Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Valbona Mema: Vëllezërit Nuk Më Linin Të Këndoja


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  2
[29-03-2013]
Është padyshim një nga këngëtaret më të kërkuara të muzikës popullore. Zëri i saj brilant është kaq i dashur për publikun shqiptar, sa të gjithë do të donin ta kishin pjesë të gëzimeve familjare. Ka një axhendë të ngarkuar me koncerte, por kur bëhet fjalë për të argëtuar shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë… Valbona Mema nuk i thotë kurrë JO ftesave të tyre. Është nga të paktat artiste që nuk pranon të bëjë kompromise me këngën dhe duke i qëndruar fort besnike traditës së muzikës së vërtetë godet me forcë fenomenet negative që, sipas saj po çorodisin vlerat e trashëguara. Në intervistën e mëposhtme, Mema na rrëfen jo vetëm jetën e saj profesionale, projektet artistike, raportin me publikun, por na zbulon edhe një anë tjetër të saj. Atë të një nëne të brishtë, mikeje të mirë dhe të një zonje, që në emër të dashurisë është e aftë të bëjë gjithçka.



Shumë vite në skenë. Si i kujtoni fillimet tuaja në muzikë Valbona?
Kam qenë fëmijë kur këndoja nëpër koncertet e shkollës fillore dhe ëndrra ime ishte të bëhesha një këngëtare që të prekja skenat e mëdha. Janë dashur shumë sakrifica që t’i hyja botës së muzikës, sepse kisha dy vëllezër që nuk më linin të këndoja, por pasioni për këngën më bënte që të mos stepesha.

Dalja juaj e parë në skenë kanë qenë me muzikë të lehtë. Pse ndryshuat kurs më vonë dhe iu futët muzikës popullore?
Kam qenë interpretuese në Pallatin e Kulturës si këngëtare e muzikës së lehtë, por nuk e gjeta veten aty dhe kështu ndryshova profil, duke iu dhënë tërësisht muzikës popullore shqiptare.

E mbani mend këngën e parë që keni kënduar përpara publikut?
Mbaj mend që ka qenë në Festivalin e interpretuesve të muzikës së lehtë, ku kam kënduar këngën me titull “Zemër nëne” .

Po njeriun që ju ka shtyrë të bëheshit pjesë e artit të muzikës?
Këtë nuk e harroj kurrë. Njeriu që më ka shtyrë të bëhesha pjesë e artit ka qenë bashkëshorti im, Sokol Gjumi.

Fanse e muzikës “live”. Çfarë do të thotë për ju të këndosh “live”?
Muzika “live” është emocion më vete dhe nuk mund të krahasohet me asgjë. E adhuroj të kënduarin “live”, jo vetëm sepse në këtë mënyrë këngëtari/ja evidenton vlerat e veta vokalistike, por edhe sepse ndjesitë që përcjell tek publiku janë më të forta, më të gjalla.

Cili është matësi i suksesit të një artisti, sipas jush?
Matësi i suksesit të një artisti, i çfarëdo sfere qoftë ai është publiku dhe vetëm publiku. Ai vlerëson, ai është çelësi. Zëri dhe mënyra sesi depërton tek publiku.

Shquheni si një femër aktive dhe që krijoni atmosferë në koncerte, dasma dhe kudo që shkelni. Por… a ka pasur raste që jeni ndjerë e lodhur dhe që i keni thënë vetes: “Mjaft, nuk mundem më”?
Sigurisht që ka pasur raste që jam ndjerë e lodhur dhe kam dashur të pushoj, por nuk mundem t’i them vetes STOP, sepse detyra ime që nuk mund të mbarojë kurrë është të bëj muzikë. Nuk jetoj dot pa të.

Eventi, apo koncerti më i veçantë që kujtoni me nostalgji?
Janë shumë evente, por më i rëndësishmi për mua ka qenë recitali im, ku pjesëmarrja ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

Çfarë e bën një këngëtar/e të shumë të kërkuar nga publiku?
Thjeshtësia dhe të qenurit shumë i afërt me publikun.



Si e shikoni muzikën popullore shqiptare sot Valbona?
Muzika popullore? Më vjen keq ta them, por është lënë pas dore, duke u marrë më shumë me një muzikë që nuk është aspak shqiptare. E kam fjalën për tallavanë dhe kjo është për të ardhur keq.

Fenomenet që po e degradojnë, sipas jush?
E kush tjetër, përveç fenomenit TALLAVA. Kuptojeni vetë me ç’huazime kemi të bëjmë.

Këngët e Shqipërisë së mesme mbeten të preferuarat tuaja. Pas saj, këngët e cilës krahinë vijnë?
Pas saj vijnë këngët e Jugut. I adhuroj, sepse më bëjnë të qaj dhe të kërcej njëkohësisht.

Emri juaj është mjaft i kërkuar edhe nga bashkatdhetarët në diasporë. A janë më të veçantë koncertet jashtë vendit, sesa këtu?
Po dhe të veçantë i bën pjesëmarrja, sepse çuditërisht këtu nuk ka shumë pjesëmarrje. Një arsye tjetër që i bën të veçantë është edhe malli që bashkatdhetarët kanë për vendin e tyre. Kur dëgjojnë këngë të tabanit shqiptar mallëngjehen dhe në një formë shuajnë “etjen” për vendin e tyre.

Një nënë i do të gjithë fëmijët njësoj. Po një këngëtare i do të gjitha këngët njëlloj, apo ka një të veçantë, e cila bën diferencën?
Nuk bëj dot diferencë, sepse siç edhe e keni theksuar shumë bukur, një nënë nuk bën dot dallime mes fëmijëve. As një këngëtare nuk e bën dot këtë. Të gjitha këngët kanë një mesazh, të gjitha kanë fabul dhe emocion brenda.

Sakrificat që keni bërë në emër të profesionit?
Kam bërë shumë, por më e madhja është që sakrifikova vitet e mia më të bukura në emër të dashurisë dhe profesionit.

Kujt ia dedikoni sukseset në muzikë?
Bashkëshortit tim, Sokolit. I meriton me shpirt.
Po si nënë?
Nënës sime, që më solli ne jetë.

Nëse jeta juaj do të bëhej film, çfarë titulli mendoni se do t’i përshtatej më së shumti?

“Jeta është këngë. Jetoje”!

Jeta është një rrugë e gjatë mbushur me sfida, copëza lumturie dhe sakrifica. Po me ju Valbona si është treguar jeta? Nëse jeni rrëzuar ndonjëherë, ku e keni gjetur forcën për t’u ngritur?

Jeta më ka vënë në prova shumë të vështira, sepse humba bashkëshortin tim krejt e re dhe m’u desh të përballesha me sfidat e saj. Mbijetova, sepse pasioni që kam për këngën më bëri më të fortë. Nuk u rrëzova, por vazhdova mehapa të sigurt rrugën që kisha ëndërr. Muzikën.

Valbona jashtë skenës, muzikës?
Valbona jashtë skenës është një njeri i thjeshtë. Nënë e përkushtuar dhe shoqe e mirë.

Raporti me fëmijët?
Marrëdhënia ime me fëmijët është i mrekullueshëm. Ne jemi shokë shumë të mirë, përveçse prindfëmijë, që komunikojnë për gjëra të ndryshme.

Prindërit e tyre artistë. Po fëmijët kanë prirje për art Valbona?
Jo, fëmijët e mi nuk kanë lidhje me këngën. E çuditshme, por kanë marrë drejtimin që ata kanë dashur dhe ky drejtim nuk është muzika.



Stili i të veshurit, kujdesi për veten, aparencën duket që është një tjetër pasion i juaji. Sa kohë shpenzoni për dukjen në skenë dhe në përditshmërinë tuaj?
Unë shpenzoj shumë, sepse jam pasqyrë për të gjithë fansat e mi dhe i kushtoj vëmendje shumë look-ut tim në skenë. Mendoj se është shumë e rëndësishme për një artiste që të kurohet estetikisht.

Në aspektin profesional keni ndonjë projekt, me të cilin po merreni?
Aktualisht jam në studion “Threedoots”, ku jam totalisht e fokusuar në një bashkëpunim, të cilin preferoj ta lë surprizë.

A është një koncert recital në planet tuaja?
Po dhe do të jetë një koncert i madh LIVE për të gjithë dashamirësit e këngës sime.
 (Albina Gjergji)



Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet