TEKSTESHQIP

Venera Lumani: Jam Shumë E Lumtur Për Fitoren

27-1-2013
Venera Lumani: Jam Shumë E Lumtur Për Fitoren
Vajza nga Struga e Maqedonisë, Venera Lumani është fituesja e edicionit të dytë të "The Voice of Albania". Ajo ka triumfuar në natën e finale, që u mbajt deri në orët e vona të së premtes, përderisa ka mundur në finale Jozefinën, Matejin dhe Mjellmën. Nata u përcoll me një spektakël të paparë deri më tani.

Zëri i Venerës ishte më i bukur. Tingujt e këngës së Elvis Prisleyit "Can’t Help Falling in Love" bënë që shqiptarët të bien në dashuri me këngën e Venerës, përderisa vajza nga Struga qysh në fillim ishte e lumtur vetëm me pjesëmarrjen në finale.

Venera është shprehur shumë e lumtur për fitoren.

"Kjo është një ndër surprizat më të bukura të miat. Jam shumë e lumtur. Nuk kam fjalë. Këtë sukses ia dedikoj të gjithë atyre që janë fansa të zërit tim, të gjithë atyre që më kanë mbështetur duke mos u kursyer për asnjë moment, familjes time, të afërmve të mi, gjyshit dhe gjyshes time si dhe xhaxhait tim, i cili nuk jeton më", ka thënë Venera për Top Channel pas fitores.

Mirëpo, spektakli i së premtes ishte një mbrëmje në vete në ekranin e Top Channel.

Përveç konkurrentëve, teleshikuesit patën kënaqësinë që në duet t’i shohin konkurrentët bashkë me trajnerët e tyre, e që ishin; Miriam Cani, Sidrit Bejleri, Elton Deda dhe Alma Bektashi.

Këngët e tyre sollën nostalgji për vite të kaluara dhe ishin perla të njohura të muzikës bashkëkohore që dëgjohen nëpër vite.

Një këngë të bukur para se të shpallej fituesi e kënduan edhe Elton Deda dhe Sidrit Bejleri, të cilët sollën paksa atmosferë alla San Remo në "The Voice". Interpretimi i tyre sigurisht do të bëjë që në të ardhmen këta dy këngëtarë të mendojnë seriozisht për ndonjë bashkëpunim.

Pas kësaj publiku nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia votoi për zërin më të mirë shqiptar e që ishte zëri i vajzës së Strugës, e cila me melankolinë e saj në këngë bëri që njerëzit të japin votën e tyre për të.

Pak para finales për mediat e ndryshme shqiptare folën finalistët.

Të gjithë ishin hyrë me shpresë që do të fitonin.

Matej Karaqi ishte i vetmi djalë në këtë garë, përderisa ai tha se i pëlqen të këndoj "live" në Tiranë.

"Gjatë kësaj jave jam ndjerë shumë mirë. Nuk kam emocione. Mendoj se nga ky spektakël kam fituar shumë, pasi është një eksperiencë shumë e mirë dhe e rëndësishme. Tani që është finalja ndihem më i çliruar dhe pa emocione". Ndërsa pyetjes se çfarë i ka dhënë ky program si këngëtar, Matej i përgjigjet: "Normal që është një ëndërr e realizuar, e cila më solli deri këtu. Jam i lumtur", ka thënë Matej i cili edhe ka kënduar disa këngë rok dhe ky djalë do të jetë reperi i ardhshëm nga Kosova.

Venera ishte e emocionuar para finales.

"Jam e emocionuar, me përgjegjësi dhe me pak frikë, por gjithsesi ne kemi punuar shumë. Ndaj për mua është shumë e rëndësishme që kam arritur deri këtu. Në parashikimet e mia nuk e kam futur veten për në finale dhe tani që jam, dua që të fitojë më i miri". Ndërsa për të preferuarit apo konkurrentët që i sheh si më potencialë Venera ka thënë se në fillim të preferuarit e saj kanë qenë Matej dhe Jozefina. "Unë jam studente e kantos dhe menjëherë pas "The Voice" do të vazhdoj të jem aktive në skenë", ka thënë Venera.

Kurse ish solistja e grupit Hana Band, Mjellma ka thënë se ajo nuk e kishte menduar që do të shkonte kaq lart.

"Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e sigurt në atë që kam punuar, normalisht me përkrahjen e madhe që më ka dhënë Miriami. Nuk mund të them se kush e meriton fitoren pasi mendoj se jemi njëri më i mirë se tjetri, po aq sa ç’jemi edhe të veçantë nga njëri-tjetri. Kështu që le të fitojë më i miri", tha ajo.

Ndërkaq për Jozefinën rrugëtimi në këtë spektakël ka qenë shumë emocionues.

"Kjo javë ka qenë shumë emocionuese, njëkohësisht edhe e lodhshme sepse kemi punuar shumë. Është finalja dhe rritet përgjegjësia, por nga ana tjetër jemi edhe të mërzitur sepse gjithçka po mbaron", ka thënë shkodrania.

Edicioni i dytë i "The Voice of Albania" ka zgjatur 17 javë dhe në të kanë defiluar zëra të rinj, që do të jenë pjesë e muzikës shqiptare në të ardhmen.

Ky edicion ishte interesant po aq sa edicioni i parë, të cilin e fitoi tashmë këngëtarja kosovare Rina Bilurdagu.
(Express)

Komente 1