>
BIOSHQIP

Viola: E Kam Në Zemër Këngën Shqipe

03-02-2013
Edhe pse jeton jashtë vendit, këngëtarja Viola Rexhaj vazhdon të jetë mjaftë e kërkuar kudo në vend. Padyshim se paraqitja dhe interpretimi i saj i mahnitshëm bënë që këngëtarja të mbledhë rreth vetes shumë adhurues. Ajo çdoherë e më shumë sjellë surpriza në tregun muzikor, mbase edhe për këtë periudhë ajo po përgatitë befasi të radhës. Viola për punën dhe jetën e saj flet në këtë intervistë dhënë “Zërit”.

Çfarë po punon Viola aktualisht?

Tani kam mjaftë angazhime si gjithmonë në mbrëmje të ndryshme por edhe të shumta. Më presin tani koncertet pikërisht në dy festat ajo e 17 shkurtit Përvjetori i pestë i Pavarësisë së Kosovës dhe 14 shkurti dita e Shën Valentinit. Pastaj do të jetë edhe festa e 8 marsit ku do të jem së bashku me adhuruesit e mi këtu në Suedi.

Deri më tani ke realizuar mjaftë këngë dhe klipe, sa jeni e kënaqur me suksesin?

Të them të drejtën jam e kënaqur me suksesin deri më tani, por kërkoj shumë më shumë nga vetvetja, mbase suksesi në sy të mi nuk ka stop për t’u ndalur por vetëm për të ecur para dhe për të arritur edhe më shumë.

Nga të gjitha këngët që ke realizuar tani, cila prej tyre është më e veçuara?

Kënga për prindër e cila quhet “Gurbetit” është kënga që unë ia kam kushtuar prindërve dhe gjithmonë e ndjehem borxhli ndaj tyre. Në realitet unë jetoj këtu në Suedi afër tyre, mirëpo temën e kam lidhur për bashkatdhetarët që janë detyruar që emigrojnë jashtë vendit dhe lënë prindërit e tyre. Thënë të drejtën kudo që jam nëpër mbrëmje muzikore është e pamundur të mos kërkohet kjo këngë nga pjesëmarrësit. Pra ka shumë vjet që e kam lansuar dhe akoma vazhdon të kërkohet shumë.

Padyshim se në tregun muzikor ka mjaftë konkurrencë, ndjehesh e rrezikuar nga konkurrenca?

Për mua konkurrenca është vetëm një gjë pozitive d.m.th nëse ndër gjithë këtë konkurrencë që është në ditët e sotme ke punë të mjaftueshme është një plus i madh. Të them të drejtën unë asnjëherë nuk ndjehem e rrezikuar nga konkurrenca, por dua ta veçoj që nuk kam filluar të kënduarit për të konkurruar me dikë, thjeshtë kam filluar për të gjetur vetëm vendin tim dhe të paraqitem në skenë si Violë, nuk di ndoshta pse jam e rritur këtu në Suedi dhe më ka kapur pak mentaliteti skandinav.

Me kë je duke punuar aktualisht?

Bashkëpunëtorët e mi janë produksioni muzikor “Eurolindi” Bujari dhe Dauti më kanë ndihmuar mjaftë shumë në arritjen e suksesit tim. Ndërkaq bashkëpunëtorët e këngës janë Ilir Berani, Virusi, Burim Krasniqi, Ismajl Purja, Avni Qaili e shumë të tjerë.

Cili është zhanri muzikor që ju tërheqë më shumë?

Unë me kënaqësi të zemrës e këndoj zhanrin e këngës popullore, pastaj balada, por kërkohen shumë edhe këngët ritmike në çdo aheng apo mbrëmje muzikore.

Jetoni në Suedi, synoni të depërtoni në tregun muzikor atje?

Jo nuk kam menduar kurrë të depërtoj në tregun e muzikës të këtij vendi. E dëgjoj por e kam për zemër muzikën shqipe, jam e rritur në këtë frymë të muzikës dhe gjithmonë do marrë frymë me tingujt e muzikës shqipe. Kjo dua të ndikoj edhe te djali im i cili do t’i kuptoj tingujt tonë dhe të di për traditën tonë shqiptare. Është e rëndësishme që fëmijët që rriten në mërgim të mësohen për prejardhjen e tyre dhe të dinë për kulturën dhe traditat tona shqiptare.

Ju si një nënë, sa mund t’ia dilni me këngë dhe me të përkujdeseni për familjen?

Normal në radhë të parë është familja, kështu që përgjegjësia familjare është e rëndësishme të jetë në nivel të duhur për të pasur vullnet edhe për karrierë. Një përkrahje të madhe e kam nga Sokoli dhe po ashtu edhe djali im Toni i cili është 3 vjeç asnjëherë nuk më bëhet pengesë për të qenë në mbrëmje, koncerte apo ahengje të tjera muzikore. Tonin çdo herë ia lë nënës time, ndërsa kur jemi në Kosovë përkujdeset familja e Sokolit. Por kam edhe Marigonën e cila është favorite e Tonit.

Sokoli vazhdon të jetë edhe menaxheri juaj, je zhgënjyer ndonjëherë nga ai?

Sokoli është një bashkëshort i mrekullueshëm i cili menaxhon me mjaftë sukses punën time në këngë. Mund të them se pa ndihmën e tij dhe mbështetjen e tij, angazhimet e tij rreth karrierës sime nuk do isha këtu që jam sot. Sokoli është një Supermen, e them këtë sepse ai me të vërtetë ka shumë punë, ka punën e shtetit, mbanë mbrëmje muzikore me vëllanë tim Lavdimin këtu në Suedi. Tani kanë blerë edhe një diskotekë këtu në Halmstad dhe vazhdojnë të jenë mjaftë të angazhuar rreth punës, por Sokoli di t’i koordinoj mjaftë mirë punët e tij.

Padyshim se jeni njëra nga këngëtaret që paguheni mjaftë mirë, sa je e kënaqur me këto përfitime?

Të them të drejtën unë asnjëherë nuk bëj llogari sa fitoj, për mua më me rëndësi është që publiku të jetë i kënaqur me këngët që ua sjelli se sa përfitimi.

Çfarë mesazhi do u jepje adhuruesve tuaj dhe lexuesve të gazettes “ Zëri”?

Falënderoj gazetën “Zëri” që më bëri pjesë të saj me anë të kësaj interviste. Adhuruesve të mi u jap mesazhin që ta ruajnë shëndetin, respektin në përgjithësi, të punojnë sa më shumë për arritjen e ëndrrave të tyre, të shohin mundësin që ekziston në të pamundurën. Respekt nga unë Viola për ju të gjithë.
(K. Bajrami / zeri)

Viola: E Kam Në Zemër Këngën Shqipe