>
BIOSHQIP

Identiteti I Një Artisti Fillon Nga Emri

08-09-2017
Krijimi i një identiteti për një artist nuk është një proces i thjeshtë. Shumë artistë kanë ndryshuar disa herë zhanrin muzikor gjatë karrierës së tyre dhe kjo ka bërë që publiku mos të arrijë kurrë të përcaktojë se cilës rrymë realisht i përkasin. Por përveç zhanrit, një tjetër faktor i rëndësishëm që ndihmon në krijimin e identietit artistik është emri. Shumica e këngëtarëve njihen me emrin dhe mbiemrin e vërtetë. Këngëtarët e muzikës tallava çuditërisht preferojnë të njihen me emrin shkurt. Një zgjedhje e çuditshme kjo, sidomos kur emri është mjaft i përhapur dhe si rrjedhojë në TeksteShqip kemi shumë këngëtarë me emrat Gazi, Beni, Tani, Toni etj.

Ata që njihen si më kreativë në përzgjedhjen e emrit janë reperat. Disa kanë bërë zgjedhje mjaft unike, shpesh edhe me një fjalë të vetme dhe kanë krijuar një identitet të hekurt. Vlen të përmendim Noizy, Unikkatil, Mozzik etj. emrat e të cilëve nuk kanë nevojë për koment sepse kuptohet menjëherë për kë po flasim. Disa reperë kanë preferuar të inserojnë në emër fjalë apo shkronja shumë të përdorura si Alba, Rap, G, T. Edhe këto zgjedhje nuk kanë rezultuar të sukseshme sepse të njëjtën ide e kanë patur me dhjetëra reperë të tjerë dhe kjo situatë nuk i ka ndihmuar ata të identifikohen lehtësisht.

Pothuajse të gjithë reperët me famë botërore e kanë bërë të paktën një herë. Ata kanë ndryshuar emrin e artit kur kanë ndryshuar stilin apo zhanrin, e kanë bërë për arsye ligjore apo marketingu ose sepse thjesht emri i është mërzitur. Notorious B.I.G. njihej ne fillim si Biggie Smalls, Snoop Dogg ndryshoi emrin në Snoop Lion, K. Dot u be Kendrik Lamar, Jay-Z vendos të heqë vizën prej emrit në vitin 2013 dhe tani njhet si Jay Z. Por lista është shumë e gjatë dhe e gjatë është po ashtu ajo e reperave shqiptarë qe lindën artistikisht ndryshe, por u bënë më të famshëm me një emër tjetër. Le të përmendim disa: Getinjo evuloi artistikisht nga Young Ghetto në Ghetto e më pas në Getinjo. Majk ishte pjesë e grupit TDS dhe njihej si Dr.Mic. Fero është një reper i ri, por ka publikuar shumë këngë me emrin Profero. Edhe grupet nuk i kanë rezistuar tendencës. Shumica e albumeve të publikuara nga Etnon, në fakt rezulton nën emrin e Etno Engjujt. Ndoshta shpejt mund të kemi një ndryshim të mundshëm për Capital T, i cili po identifikohet gjithmonë e më shumë kohët e fundit me emrin Kapo.

Por ka nga ata artistë që emrin e ndryshojnë rregullisht. Sean Combs është i famshëm jo vetëm për talentin e tij, por edhe për pavendosmërinë e tij të dukshme në zgjedhjen e emrit të artit. Nga fillimi i karrierës së tij në vitin 1997, Sean Combs ka publikuar 6 albume dhe e ka ndryshuar emrin 4 herë. Dy albumet e para, "No Way Out" dhe "Forever" janë nënshkruar nga Puff Daddy. Në albumin e tretë "The Saga Continues..." mban emrin P. Diddy. Albumi i katërt dhe i pestë, "Play Play" dhe "Last Train to Paris", janë nënshkruar nga Diddy. Ndërsa në albumin e gjashtë "MMM" në vitin 2015, rikthehet Puff Daddy. Një mbyllje rrethi, një fillim i ri apo dëshira për të ardhur ndryshe?

Por rekordi për ndryshimin e emrit të artit nuk i përket Sean Combs, por reperit Russell Tyrone Jones, kryesisht i njohur me emrin Ol' Dirty Bastard. Ai ishte themelues i grupit të suksesshëm të viteve '90, Wu-Tang Clan. Në vitin 2012, Uproxx ka renditur 27 emra të përdorur prej tij: Hasaan, Rain Man, The Professor, Ason Unique, Osiris, Osiris the Father, The BZA, The Drunken Master Styles, Sweet Baby Jesus, Dirt Dog, The Bebop Specialist, RJ Tha Mad Specialist, Ill Irving the Murderer, Barney Kool Breeze, Ol’ Dirt Schultz, Prince Delight, Blunted Sultan, Peanut the Kidnapper, Freeloading Rusty, Joe Bananas, Big Box o’ Chili, Super Bastard, Ol’ Dirty Bastard, Dirk Hardpec, Big Baby Jesus, The Man of All Rainbows, Dirt McGirt. Ndërsa Wikipedia zbulon disa emra të tjerë: Cyrus, Dirty, Michael (Can't get off) Phipps, Ol' Dirty Chinese Restaurant, Ol' Dirty Block, The Ol' Dirty Bza. Në total bëhen 33 emra të ndryshëm të përdorur në publikime të ndryshme.

Nga reperat shqiptarë, nuk është e vështirë të identifikosh atë që me pak identifikohet vetëm me një emër, Getoar Selimi. Përveç publikimeve me emrin e vërtetë, ai është njohur gjithashtu me disa emra të tjerë: Ghetto Geasy, Ghetto Gold, Geasy, Geti, Ghetto, MMV etj. Pavendosmëria në zgjedhjen e një emri e ka ndjekur edhe në grupet që ai ka krijuar. Grupi Tingulli 3 ndryshoi emrin në Tingulli Trent apo Tingulli 3nt. Me disa prurje të reja artistësh, Tingulli 3nt u transformua në Babastars. Gjithsesi, çdo zgjedhje e bërë nga Getoari, ka rezultuar e suksesshme dhe publiku e ka ndjekur në të gjitha zgjedhjet që ai ka bërë për të ardhur gjithmonë ndryshe.

Dikush mund ta mbajë mend rastin e një djaloshi, i cili në vitin 2016 vendosi të publikojë këngët e tij të para me emrin Kida. Por ky emër arti tashmë ishte përzgjedhur nga Orhidea Latifi. Ndërhyrja e vrrullshme e menaxherit të saj Mehmet Elshani, e detyruan djaloshin të ndryshonte emrin e tij. Artistët e rinj mund të konsultojnë arkivin e gjerë të këngëtarëve në TeksteShqip.com për të mos zgjedhur një emër që është zgjedhur nga diskush tjetër. Krijoni identitetin tuaj artistik me një emër arti unik. Jepini kohën dhe rëndësinë e duhur përzgjedhjes së emrit dhe më vonë nuk do ju duhet ta ndryshoni atë.
(Plarent Nasto/teksteshqip.com)

Identiteti I Një Artisti Fillon Nga Emri