TEKSTESHQIP

Së Shpejti “Çift Ty Dua Të Kem“ Nga Neki Emra & Leonora Jakupi

15-8-2014
Së Shpejti “Çift Ty Dua Të Kem“ Nga Neki Emra & Leonora Jakupi
Janë të dashur për publikun pikërisht për shkak të muzikës së tyre të mirëfilltë shqiptare. Leonora Jakupi dhe Neki Emra do të dalin së shpejti me këngën e tyre më të re, Neki Emra tregon detajet e bashkëpunimit me Leonorën, vlerën e muzikës dhe shumëçka tjetër.

Është bashkëpunimi i parë i tij në karrierën si këngëtar dhe për të realizuar një këngë duet, Neki Emra ka zgjedhur zërin e ëmbël të skenës muzikore shqiptare Leonora Jakupin.

Në një intervistë, Emra ka sqaruar arsyen se pse Leonora është këngëtarja që do ta shoqërojë në këtë projekt muzikor "Është bashkëpunimi im i parë në karrierën time dhe me vjen shumë mirë që ky bashkëpunim është me Leonora Jakupin sepse Leonora është një këngëtare shumë e dashur për estradën por mbi të gjitha është si person ajo është shumë e mirë", - ka thënë këngëtari.

Ai ka përmendur se kënga është realizuar nga kompozitori Florent Boshnjaku, kurse tekstin e ka shkruar Mit’hat Sadiku, ndërsa për videoklipin është kujdesur produksioni ‘Max Production’ "Kompozimin e këngës e ka bërë Florent Boshnjaku, i cili ka qenë kompozitor i dy këngëve që i kam lansuar më herët kurse tekstin e ka bërë Mit’hat Sadiku.

Klipin ua kemi besuar ‘Max Production dhe video është xhiruar në bregdetin shqiptar", ka theksuar Neki Emra. Kënga titullohet ‘Çift ty dua të kem’ dhe klipi do të dalë brenda kësaj jave "Ne kemi parë demon e klipit, kurse pjesa finale do të dalë brenda 3 apo 4 ditëve kurse kënga titullohet ‘Çift ty dua të kem’ pasi vet përmbajtja e këngës është e tillë, është një takim mes dy të rinjve që duan ta kenë njëri-tjetrin pranë" ka shtuar këngëtari.

Neki ka përmendur se për shkak të prishjes së motit i është dashur që t’i ndërpresin xhirimet e klipit por tash me temperaturat e larta që po mbretërojnë, ata vetëm se janë në finalizim të gjithë këtij projekti. I pyetur për ndonjë projekt tjetër përveç kësaj kënge, Neki ka thënë që ka qenë 100% i përqendruar tek kënga me Leonorën por ka premtuar se në fund të vitit do të vijë me një album me këngë origjinale të tij dhe me një koncert madhështor.
"Nuk kam bërë asnjë këngë të re përpos duetit, mirëpo në fund të këtij viti do të vij me një album me këngë origjinale dhe po ashtu jam duke menduar ta organizoj edhe një koncert madhështor për të gjithë simpatizuesit e mi", ka shtuar këngëtari.

Neki ka treguar se kohëve të fundit është shumë i angazhuar me mbrëmje muzikore dhe dasma të ndryshme dhe nuk ka gjetur kohë që të bëjë pushim por ai thotë se në javën e parë të shtatorit do t’i kalojë disa ditë në plazhet e bukura të Turqisë. Ai po ashtu ka theksuar se nuk është aktiv vetëm gjatë stinorit veror por gjatë gjithë vitit këndon nëpër mbrëmje të ndryshme dhe brenda 365 ditëve sa ka një vit, 200 prej tyre ai i ka të ngarkuara me muzikë ‘live’ anekënd Kosovës.

"Këndoj gjatë gjithë vitit dhe e kam patjetër të marrë pushim për t’i mbushur bateritë. Javën e parë të shtatorit do të shkoj në Turqi kurse në fund të vitit do ta marr edhe një pushim në Amerikë. Zakonisht pushimet i kam të shkurta 5 apo 6 ditë, sepse jam i zënë me punë", ka shtuar këngëtari. Neki ka thënë gjithashtu se muzikën e sheh si një ndjenjë të bukur të shpirtit dhe asnjëherë nuk e ka parë atë sikur biznes prej të cilit ka përfitime.
"Muzika është diçka e bukur e shpirtit, unë këndoj sepse kjo gjë më jep emocion, mendoj se duhet kënduar këngë që kanë një mesazh të caktuar, nuk kam bërë asnjëherë muzikë për treg dhe mendoj se kjo është ajo që mua si artist më mban të gjallë", - ka theksuar Emra. Ai ka folur edhe për muzikën tallava për të cilën thotë se i ka rënë vijë të kuqe sepse kjo nuk është muzikë shqipe. Po ashtu Neki ka thënë se është më se i bindur që publiku kosovar nuk e pëlqen 100% këtë muzikë.

"Jam i bindur që publiku nuk e pëlqen muzikën tallava sepse në mbrëmjet ku unë këndoj këngë popullore dhe këngë të vjetra qytetare, publiku e pëlqen tej mase këtë muzikë që unë e këndoj që është muzikë e mirëfilltë shqiptare", ka shtuar ai. Këngëtari thotë se ka 15 vjet që publikut i ofrohet ky lloj muzikor, mirëpo nëse mediat nuk e transmetojnë dhe këngëtaret nuk e praktikojnë më këtë lloj, atëherë brenda një viti askush nuk do të dëgjonte me muzikë tallave.

"Sikur edhe mediat, edhe ne këngëtarët të kontribuonim në mostransmetimin dhe praktikumin e kësaj muzike, brenda një kohe shumë të shkurtër askush nuk do ta dëgjonte", ka thënë në fund të intervistës këngëtari Neki Emra.
Neki Emra & Leonora Jakupi
Çift Ty Dua Të Kem
[Teksti dhe Klipi]
(Erdonit Hoxha)

Komente 0