>
BIOSHQIP

D.U.D.A., Nje Muaj Paraburgim

23-06-2012
Gjilan, 23 qershor - Gjykatësi Abdullah Ahmeti iu ka caktuar nga një muaj paraburgim Ardian Xhaferit, Besnik Fejzullahut dhe Burim Osmanit, që të tre të dyshuar për veprën penale "vrasje e rëndë në tentativë".Sipas aktvendimit për zhvillimin e hetimeve, Xhaferi e Fejzullahu dyshohen se më 15 qershor, në lagjen Dardania, me paramendim dhe me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta Burim Osmanin.

Sipas hetimeve Ardiani ka qenë i pajisur me revole të panjohur dhe me atë rast i është vërsulur Burim Osmanit, duke shtënë disa herë në drejtim të tij, duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.

Ardian Xhaferi, këngëtar i grupit muzikor "E7", dyshohet për veprën penale "vrasje e rëndë në tentativë" dhe "mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve". Kurse Besnik Fejzullahu dyshohet për veprën penale "vrasje e rëndë në tentativë", njofton portali rajonipresss.

Ndërkaq, Burim Osmani, i njohur me nofkën "Duda", me profesion këngëtar i grupit muzikor "Double G", pas konfliktit fizik që ka pasur me të pandehurin Ardian Xhaferi e Besnik Fejzullahu, ka tentuar t`i privojë nga jeta këta dy. Osmani me revolen e tij "M-57" ka shtënë disa herë në drejtim të Xhaferit e Fejzullahut, duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë. Një nga predhat e Osmanit e ka goditur në gjoks shkarazi Besnik Fejzullahun.

Duda (Osmani) dyshohet për veprën penale "vrasje e rëndë në tentativë", "mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve" dhe për veprën penale tjetër "blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike".
(koha)

D.U.D.A., Nje Muaj Paraburgim