Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Valbona Mema: Lidhja Ime Me Kosovën, Vendin Ku Linda Marsën


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  2
[28-06-2013]
Valbona Mema, ylli i muzikës popullore shqiptare, rrëfen në këtë intervistë të sinqertë për faqet e verës projektin e saj më të ri. Pse i mungoi për tri vite muzikës shqiptare. Lidhja e veçantë që ka me Kosovën dhe dëshira për të ndryshuar ‘look’. Njeriu që e dobësoi dhe stina e ngarkuar me dasma. Pushimet dhe fëmijët, për të cilët thotë se i ka frymëmarrje…

Valbona, ke tri vite që mungon në muzikën shqiptare… Për ç’arsye?

Ka munguar një këngë e re nga unë, por jo unë. Sepse unë me muzikën time kam qenë gjithmonë prezente në koncerte e gëzime familjare. Kam qëndruar e tërhequr gjithë këto kohë, pasi doja që në këtë rikthim të sillja diçka ndryshe.

Çfarë do të ketë ndryshe kënga e re?

Do të vij me një rrymë paksa më ndryshe nga çfarë më keni parë deri tani dhe për këtë dua të falenderoj sinqerisht “Threedots Production”, në veçanti producentin e këngës, Ervin Gonxhin.

Është një krijim i ri?

Jo, është ripunim i një kënge të vjetër, që vjen me një tekst të ndryshuar, të shkruar nga Ronela Hajati. “Tironë-Prishtinë” titullohet dhe është një dedikim për të gjithë shqiptarët.

Cila është lidhja që ke me Kosovën, Prishtinën në këtë rast?

Kam një lidhje shumë të veçantë, sepse në Kosovë ka lindur vajza ime Marsa. Në ’96, kur u hapën kufijtë me Kosovën, unë bashkë me një grup muzikantësh shkuam në ‘Shqipërinë tjetër’ për të mbajtur disa koncerte dhe Marsa ka lindur pikërisht gjatë një koncerti.

Të duhet të udhëtosh shpesh?

Sigurisht, puna ma kërkon. Sidoqoftë, ngado shkoj, destinacioni përfundimtar është gjithmonë Tirona ime, s’e ndryshoj me asgjë në botë.

Dimë që ke realizuar edhe një klip për këtë këngë…

Po, është e vërtetë. Klipi është realizuar nga “Pro Video” dhe do të transmetohet shumë shpejt në të gjitha kanalet shqiptare dhe kosovare. Është bërë një punë shumë e mirë dhe besoj se kënga do të shndërrohet në një hit veror. Do të vish në këtë klip me një ‘look’ të ndryshuar dhe me linja të reja trupore.

Sa kohë të është dashur për ta arritur këtë?

Shumë pak, falë bashkëpunëtorëve të shkëlqyer që kam. Mua më pëlqen që të ndryshoj shpesh dhe dukja ime në këtë klip është kuruar nga e mrekullueshmja Frida dhe stilistja ime e dashur Afërdita. Natyrisht, dua të falenderoj shumë miken time Anila Kalleshi, e cila më kaliti vullnetin për të arritur linjat që kam sot. Ajo ka shërbyer si një shtysë për mua.

Ndërkohë, si do të jetë vera jote?

E mbushur me punë, koncerte, dasma… Kam një stinë shumë të ngarkuar, pasi siç dihet vera është stina e gëzimeve familjare. Do të bësh pushime? Do përpiqem sigurisht të gjej edhe pak kohë për veten dhe familjen time.

Ndërkohë Bona, nesër (sot) ke ditëlindjen. Sa e realizuar ndihesh?
Zoti më ka bekuar me dy fëmijë të mrekullueshëm. Ata janë arritja më e madhe që kam në jetë. Më bëjnë çdo ditë të ndihem krenare dhe janë frymëmarrje për mua. Sigurisht, edhe nga ana profesionale ndihem shumë e plotësuar, pasi kam fansat më të mirë në botë. Kjo më mjafton.

Ku do ta festosh ditëlindjen dhe çfarë dhuratash pret?

Dhuratën e parë do ta marr që në mëngjes, prej jush. Ditëlindjen do ta kaloj me fëmijët e mi, që janë paqe për mua.
 (Gazeta Shqiptare)



Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet