndihet Valbona këtë verë?

E mbushur me punë. S'kam kohë të marrë frymë. Lëvizje të shumta mbushur me aktivitete dhe dasma. Dihet vera është shumë e ngjeshur për ne këngëtarët popullorë se helbete martohen bota (qesh).

Ndiheni e lodhur?

Kënga është profesion për mua, pra është punë. Çdo njeri kur në punë ndjen kënaqësi kur shpërblehet nuk lodhet kurrë. Njeriu mërzitet nga puna kur nuk shpërblehet për atë që merr dhe kur ka një punë rutinë. Unë s'kam punë rutinë pasi lëviz në vende të ndryshme, me njerëz të ndryshëm dhe me vlerësime maksimale. Kur punës i heq këta dy elementë ajo kthehet në bezdi. Shyqyr që jam shumë e kënaqur.

-E kujtoni ende këngën e parë të daljes suaj në skenë?

Sigurisht po. E mbaj mend shumë mirë. Ka qenë kënga "Një natë me Hënë" unë jam prezantuar në spektaklin "12 në Hollivud", kompozuar nga mjeshtëri Fatmir Lela dhe orkestruar nga Shpëtim Saraçi. Ishte një ditë mrekulli. Një ditë që më hapi dyer. Kjo këngë shënoi fillesën e rrugës së suksesit tim. Që atëherë nuk i jam ndarë më kësaj rruge të vështirë dhe të bukur.

-Keni kënduar, por edhe keni studiuar. Ju keni mbaruar shkollën për kanto?

Ambiciet e mia i kam bazuar në shkollimin tim. Në vitin 1988 kam mbaruar për kanto. Pikërisht në ato vite kur po liberalizohej jeta shoqërore dhe komunizmi ishte në grahmat e fundit. Në ato vite paraprirëse e liberalizimit ishte muzika, ku njerëzit shpreheshin më hapur dhe frika sikur ishte larguar. Kënga popullore ishte lënë paksa në hije.

-Dhe çasti magjik "12 në Hollivud"?

E vërtetë. Ashtu mbetet në jetën time. Një moment magjik. Hyra në këtë konkurrim me mendimin jo se do të fitoja (sepse ishte dalja për herë të parë në skenë të tillë), por doja të shihja se deri ku arrinin mundësitë e mia. Vija mbas një fatkeqësie, humbjen e nënës. Dashuria për të, dëshira e saj për të kënduar, ajo ndjesi që kisha brenda vetes se duhet të arrija diçka, bënë që të gjeja forcat e të prezantohesha sa më dinjitoze në këtë spektakël. Jam pritur shumë mirë deri në gjysmëfinale. Ndoshta nuk shkova në finale sepse unë isha në një festival që u zhvillua në Turqi me një grup folklorik. Rëndësi ka që jam pritur mirë. "More djalë me sytë e zinj" "Eja të lutem", janë këngët me të cilat kam debutuar.

-Suksesi dhe albumi i parë…?

Pas suksesit më lindi ideja për album. Ai do të ishte prezantimi më i mirë para publikut tim. E hodha hapin. Me kompozitorin e talentuar të këngës popullore, Fatmir Lela, realizova albumin tim të parë. Ai ishte shtysa që të realizoja këtë album. Ai më futi në këngët e Shqipërisë së Mesme, ku Valbona përfaqësohet edhe sot, pa i ndarë edhe trevat e tjera. Kam qenë një nga këngëtaret e para që kam realizuar një album. Atëherë nuk kishin dalë akoma shtëpitë diskografike. Unë të gjitha tekstet i kam të shkruara dhe kompozuara nga Fatmiri dhe të regjistruara tek studioja e Shpëtim Saraçit. Albumi titullohej "Një natë me hënë". Ka pasur sukses, si brenda dhe jashtë vendit. Thuajse u përpi. Më dha shumë krahë.

-Në sa vende të botës keni shkuar dhe keni kënduar?

Thuajse gjithë Europën. Më shumë në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi.

-Keni studiuar për kanto, keni hequr dorë përfundimisht nga kjo lloj muzike dhe i jeni përshtatur vetëm këngës popullore?

Isha shumë e dashuruar me këngën operistike, por koha, jeta bën të vetën. Tashmë, më mirë jam me këtë zë që kam tek kënga popullore, them se jam mirë këtu ku jam. (qesh)

-Ju shkoni në shumë dasma sidomos në Shqipërinë e mesme, gjatë këngës nuk tundoheni për të marrë pjesë në gëzim si dasmorët?

Ahaaaaa… Aspak. Unë e di vendin tim. Kurrë nuk jam tunduar. E kam edukuar veten me këtë lloj pune.

-Ushqimi i preferuar?

Ushqimi tradicional tiranas dhe frutat.

-Po vetë si i ke marrëdhëniet me kuzhinën. A gatuan?

Kam qejf, por s'kam kohë. Kur kam kohë të them të vërteten gatuaj me merak. Ndonjëherë bëhem dhe dembele pasi e lodhur kam dëshirë të më shërbejnë (qesh).

-Mërziteni shpesh?

Me thënë të drejtën jam tip i qeshur, jam njeri i paqtë. Por dhe zemërohem dhe ndodh që zemërimin e mbaj brenda. Kjo më dëmton, por ç'ti bëj ashtu jam. Më pëlqen humori dhe pozitiviteti në familja dhe në shoqëri.

-Kur ndiheni e emocionuar?

Kur më ftojnë në emisione televizive. Dua të jem e sinqertë ndaj kam emocione.

-Por ju si trembeni spektakleve, si i trembeni emisioneve televizive?

Kur jam për këngë e kam mbledh mendjen se mikrofonin e kam për diçka tjetër, por kur flas jashtë këngës stepem. Edhe vetë çuditem. Por, është fakt.

-Jeni tip kureshtar?

Aspak. Jam tip i qetë që s'më interesojnë thashethemet. Kureshtja të devijon nga realiteti.

-Veshja e preferuar?

Në përditshmëri veshja sportive, në skenë veshja popullore tiranase.

-Kur ndiheni më keq?

Kur më gënjejnë sy më sy.

-Je supersticioze?

Në përgjithësi po, por jo shumë fanatike.

-Je besimtare?

Jam një besimtare korrekte. Ndjek rregullisht ritet e besimit tim. Besoj në zot pasi ai më ka ndihmuar.

-Marrëdhëniet me librin?

Dua t'i kem të mira, por s'më lë koha.

PUSHIMET E VALBONËS

Po ku i kalon pushimet Valbona? Ajo thotë: "Sa herë vjen sezoni i pushimeve ne jemi të ngarkuar me punë, kjo nuk ndodh vetëm me mua. Por them se është periudha e vjeshtës, apo më mirë e dimrit. Jemi të kundërtit e njerëzve. E ka profesioni. Kur të tjerët bëjnë plazh, ne argëtojmë të tjerët. Më pëlqen më shumë t'i bëj jashtë pushimet".
 (Albert Zholi Gazeta Telegraf)



Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet