TEKSTESHQIP

Kastro Zizo: Shqiptarët Nuk Dinë Të Dashurojnë

11-1-2013
Kastro Zizo: Shqiptarët Nuk Dinë Të Dashurojnë
Kastro Zizo këto kohë duket se është larguar nga muzika duke u marrë me projekte të tjera. Së fundmi ai ka nisur një emision në radio që quhet "Dr.Love", në të cilin, ai nisur nga eksperienca e tij jep këshilla dashurie për të gjithë ata që kanë probleme në çift. i bindur se çdonjëri ka nevojë për këshilla, madje edhe mbreti, Kastro zbulon disa gjëra lidhur me eksperiencën si doktor ndjenjash. Por të rejat nga ai duket se nuk mbarojnë me kaq. Këtë të shtunë ai nis me një tjetër transmetim televiziv, një shou komplet ndryshe, i cili në thelb do të jetë një reality shou kompleks.

Kastro, së fundmi po bën një emision që quhet "Dr. Love". Si është të japësh këshilla për dashurinë?

Po. Është e vërtetë që prej një muaji jam në transmetim në "NRG RADIO" me emisionin "Dr.Love". Të japësh e flasësh për dashurinë, për mua është shumë e lehtë, sepse besoj që në jetë kam kaluar shumë eksperienca të tilla dhe e ndjej që jam në gjendje që të bëj konsulta falas për të gjithë ata që janë në udhëkryq me mua në krye! Dashuria është një ndjenjë komplekse dhe shumë e thjeshtë në të njëjtën kohë. Më argëton ky emision shumë dhe ndihem shumë rehat.

Çfarë do u jepje njerëzve nga eksperienca jote?

Gjithë eksperiencën time. Çdo gjë që më ka ndodhur mua në jetë. Të marrin më të mirat dhe të eliminojnë gjithë ato gjëra që u ngjajnë jo të mira nga ato që më kanë ndodhur.

Ka shumë njerëz që duan këshilla të tilla?

Çdo njeri në botë dhe ata që janë pranë varrit kanë nevoja për këshilla dashurie ose të paktën të flasin për të. Është një nga ndjenjat më çoroditëse dhe të bukura në të njëjtën kohë. Me kalimin e kohës dhe kjo ndjenjë do të zhduket gradualisht.

Ti vetë kur ke pasur nevojë për këshilla, ku i ke kërkuar ato?

Mbase tek shoqëria më e afërt, por kryesisht njeriu ka nevojë vetëm dhe vetëm të këshillohet nga vetja e tij. Sado të mira apo të këqija të jenë vendimet, ato janë pjesë e jona dhe ashtu është për të rrjedhur.

Më të interesuar janë meshkujt apo femrat?

Kryesisht janë femrat, por nuk janë të paktë dhe meshkujt. Unë mendoj që meshkujt impenjohen më shumë në një raport, ndërsa femrat dashurojnë më shumë. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Dashuria është sinonim i parasë, makinës dhe sendeve materiale.

Po më të gatshëm për të kërkuar ndihmë?

Në momente kritike të gjithë kanë nevojë për ndihmë. Edhe mbreti kur është i dashuruar ka nevojë për ndihmë në lidhje me çështje të dashurisë.

Nga ato që ke dëgjuar deri tani, çfarë ka ndryshuar në mendimet e tua për meshkujt shqiptarë dhe femrat në lidhje me raportin që krijojnë mes tyre?

SHQIPTARËT NUK DINË TË DASHUROJNË. Ose të paktën, pjesa më e madhe e tyre.

Ti për çfarë këshille do të kishe pasur nevojë vetë?

Për momentin nuk kam nevojë për asnjë këshillë. Jam super i qetë dhe i lumtur që për momentin nuk dua asnjë këshillë.

Së fundmi do të nisësh një emision në Tv. Mund të na thuash diçka më shumë rreth këtij projekti?

Jo së fundmi, por të shtunën, dt.12, ora 23:00, në A1 REPORT TV unë filloj emisionin tim "Kasketa". Do të jetë çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 23:00 dhe ka një format ndryshe nga çfarë kemi parë deri tani. Është një lloj miksi midis reality shout dhe fiksionit. Ju këshilloj ta ndiqni.
(Gazeta MAPO)

Komente 0