>
BIOSHQIP

Rovena Stefa: “Çdo Gjë Në Jetë Ka Një Arsye”

12-12-2014
TeksteShqip: Rovena, si arritët të jeni kjo artiste që shohim ne sot?

Rovena Stefa: Faleminderit për vlerësimin! Kjo është një shtysë për mua për të ruajtur imazhin tim te publiku dhe për ta zhvilluar mëtej. Kur kujtoj si filloi e gjitha, kuptoj se gjithçka nisi thjeshtë dhe vetëm për një arsye, dëshirën time të madhe për të kënduar. Duke pasur këtë pasion kaq të madh, hodha gjithë energjinë time për të qenë pjesë e shfaqjeve artistike në kohën që ndiqja mësimet në shkollën e mesme. Edhe pse takimi im me kompozitorin tim të parë ishte krejt rastësor në dukje, mendoj se ishte dëshira ime e madhe që më takoi me njerëzit e duhur. Pastaj gjithçka rrodhi hap pas hapi e ngadalë hallkat u lidhën njëra me tjetrën dhe ja ku jam sot mes jush dhe mes njerëzve që i dua, duke bërë atë profesion qe e dua me shpirt, muzikën.

TeksteShqip: Çfarë ndikon më shumë në ngritjen intelektuale, sipas jush?

Rovena Stefa: Intelektualizmi është një proces që nuk ka fund dhe është mirë nëse ai ndodh tek një person dhe është në një fazë të pëlqyeshme e të vlerësueshme prej rrethit shoqëror e më gjërë. Në ngritjen intelektuale ndikon padyshim të nxënit, të mësuarit në forma të ndryshme dhe natyrisht e gjithë kjo ka sukses kur individi është i pajisur me kapacitetin mendor të mjaftueshëm për të nxënë informacionin dhe për të zhvilluar e përshtatur atë sipas vendit e kohës.

TeksteShqip: Si e shikoni muzikën e ditëve të sotme, krahasuar me atë të dikurshmen?

Rovena Stefa: Po nëse me muzikë të dikurshme supozojmë muzikën e viteve 2000 dhe nëse po flasim për muzikën shqiptare, atëherë mund të them se ajo ka ndryshuar disa herë, por në thelb muzika popullore është ajo që ka qenë edhe gjatë viteve 2000, edhe më herët. Po që është e vërtetë se ka pasur vazhdimisht trende sezonale lidhur me produksionin, ritmin etj, por këto trende janë ndikuar edhe nga trendet e muzikës amerikane, turke, ballkanase etj.

TeksteShqip: Jeni aktive edhe me albume. Sa albume keni realizuar gjatë gjithë karrierës?

Rovena Stefa: Edhepse viteve të fundit në përgjithësi industria muzikore nuk kërkon prodhim të përvitshëm të albumeve, këtë verë publikova albumin tim të ri me titull "Boll me lojna", ku kam përfshirë këngë hite të muzikës popullore shqiptare, kryesisht të performuara mëparë nga emrat më në zë të muzikës popullore shqiptare.
Gjatë karrierës sime artistike numërohen 8 albume dhe shumë këngë të veçanta (jashtë albumeve) dhe duete e bashkëpunime me artistë të njohur.

TeksteShqip: Keni patur bashkëpunime me Shpat Kasapin, Pro Bandin, Bleron etj. A mendoni të realizoni duete të reja?

Rovena Stefa: Po, unë sapo kam realizuar një duet me Meriton Ademin “Tonin”, të titulluar “Vet më the të dua”. Për mua bashkëpunimet kanë në bazë përputhjen artistike me zërin e artistit tjetër.

TeksteShqip: Si është një ditë e zakonshme nga jeta e Rovena Stefës?

Rovena Stefa: Jam njeri që kam dëshirë të zgjohem herët, edhe pse kjo gjë është e pamundur gjatë sezonit të dasmave, por unë e rikuperoj këtë gjatë pjesës tjetër të vitit. Më pëlqen të takoj miqtë e mi më të ngushtë por edhe të krijoj njohje të reja. Merrem me fitnes dhe shkoj në kinema. Lexoj dhe informohem mbi botën që na rrethon dhe marr pjesë në zhvillimet aktuale duke i ndjekur me interes lajmet mbi politikën, ekonominë, aktualitetin, jetën sociale etj.

TeksteShqip: Çfarë e shqetëson dhe ç'e inatos më së shumti Rovenën?

Rovena Stefa: Më shqetëson indiferenca, por nuk më inatosin fenomenet e ndryshme sepse për mua çdo gjë e ka një arsye dhe mundohem të kuptoj arsyet se pse ne njerëzit jemi me kaq shumë të meta dhe bëjmë kaq shumë gabime.

TeksteShqip: Pos viseve shqiptare, në ç'vend do ta vazhdonit jetën?

Rovena Stefa: Skoci, Irlandë, ndoshta sepse edhe ata na ngjajnë ne shqiptarëve (qesh).

Terksteshqip: Rovena, ne të falenderojmë që gjete kohë për portalin tonë. Për fund…

Rovena Stefa: Faleminderit juve për hapsirën që më dhatë për të shprehur pak nga vetja. Ju uroj suksese e vazhdimësi portalit tuaj! I uroj çdo të mirë shqiptarëve gjithkund ku jetojnë! E juaja përgjithmonë, Rovena!
(Arsim Kolari/Teksteshqip.com)

Rovena Stefa: “Çdo Gjë Në Jetë Ka Një Arsye”