TEKSTESHQIP

Anjeza: “Dashuria Na Mbush Me Jetë Si Uji Në Shkretëtirë“

10-3-2014
Anjeza: “Dashuria Na Mbush Me Jetë Si Uji Në Shkretëtirë“
"Bukurinë e shpirtit të Pol e kam dalluar menjëherë"

Në lidhje me këngën gjithmonë ka dashur të jetë selektive, edhe pse sipas saj në Shqipëri kushtet janë të papërshtatshme për t’i realizuar planet kur i do dhe si i do. Anjeza Shahini rikthehet me "Ujë në shkretëtirë", një dedikim për dashurinë që ka brenda vetes. Ajo flet për të dashurin anglez prej katër vitesh, Pol, kritikun e saj personal në muzikë, edhe pse ka për profesion diplomacinë, si dhe planet e jetës në çift.
Rikthehesh me një këngë të re të titulluar "Ujë në shkretëtirë". I këndon dashurisë që ke gjetur, nëse i referohemi vargut "dhe një herë po të jetoj do të jem unë prapë me ty…"?
Në këtë këngë i referohem dashurisë që gjithkush ka brenda vetes. Dikush ka një ëndërr, dikush dashuron, dikush kujton një njeri të shtrenjtë, dhe kur kjo e mbush me jetë, sikurse uji njeriun në shkretëtirë, sigurisht që do ta zgjidhte ta jetonte sërish atë jetë.
Si ke zgjedhur të shfaqesh këtë herë vizualisht?
Videoklipi është realizuar nga studio "ID Production". Xhirimet janë bërë në Shqipëri në disa vende pak të eksploruara, por tepër të pasura me burime natyrore. Edhe pse muaji shkurt nuk është i përshtatshëm për xhirime që kërkojnë diell dhe fustan dekolte, arritëm të mundnim motin. Këtë herë shfaqem pak më surreale, qëndroj brenda një koncepti, që tregon ngjarjen në formë abstrakte.
Pra, kjo është kënga e jetës sate, ajo çfarë po jeton momentalisht.
Kur kam dëgjuar këngën, e ndjeva timen menjëherë. Ishte ajo këngë që po kërkoja prej kohësh dhe që është e realizuar me shumë përkushtim e mjeshtëri nga Mario Deda. Ndoshta ka brenda pak Anjezë dhe autori i vargjeve, Olti Curri, me siguri e kuptoi sa shumë isha përfshirë unë në këtë këngë, ndaj besoj e ka pasur parasysh edhe gjendjen time personale kur shkroi tekstin.
Titulli të lë të nënkuptosh se e ke gjetur shpëtimtarin e jetës…
"Ujë në shkretëtirë", sepse unë mendoj që kur diçka e dëshiron shumë, ose kur dashuron edhe mes vështirësish të mëdha, e gjen ujin për t’i dhënë jetë.
Partneri yt anglez, Pol, është kritik i këngëve të tua, pasi thuhet se para se të njiheshit ai ka qenë fansi yt.
(qesh) E vërteta nuk është kështu në fakt. Partneri im nuk njihte asnjë këngë timen, derisa unë ia kam treguar një nga një. Ndërsa këngën time të re e ka dëgjuar që kur ishte në variantin demo dhe u shfaq mjaft entuziast. Është njohës shumë i mirë i muzikës dhe e di fare mirë çfarë i shkon vokalit tim.
"Fatet tona në një rrugë të vetme udhëtojnë", një tjetër varg, dëshmon se ju e keni vendosur të ndani jetën bashkë?
Është një varg që tregon se çfarëdo pengesash, fatet na bashkojnë në një rrugë të vetme.
Je dakord me shprehjen "pas një mashkulli të suksesshëm fshihet një grua e fortë"? Në çift do dëshiroje të ishe femra e fortë pas mashkullit të suksesshem apo e kundërta?
Nuk shoh asgjë të keqe që të jenë të dy të fortë e të suksesshëm, madje është më mirë, pasi zhduken shenjat e inferioritetit në çift.
Në një të ardhme do i afroheshe më shumë profesionit të partnerit tënd? Mund të të shohim në politikë?
Besoj që politikën duhet ta bëjnë ata që janë të aftë të jenë politikanë dhe deri më sot politika më duket shumë larg artit. Nëse muzika do të më përmbushë gjithmonë, nuk do të zgjidhja asnjëherë politikën.
Në ç’rast do e lije Shqipërinë për të nisur një jetë të re jashtë Shqipërisë?
Në kohët e sotme, kur jetohet diku tjetër, nuk përkufizohet me lënie apo largim nga ky vend. Shqipëria ështe vendi ku jetoj sa të jem në jetë, por lëvizja apo ndërtimi i një shtëpie të re diku tjetër është në planet e mia.
Largësia nga personi i zemrës është një sprovë?
Është një sprovë shumë e mirë, është ndërtim besimi, por nuk është as e lehtë, kështu që nuk duhet të zgjasë shumë.

"Besoj tek intuita në dashuri"
Dashuria është për ty lumturi apo dhimbje?
Lumturia është realizim i dashurisë, ndërsa dhimbjen mos e provoftë njeri, do thosha!
I beson intuitës për të zgjedhur apo fatit në jetë?
Besoj tek intuita, por më ka koinciduar fare bukur edhe me fatin në shumë raste.
Je e aftë të dallosh bukurinë e shpirtit te meshkujt, të tremb zhgënjimi?
Nuk mund të dalloj bukurinë e shpirtit të çdo mashkulli, por shpirtin e bukur të mashkullit tim e kam dalluar menjëherë. Nuk më tremb aspak zhgenjimi, pasi besoj që gjërat vijnë natyrshëm.
Bilanci yt i një dekade? Të ka pasuruar ky profesion?
Në 10 vite kam provuar dhe shijuar shumë nga suksesi. Të pasur? Po, nga muzika.. poooo shumëëë…nuk numëroj dot vilat e mia. Jam e sigurt që çdo artist në Shqipëri do të qeshte kur ta lexonte këtë.
Anjeza Shahini
Uje Ne Shkretetire
[Teksti dhe Klipi]
(KLOTILDA HARKA)

Komente 0