>
BIOSHQIP

Në Fundjavë Publikohet Klipi I Ri Nga Grupi Aurora

10-06-2014
Ylli Valla anëtar i grupit të njohur ‘Aurora’, në një bisedë për gazetën Tribuna ka shpalosur shumëçka rreth angazhimeve dhe të rejave që do t’i sjellin në treg. Derisa ka thënë që gjatë javës do të vijën me këngën ‘Qaj Hyrije’, ai ndër të tjera ka nënvizuar se tash e tutje Aurora vjen edhe me një ‘mision’ të ri.

Shumë vite në skenë, e shumë hite pas vetes kanë bërë që emri i grupit Aurora të jetë shumë i njohur në publikun shqiptar. E ndonëse për qëllim kanë që kënga e tyre, por edhe emri të jetojë gjatë në skenë, kanë bërë të ditur se shumë shpejt do të vijnë në treg me një këngë të re. Kështu të paktën ka theksuar Yll Valla, anëtar i grupit.



“Ne tashmë e kemi përfunduar një këngë të re e cila është e plotësuar edhe me videoklip. Shpresoj që ka fundi i javës apo fillimi të lansohet kjo këngë”, ka thënë këngëtari në fillim të bisedës, ndërsa ka shpalosur tutje detaje rreth kësaj kënge. “Kënga titullohet ‘Qaj Hyrije’ ky është projekti i 25 me radhë. Është një këngë ‘dance’ tipike verore dhe besoj që edhe nga publiku do të pritet mirë, pasi që vërtet sjell një frymë verore. Nuk po e lë pa e cekur që titulli i këngës vjen si vazhdimësi e stilit tonë, ne kemi pasur edhe këngën Mihane e të tjera me këso titujsh, andaj edhe ky titull është brenda stilit të grupit Aurora”.



Ndërkaq sa i përket bashkëpunimeve me koleg, Ylli ka treguar se nuk kanë në plan ndonjë të tillë, duke theksuar se Aurora ende i qëndron besnike mos bashkëpunimeve. “Jo nuk kemi në plan të vijmë me ndonjë bashkëpunim. Ne ende i qëndrojmë besnik mos bashkëpunimeve. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të kemi ndonjëherë ndonjë bashkëpunim”, ka nënvizuar Valla. E meqenëse përveç bashkëpunimeve në trend këtë vit janë edhe albumet, Ylli tregon se as ato nuk janë në planet e tyre, ndërsa ka thënë që ata më shumë preferojnë të vijnë me ‘singla’ të cilat këtë vit nuk do të mungojnë nga Aurora.



“Që nga viti 2004, ne e kemi aplikuar lansimin e projekteve vetëm me singla. Kështu besoj që do të vazhdojmë njëjtë edhe këtë vit. Aurora në fakt çdo vit vjet me 3, 4 këngë, kështu që edhe këtë mund ta quajmë një ‘mini album’. E rëndësishme është që ne do të vijmë me shumë këngë e projekte të reja për publikun tonë”.

Ndryshe, këngëtari nuk ka hezituar të shpalos që tashmë edhe angazhimet nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore kanë filluar. Ndër të tjera Ylli ka treguar se tash e tutje publiku i tyre mund të llogarisë në ta edhe sa i përket muzikës popullore.



“Sigurisht që angazhimet nëpër mbrëmje tashmë kanë filluar. Jemi në sezon dhe mbrëmjet muzikore janë më të shpeshta. Unë dua ta tregoj që përpos se jemi të gatshëm të argëtojmë publikun tonë me këngë argëtuese siç edhe janë mësuar, ne tashmë e kemi edhe një projekt që titullohet ‘Aurora Mision’, ku përveç meje e Nazit e kemi edhe një anëtar në sint. Dëshira jonë për të bërë edhe muzikë popullore është qëllimi i kultivimit të pasurisë së muzikës popullore që ne si popull e kemi”, ka treguar plot pasion Ylli, i cili për fund ka thënë që me shumë dëshirë do të jenë të pranishëm edhe nëpër ahengje familjare.
(Nita Brisku)

Në Fundjavë Publikohet Klipi I Ri Nga Grupi Aurora