TEKSTESHQIP
Festivali i 47-të në RTSH
FESTIVALI I 47 -te I KENGES NE RTSH

Kejsi Tola, eshte fituese e këtij viti, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian.
Me këngën “Më merr në ëndërr” me muzikë dhe orkestracion të Edmond Zhulalit, tekst të Agim Doçit, Tola arriti të marrë vlerësimin e jurisë e të publikut, duke marrë trofeun e festivalit, por duke prerë dhe vizën për në Rusi. Çmimin e dytë e fitoi dueti Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli me këngën e kompozuar nga Shpëtim Saraçi. Ndërsa në të tretin, grupi “West Side Family” me këngën “Jehonë” të kompozuar nga Ardit Gjebrea.
Mbrëmë në skenën e Pallatit të Kongreseve u zhvillua nata finale e edicionit të 47-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Nën prezantimin e treshes simpatike, Elsa Lila, Julian Deda e Gentian Zenelaj, që i dhanë nota të forta humori spektaklit, me regji të Pali Kukes e skenar të Koloreto Cukalit, në skenë u ngjitën për të tretën herë me radhë 20 këngët e festivalit. Të parët që hapën garën dhe ndezën menjëherë atmosferën, ishin çunat e grupit “West Side Family” me këngën “Jehonë”, me ritme tipike shqiptare, me tupana e çifteli. Një këngë që u vlerësua shumë nga publiku. Për të vijuar më tej me Soni Malaj me një këngë të Florian Mumajesit, duetin Juliana Pasha e Luiz Ejlli me një krijim të Shpëtim Saraçit, deri tek Besa Kokedhima, e cila mbyll garën me performancën e saj të veçantë. Këngët, e përzgjedhura nga një shumësi prurjesh, u vlerësuan nga një juri e përbërë nga 7 anëtarë, kryesisht personalitete në fushën e muzikës. Juria përbëhej nga Eno Koço, Gjergj Bojaxhi, Florent Boshnjaku, Gentian Demaliaj, Nora Çashku, Myfarete Laze dhe Leonardo Leopoldi. Vlerësimit të jurisë iu shtua edhe 20% nga votat e publikut, të cilët këtë vit e kanë pasur më të lehtë të evidentojnë këngën e tyre të preferuar. Përmes një formule të ideuar nga drejtori artistik Pirro Çako, të gjitha këngët u kënduan përgjatë tri netëve, duke eliminuar procesin e vështirë të seleksionimeve për finale, por edhe “zhdukjes” së këngëve që këndoheshin vetëm një herë në festival. Natën parë e të tretë këngët u kënduan live, ndërsa në të dytën, këngët u ofruan të regjistruara, të riorkestruara dhe nën shoqërinë e një këngëtari, apo një grupi tjetër. Komoditeti i regjistrimit i çliroi këngëtarët nga emocionet dhe la më shumë mundësi për performancë artistike. Mes 20 këngëve konkurrente pati krijime të bukura, balada me tekste të ndjera, por edhe të tjera, që ndonëse u kënduan tri herë, kaluan pa u vënë re. Gjithsesi duhet thënë që deri në momentin e fundit, ishte e vështirë të evidentoje një këngë ndër të tjerat. Ishin disa syresh, që mund të merrnin vizën për në Eurosongun, që vitin që vjen zhvillohet në Moskë.

E ka shtensionuar disi atmosferën e garës, performanca e dyshes së kërcimtarëve nga Amerika. Kampioni i botës, në dancin sportiv Driton “Tony” Dovolani, solli pak aromë amerikane në pallatin e Kongreseve, bashkë me partneren e tij. Dolovani, i lindur në Prishtinë në vitin 1973, është një balerin profesionist, që prej vitesh zhvillon karrierën në Nju Jork. Nisi të kërcente qysh në moshën 3-vjeçare, fillimisht nën ritmet e muzikës popullore. Kur ishte 15 vjeç e gjithë familja u vendos në ShBA, ku pati mundësinë të ndekjë studimet në Akademinë e Dancit “Fred Astaire”. Prej asaj kohe ka udhëtuar në të gjithë botën dhe ka fituar shumë kampionate danci. Kush e ka parë filmin “Shall we dance” me Jennifer Lopez e Richard Geere, ka dalluar aty edhe balerinin me origjinë shqiptare, ku luan rolin e një djali latin. Ka kërcyer në krahë të yjeve botërore si Stacy Keibler, Sara Evans, Leeza Gibbons, Jane Seymour, Marissa Jaret Winokur.


Dhjetor 2008 - Salla e Pallatit te Kongreseve

STAFI
Drejtor i Festivalit: Zamira Koleci
Drejtor artistik: Pirro Cako
Regjisor: Pali Kuke
Skenograf: Bashkim Zahaj
Skenari:
Dirigjent: Jetmir Barbullushi,Selim Ishmaku,Shpëtim Saraçi,Gridi Kraja,Oleg Arapi
Orkestra Simfonike e RadioTelevizionit
Prezantues:

ÇMIMI I PARE
Titulli i këngës: Më merr në ëndërr
Muzika: Edmond Zhulali
Teksti: Agim Doçi
Këndon: Kejsi Tola
Orkestruesi: Edmond Zhulali

ÇMIMI I DYTE
Titulli i këngës: Një jetë
Muzika: Shpëtim Saraçi
Teksti: Turian Hyskaj
Këndon: Juliana Pasha & Luiz Ejlli
Orkestruesi: Shpëtim Saraçi

ÇMIMI I TRETE
Titulli i këngës: Jehonë
Muzika: Dr. Flori
Teksti: Dr. Flori
Këndon: West side family
Orkestruesi: Klodian Qafoku
Image 115469
Image 115470
  • Festivali i 47-të në RTSH
  • Viti: 2008
  • 19/12/2008 - 21/12/2008
  • Pallati i Kongreseve, TIRANE
  • Prezantuesit: Elsa Lila, Julian Deda & Gentian Zenelaj
  • TV: TVSH
  • Radio: Radio Tirana